E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorci, kërcënon gruan në gjyq

• "Nëse më divorcon do të vras ty dhe fëmijët". Me këto fjalë 30 vjeçari P.Gj. kërcënoi dje në Gjykatën e Tiranës bashkëshorten e tij 28-vjeçare, P.N. gjatë seancës së radhës të procesit për zgjidhje martese.Fatos Mahmutaj  Gjithçka ka ndodhur pasditen e djeshme në Gjykatën e Tiranës, teksa zhvillohej gjyqi. Duke kundërshtuar divorcin, ai reagoi dje pas pretendimit të bashkëshortes për caktimin e saj si kujdestare të tre fëmijëve të mitur dhe pagimin nga ana e babait të tyre të një pensioni ushqimor. Sapo ka dëgjuar këtë pretendim ai ka reaguar ashpër duke kërcënuar me vdekje bashkëshorten, ndërsa gjyqtarja e çështjes, në zyrën e së cilës po zhvillohej seanca ka sinjalizuar policinë. Duke ndjerë rrezikun e prangave ai ka dalë nga seanca dhe ka nisur të zbresë shkallët e gjykatës, ndërsa policët po ngjiteshin. Policia Pasi është shkëmbyer në shkallë me policët, të cilët nuk e njihnin fizikisht atë, 30-vjeçari ka dalë jashtë ambienteve të gjykatës dhe është larguar në drejtim të paditur duke mos u zbuluar nga policia, edhe pse në ndihmë të policëve të kontrollit në hyrjen kryesore të gjykatës kanë ardhur edhe mjaft kolegë të tyre nga Komisariati nr.2. Por edhe pas kësaj ka qenë e pamundur të gjendej pasi ai i kishte marrë masat duke u larguar në kohë. Pas kësaj bashkëshortja e tij i kërkoi ndihmë policisë ta shoqëronin për në Komisariatin nr.4 të kryeqytetit ku depozitoi një denoncim në ngarkim të bashkëshortit, dhe më pas e shoqëruar nga policia shkoi në banesën e saj. Burime nga gjykata pohojnë se çifti që po divorcohej mesditën e djeshme është me origjinë nga zona e Mirditës dhe banues në Babrru. Disa muaj më parë, të dy burrë e grua dhe tre fëmijët e tyre; 4 vjeç, 2 vjeç dhe 6 muajsh, ishin shpërngulur për të jetuar në një banesë në Allias. Kohët e fundit, sipas bashkëshortes, e cila është paditëse në procesin e zgjidhjes së martesës, marrëdhëniet në çift ishin përkeqësuar dhe bashkëshorti kishte nisur të ushtronte dhunë ndaj saj. Çifti Pas grindjeve të vazhdueshme, ata kanë jetuar veç njëri-tjetrit me gjithë këmbënguljen e burrit për të mos u divorcuar. Tre fëmijët e tyre kanë shkuar të jetonin me nënën pasi ishin të mitur dhe se ishte e pamundur nga ana e të atit për t'i mbajtur. Pas denoncimit të djeshëm, policia nisi kërkimet për të, duke bërë të mundur arrestimin në banesën e disa të afërmve të tij në Babrru. Pas kësaj ai u dërgua në qeli, ndërsa gjatë paradites së sotme pritet të dërgohet në Gjykatën e Tiranës ku gjyqtari i gatshëm do t'i caktojë masën e sigurisë. Ndërkohë pritet që në bazë të kërkesës së bashkëshortes, ndonjë prej gjyqtareve të çështjeve familjare të vendoset lëshimi i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për të. ProcesiBurime të Gjykatës së Tiranës pohojnë se procesi për divorcin e çiftit nga Babrruja ka nisur në këtë gjykatë pesë muaj më parë dhe ka qenë e pamundur të përfundohet pasi fillimisht ka hasur në kundërshtitë e burrit për të mos u divorcuar dhe më pas psikologët, të thirrur nga gjykata kanë kërkuar kohë për të përgatitur aktin psikologjik në bazë të së cilit do vendoset kujdestaria e fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›