E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohen edhe 20 dosje të pronave

• Prokuroria urdhëroi sekuestrimin e dokumenteve në Hipotekë për 20 prona të tjera të regjistruara nga inspektorët e arrestuar katër ditë më parë gjatë operacionit "Furtuna". Hetuesit kanë marrë dje nga zyrat e Hipotekës, 20 dosje pronash dhe trojesh të ndryshme në Tiranë të cilat janë firmosur gjatë vitit 2007, nga tre regjistruesit e arrestuar. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të hetimit sipas të cilave, veç 13 rasteve të abuzimit me prona të ndryshme nga të arrestuarit, dyshohet se ata kanë kryer veprime të paligjshme edhe në 20 raste të tjera kundrejt shumave të ryshfetit deri në 30 mijë euro. Rreth 20 dosje të firmosura nga regjistruesit e arrestuar Artan Mehmeti, Ramiz Hyka dhe Enton Babameto, gjatë 2007 janë sekuestruar dhe po verifikohen imtësisht nga hetuesit dhe prokurorët. Ata po kërkojnë shkelje ligjore dhe parregullsi të tjera në dokumentacion në mënyrë që më pas të fillojnë hetimin për rastet e dyshuara. Sipas burimeve nga hetimi dosjet e sekuestruara në Hipotekë i përkasin vitit 2007. Nga verifikimet e para, ato rezultojnë problematike në dokumentacion dhe në kufizimet e pronësisë mes palëve. Mohimi i akuzaveGjashtë personat e arrestuar gjatë operacionit "Furtuna", pritet të paraqiten në Gjykatën e Tiranës për vlerësimin e masave të sigurisë të vendosura në mungesë para arrestimit. Burimet nga hetimi i çështjes, thanë se pasditen e djeshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ka mbërritur shkresa nga gjykata ku kërkohej shoqërimi i gjashtë të pandehurve; Artan Mehmeti, Ramiz Hykaj, Enton Babameto, Veiz Senko, Halil Hima dhe Dali Hakorja para togave të zeza për t'iu komunikuar masën e sigurisë. Dje në mëngjes, në prani të avokatëve mbrojtës të zgjedhur prej tyre, prokurori që ka drejtuar hetimet paraprake dhe që ka analizuar përgjimet, i ka marrë në pyetje të arrestuarit. Sipas burimeve zyrtare të gjithë ata kanë refuzuar të japin shpjegime rreth akuzave duke i mohuar në mënyrë kategorike veprat penale që u atribuohen. Ndërkohë gjatë një përgjimi ambiental në qeli, pak orë pas arrestimit mbrëmjen e martë, në biseda mes njëri-tjetrit ata kanë fajësuar oficerin e policisë Dali Hakorja, si shkaktar të prangosjes. Sipas tyre, Hakorja u kishte premtuar të punonin të qetë në falsifikimin e dokumenteve, ndërsa ai do i garantonte nga arrestimi. Kjo në fakt, ka rezultuar e kotë, pasi në pranga veç punonjësve të hipotekës dhe dy sekserëve ka rënë edhe vetë oficeri i policisë.HipotekaTre regjistruesit e Hipotekës dhe dy sekserët e tyre mësohet se kishin krijuar një praktikë pune korruptive të cilën dyshohet se e kanë zbatuar në të paktën 13 raste. Qytetarë të shumtë që prisnin me ditë të tëra para dyerve të Hipotekës dhe nuk gjenin zgjidhje për pronat e tyre, kontaktoheshin fillimisht nga dy sekserët. Këta u premtonin qytetarëve mbarimin e punës dhe regjistrimin e pronës në një kohë të shkurtër, duke shmangur burokracinë dhe pritjen e gjatë në radhë. E gjithë kjo kishte një çmim. Shuma e ryshfetit varej nga madhësia e pronës që do të regjistrohej si dhe nga vendndodhja e saj.                             d.b/f.mDosja e pronave "top sekret" për avokatëtTIRANE - Ndryshe nga praktika e zakonshme e punës së Prokurorisë, e cila u jep avokatëve të personave të arrestuar vendimet e dhëna në mungesë për masën e sigurisë ndaj të arrestuarve, me rastin e hetimit të abuzimeve në Hipotekën