E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetarë egjykatësgarant të lirisë

Nuk ka humbje më të madhe në liri, të drejta, demokraci për një shoqëri, kur media dhe opinioni publik vë në diskutim, në pikëpyetje vendimin e një gjykate. Kur gjykata flet, të gjithë duhet të heshtin, e në heshtje, dinjitet e profesionalizëm ngjiten e konsumohen të gjitha shkallët e drejtësisë, deri në qartësimin total për vendimin e fajtorëve dhe të pafajshmëve. Drejtësia në një shoqëri, është distilimi më i pastër i të gjitha përpjekjeve, sakrificave, mënçurive që në shekuj kanë prodhuar njerëzit e mirë, në luftë me të këqinjtë. Utopi? Jo! Të mënçurit e globit luftuan për të vënë rregulla që njerëzimit i nevojiten në ditët e çmendurisë. E ditë të çmendura në jetën e një njeriu ka. Siç ishte ajo, në opinionin tim, që pamë në fillimin e vitit të shkuar, kur një ministër i Shtetit shqiptar, ftoi në shtëpinë e tij një vajzë simpatike, të zhvishej në këmbim të një vendi pune në ministri. Kjo vajzë, veç simpatike ishte dhe gazetare, e veç gazetare ishte dhe e guximshme për të denoncuar e për të nxjerrë në sy të të gjithëve një punë që ish-ministri i kulturës mendoi se e bënte në klandestinitet të plotë.
Trupi gjykues në shkallën e parë i dha të drejtë ministrit, duke vendosur një gjobë të jashtëzakonshme për televizionin që publikoi filmimet. Por shkallë të tjera të drejtësisë duhet të shprehen dhe personalisht uroj të korrigjojnë një devijim flagrant të rrjedhës së drejtë të së vërtetës. Deri në këtë pikë, vendimi në favor të ish-ministrit, madje tentativa për ta shpërblyer atë, kanë një efekt shkatërrues në ato të drejta e liri që media, individi ka fituar me mundim në Shqipëri dhe doja të rikujtoja disa:
1.Kontributi i gruas në shoqëri dhe në administratën publike. Eshtë fakt që shumë gra e vajza “simpatike” pësojnë sistematikisht presione e ngacmime seksuale nga punëdhënësit, por jo të gjitha arrijnë t’i faktojnë dhe denoncojnë. Dikush sepse është e martuar, dikush sepse nuk dëshiron të humbë vendin e punës, dikush mendon se do të turpërohet në opinion, dikush pëson në heshtje, sepse “kështu bëjnë të gjithë”, dikush sepse ka frikë, frikë, frikë. Shoqëria shqiptare vazhdon të jetë aq shumë maskiliste, saqë edhe kur një grua denoncon, faji është i saj; siç ndodhi hapur me rastin e ish-ministrit dhe gazetares.
2. Justifikimin e kryerjes së një shkelje apo të një krimi
Jo vetëm trupi gjykues që mori vendimin, por shumë në opinion, menjëherë pas skandalit, u shprehën pa më të voglin problem se “vajza e kishte provokuar”. Thënë kjo, duket sikur pas kësaj, ligjërisht mund të justifikosh çdo gjë: Vrasësi e vrau sepse viktima e provokoi, hajduti vodhi, se paratë i kishte para syve e s’kishte si t’i linte pa i marrë, e goditi sepse brenda shtëpisë së tij i tha “hajvan”, e përdhunoi sepse vajza ishte shumë e bukur dhe përdhunuesi u tundua….
3. Rrëzimi I pak gjërave që kishim ndërtuar.
Ku do të na çojë kjo logjikë? Edhe në politikë, burra të djathtë e të majtë gjithnjë shprehen me fjalë përçmuese për koleget kundërshtare. Konsideroj që politika në shoqërinë shqiptare ka majën e majave, në mungesë të një tribune dinjitoze për të tjerë përfaqësues të shoqërisë si artistë, shkrimtarë, akademikë, sportistë, ndaj reflektorët e ndezur aty bëhen shembuj të mirë e të këqinj për të gjithë. Kujtoj fjalorin e përdorur ndaj grave të Partisë Socialiste dhe të opozitës që u futën pak kohë më parë në greve urije. Ende pa u fshirë llumi i hedhur mbi një vendim të tyrin, vjen dënimi me ligj i denoncimit që një grua bën ndaj një burri, një ministri të Shtetit.
Mos harrojmë që jemi ende vendi ku gra të vrara e të zhdukura barbarisht kanë mbetur ende pa marrë të drejtën minimale: burgosjen e ekzekutorëve të tyre. Media dhe gjykatat, gazetarë e gjykatës duhet të jenë në krah për një shoqëri më të mirë dhe jo kundërshtarë. Kemi shumë për të bërë të gjithë për këtë shoqëri dhe guri i vënë në kështjellën e Drejtësisë për çështjen e ish-ministrit të Kulturës, është gurë që duhet rregulluar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›