PD: Në Paskuqan 900 vota më shumë se më 2007
• Partia Demokratike ka përshëndetur dje fitoren e kandidatit të saj në zgjedhjet e parakohshme për Komunën e Paskuqanit të dielën e kaluar.Zëdhënësi i kësaj partie, Gerti Bogdani tha në një konferencë për shtyp se fitorja e kandidatit të saj me 1400 vota diferencë, nga 500 vota që ka qenë në zgjedhjet e 18 shkurtit, është një provë e mirë se elektorati i kësaj zone ka votuar për reformat e ndërmarra nga qeveria dhe për përmirësimin e qeverisjes. "Partia Demokratike përshëndet edhe një herë fitoren në zgjedhjet e pjesshme lokale në Paskuqan. Theksojmë se thellimi i madh i fitores nga +500 vota në +1400 vota, është dëshmi e një besimi të madh të shqiptarëve për reformat, qeverinë dhe përmirësimin e qeverisjes", theksoi dje zëdhënësi i selisë blu. Më tej Bogdani u shpreh se rezultati i 24 shkurtit në Paskuqan është paralajmërim për një humbje të thellë të opozitës në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vend. "Në kurorën e fitoreve të vitit që shkoi, në Shijak, Pogradec, zonën 31 në Tiranë, dhe në 18 komuna e Bashki që u zhvilluan pas 18 Shkurtit, fitorja e Paskuqanit vjen si një mesazh i qartë vlerësimi dhe besimi për punën e deritanishme të qeverisë, por edhe si një paralajmërues për një disfatë shumë të thellë për opozitën dhe për ata që praktikojnë nihilizmin si alternativë të vetme", theksoi më tej zëdhënësi i PD-së, Bogdani.