e Tiranës ka ndodhur ndryshe. Avokatët e gjashtë personave të arrestuar nuk kanë pasur mundësinë të marrin vendimet gjyqësore të dhëna në mungesë nga gjykata për klientët e tyre. Prokuroria ka bërë kujdes për ruajtjen e sekretit të hetimeve, pasi në abuzime dyshohet se janë implikuar edhe persona të tjerë veç të arrestuarve. Për këtë shkak, avokatëve u janë dhënë vetëm pjesë nga vendimet e firmosura në mungesë në Gjykata për klientët e tyre. Vendime të tilla përmbajnë edhe bisedat e përgjuara që janë zhvilluar mes gjashtë personave të arrestuar gjatë tratativave të tyre për katër jave derisa është regjistruar me dokumente të falsifikuara prona prej 14 dynymë tokë në afërsi të ish-parkut të Autobusëve. Burime të policisë pretendojnë se edhe tre urdhra ndalimi janë firmosur nga Prokuroria për persona të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në skandalin e abuzimit me trojet dhe me tokat në Tiranë.      Skandali u zbulua pas "shitjes" së 14 dynymëveTIRANE - Oficeri i policisë Dali Hakorja, i arrestuar me akuzën e "falsifikimit të dokumenteve" dhe "vjedhjes së pronës", ka tentuar të shesë 14 dynymë tokë që nuk ishte në pronësi të tij. Pasi ka hyrë në komunikim me një biznesmen nga Tirana, Hakorja ka biseduar për të nënshkruar një kontratë për shitjen e sipërfaqes së tokës prej 14 mijë metra katrorë në afërsi të ish-parkut të Autobusëve në Tiranë. Për të realizuar këtë procedurë duhej plotësuar dokumentacioni përkatës, të cilin oficeri i policisë nuk e zotëronte. Me qëllim që të hidhte në emër të tij tokën të cilën po tentonte ta shiste, Dali Hakorja ka hyrë në kontakt me punonjësit e arrestuar të Hipotekës dhe me sekserët e tyre. Ai ka siguruar një vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave që e bënte pronar të tokës, mirëpo ky dokument dyshohet se është i falsifikuar. Më pas, oficeri duke mbajtur kontakte me regjistruesit e Hipotekës si dhe me sekserët e tyre ka plotësuar edhe dokumentet e tjera të kërkuara, të gjitha dyshohet se janë false. Falsifikimet janë kryer duke vënë në përdorim vulat që zotëronte njëri prej sekserëve të punonjësve të Hipotekës. Menjëherë sapo kanë "kopsitur" dosjen, të arrestuarit kanë filluar procedurën e hedhjes së tokës në emër të oficerit të policisë. Ai sipas Prokurorisë përbën vetëm njërin nga dhjetëra rastet e abuzimeve të regjistruesve të Hipotekës. Këta të fundit i kanë dhënë pronësinë e 14 mijë metrave tokë oficerit të policisë, i cili gjithsesi nuk ka mundur ta shiste këtë pronë. Blerësi i interesuar është tërhequr për shkak të parregullsive ndërsa pronari i vërtetë i truallit ka mësuar çfarë po ndodhte me tokën e tij dhe ka denoncuar këtë rast pranë Prokurorisë. Organi i akuzës ka filluar hetimet, ndërsa Njësia Task-Force ka dokumentuar gjithë praktikën e ndjekur. Sipas hetimeve, tre regjistruesit e Hipotekës kanë pasur dijeni se dokumentet ishin false, se trualli prej 14 mijë metrash ishte në emër të dikujt tjetër, por gjithsesi e kanë hedhur atë në emër të oficerit të policisë. Ky i fundit mësohet se është vetëm njëri nga rastet me të cilat kanë abuzuar tre punonjësit e arrestuar të Hipotekës.34 pronadyshohet se janë regjistruar me dokumente false nga tre regjistruesit e arrestuar. Të gjitha pronat dhe tokat ndodhen në Tiranë200 milionelekë të vjetër, ka qenë vlera e truallit prej 14 dynymë tokë, e cila është hedhur në emër të oficerit të policisë me dokumente të falsifikuara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›