E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon votimi për përgjimet

• Protestat e opozitës sjellin dështimin e votimit të projektligjit "Për përgjimin e telekomunikimeve".BLEDAR HOTINë seancën e djeshme parlamentare, socialistët dolën kundër kërkesës së kryeparlamentares Topalli për të votuar projektligjin "Për përgjimet", pasi ky draft nuk ishte shqyrtuar më parë nga ana e Komisionit të parlamentar të Ligjeve. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj ishte e para që reagoi në lidhje me këtë çështje, duke i kërkuar Topallit që të mos ta fuste për votim. Kreu i Kuvendit kontestoi, duke u shprehur se "p/ligji kishte kaluar më parë në komisione dhe nuk ka pse opozita të ankohej". Por deputeti i PS-së, Petro Koçi deklaroi se "duhet të mos votohet, pasi projektligji ka probleme serioze sepse prek direkt liritë e të drejtat themelore të njeriut. Duke lejuar përgjimet nga çdo polic, që i jepet e drejta nga ligji i vitit 2003, preken të drejtat dhe liritë e njeriut". Edhe socialisti, Pandeli Majko, u shpreh kundër miratimit të projektit, pa kaluar më parë në sitën e Komisionit parlamentar të Ligjeve. Qëndrimeve të opozitës i është kundër vënë ministri i Transportit, Sokol Olldashi, i cili i ka cilësuar si të pavërteta. "Drafti nuk ka ndryshime të mëdha nga ai i miratuar në vitin 2003 dhe bëhet fjalë për ndryshim vetëm të disa detajeve teknike. Së pari, p/ligji nuk zgjeron gamën e institucioneve që kanë të drejtë të kërkojnë përgjime, duke ruajtur të njëjtin numër institucionesh që e kanë këtë të drejtë, sipas ligjit të vitit 2003. Së dyti, ai nuk prek në asnjë rrethanë procedurën se si kërkohet një përgjim telekomunikimesh dhe ruan të njëjtën procedurë që është e konsoliduar në praktikë e që vjen nga ligji i vitit 2003. Së treti, ai nuk prek asnjë nga garancitë ligjore, që siguron që përgjimet e telekomunikimeve të jenë në përputhje me ligjin dhe në mënyrë rigorozisht të kontrollueshme", sqaroi Olldashi. Pas këtyre pretendimeve, kryetarja e Kuvendit ka ndërprerë seancën e parlamentit, për të marrë një vendim final nga ana e krerëve të grupeve parlamentare. Konferenca pranoi që të shqyrtohej një projekt i tillë nga Komisioni i Ligjeve dhe më pas të votohej brenda seancës. Por një gjë e tillë nuk u pranua të zbatohej nga ana e socialistëve, duke e bërë që të shtyhej për të hënën e ardhshme.DebatiJozefina Topalli: Të nisim procedurën për votimin e p/ligjit "Për përgjimin e telekomunikimeve"Zhurmë në sallë nga opozita, Braçe: Nuk ka kaluar në komisione jemi kundërJozefina Topalli: Fjalën e ka zonja LeskajValentina Leksaj: Zonja kryetare nuk mund të votohet një p/ligj pa u shprehur më parë Komisioni parlamentar i Ligjeve, që është thelbësore. Gjithashtu p/ligji është kaluar vetëm në parim në Komisionin e Sigurisë.Jozefina Topalli: Gjersa është në rendin e ditës së seancës nuk mund ta tërheq nga votimi.Pandeli Majko: Ka probleme serioze ky ligj të tërhiqet nga votimiLeonard Demi: Ky ligj nuk realizon asgjë më shumë seç ka qenë parashikuar në procedurat e mëparshme.Petro Koçi: Të mos votohet, pasi projektligji ka probleme serioze sepse prek direkt liritë e të drejtat themelore të njeriut. Duke lejuar përgjimet nga çdo polic, që i jepet e drejta nga ligji i vitit 2003, preken të drejtat dhe liritë e njeriut.Sokol Olldashi: Asgjë nuk ka ndryshuar nga procedurat e përcaktuara në ligj, ky p/ligj i ndan procedurat teknike, asgjë më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›