"Banda e Durrësit", mungojnë mbrojtësit, pezullohet paraburgimi
• TIRANE - Mungesa dy avokatëve mbrojtës të dy anëtarëve të "Bandës së Durrësit", u bë shkak që të shtyhej seanca e djeshme, te Krimet e Rënda.Trupi gjykues pohoi se njëri prej avokatëve nuk kishte shënuar asnjë arsye për mungesën e djeshme, ndërsa dy mbrojtësit e të pandehurit tjetër ishin shprehur se njëri ndodhej jashtë shtetit me shërbim, ndërsa tjetri nuk mund të paraqitej në gjykim për shkaqe personale. Ndërkohë seancën e djeshme mungonin edhe disa prej të pandehurve, të cilët kishin nënshkruar prokura ku autorizonin mbrojtësit e tyre për t'i përfaqësuar në mungesë. Prokurorët e çështjes pohuan se të pandehurve duhet t'iu pezulloheshin afatet e paraburgimit, ndërsa kërkuan të shtyhej seanca. Trupi gjykues i këshilluar në vend shpalli vendimin e ndërmjetëm se pezullonte afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit pasi ndodhen në një procedim të lidhur, dhe se do i kërkonte Dhomës Kombëtare të Avokatisë të merrte masa për mungesat e përsëritura të avokatëve nëpër seancat gjyqësore. Pas kësaj reaguan avokatët dhe të pandehurit e pranishëm të cilët pohuan se nuk kishte asnjë arsye për të pezulluar afatet e tyre të paraburgimit pasi ata ishin paraqitur me korrektesë çdo seancë. Duke iu kthyer përgjigje, gjykata pohoi se ky vendim ishte i ankimueshëm në të gjitha shkallët e gjyqësorit. fa.ma.