Pazaret e drogës, shokët marrin peng të riun
• TIRANE- Tre persona marrin peng të riun nga Alliasi, pas grindjeve për shkak të aktivitetit të tyre kriminal.Autorët e ngjarjes janë persona të dyshuar për vjedhje banesash, ndërsa zyrtarisht policia tha se pengmarrja ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve lidhur me shpërndarjen e heroinës në Tiranë. Dy prej rrëmbyesve janë shpallur në kërkim ndërsa i treti është arrestuar menjëherë pas denoncimit të bërë nga personi i dëmtuar. Festim Gici, 20 vjeç, banues në lagjen Allias të Tiranës, ka denoncuar mbrëmjen e së mërkurës në polici se ishte rrëmbyer e mbajtur peng nga tre shokë të tij. Ata sipas denoncimit, duke përdorur një makinë të markës "Honda", e kanë çuar pengun në fshatin Brar rreth 5 km në Lindje të Tiranës. Denoncuesi ka pretenduar se ndaj tij ishte ushtruar dhunë duke e goditur me mjete të forta. I riu ka denoncuar në Komisariatin nr.4, Gramoz Selmanin, 23 vjeç, Gentjan Lugën, 23 vjeç dhe Bilbil Krasniqin, 32 vjeç. Sipas autorit të denoncimit, tre personat e përfshirë në rrëmbimin e tij janë anëtarë të një grupi kriminal që kryen shitje dhe shpërndarje heroine në Tiranë. Sipas policisë, Festim Gici, është rrëmbyer dhe futur në një automjet të markës "Honda" me targa GEE 46055. Ai ka qenë pranë banesës së tij në rrugën "Njazi Meka", kur makina e shokëve të tij i është afruar pranë dhe shokët i kanë kërkuar pengut të shkonte me ta. Festim Gici, është futur në makinën e "miqve" të tij, ndërsa të gjithë së bashku kanë marrë rrugën e Komunës së Zall-Bastarit, ose siç njihet tashmë Rruga e Arbrit. Pranë fshatit Brar, pengmarrësit kanë ndaluar makinën dhe në afërsi të një përroi kanë zbritur pengun nga autovetura. Ata dyshohet se kanë nisur të godasin dhe të ushtrojnë dhunë mbi 20-vjeçarin, Festim Gici. Nga deklarimet e të dëmtuarit, policia ka mësuar se shkak i rrëmbimit dhe i heqjes së padrejtë të lirisë të 20-vjeçarit nga të dyshuarit Krasniqi, Luga dhe Sulejmani, ka qenë përplasja mes tyre për të zotëruar shitjen e drogës në zonën e Alliasit. Policia saktësoi se ky version është paraqitur nga i dëmtuari gjatë deklarimeve që ai ka dhënë para hetuesve të zyrës së Hetimit të Krimeve Kundër Lirisë së Personit. Hetuesit e policisë dyshojnë se versioni i paraqitur nga i dëmtuari, është pjesërisht i vërtetë ndërsa shkak për rrëmbimin mund të jetë aktiviteti i pengmarrësve që dyshohet se janë grabitësh banesash. Pasi kanë marrë denoncimin nga i rrëmbyeri, i cili ishte lënë i lirë pas ushtrimit të dhunës ndaj tij, policia ka ndaluar Gramoz Selmanin, ndërsa ka shpallur në kërkim Bilbil Krasniqin dhe Gentian Lugën. d.b