E Diel, 1 Nëntor 2026

Armiq në pension

Franco (emri jo i vërtetë i gazetarit italian) nuk kishte ndërmend të qëndronte më gjatë në takimin e Gazetarëve në qytetin Mesjetar në zemër të Apenineve. “Festivalet, çmimet, janë gjërat më të panevojshme për gazetarët, - thotë - por gjithësesi, dhe po të mbetesh larg tyre, humb kontaktet me ata kolege që në kriza e në zona të nxehta në glob i takon përherë dhe bën pjesë në marrëdhëniet publike e në këmbimin e pikëpamjeve. Ka një barrierë: Ti në kërkim të lajmit e ata në kërkim të hotelit më komod...” Por njihet kjo puna e “ të dërguarve të luftës”, sidomos ata italianë. Nuk do të qëndronte në debatin për Ballkanin, por vendosi të rrinte : “Këtu janë të gjithë antishqiptarë, - tha, - asnjëri s’ka qëndruar më shumë se 3 ditë në Tiranë a Kosovë, por pretendojnë të gjykojnë e të analizojnë. Duhet të qëndroj. Moderatori e hapi diskutimi me “trishtimin” e madh se pse Ballkani nuk përbën më lajm për gazetat e kronikat italiane. “E’ scomparso (është zhdukur)”, dhe duke pritur një përgjigje nga Franco për këtë gjë: “Nuk është prezent në mediat italiane, sepse në Ballkan nuk ka më luftë. Po punohet. Po integrohen”, u përgjigj mes të tjerave miku im. Të tjerë pjesëmarrës në debat mendonin se deri tani në Ballkan janë mbyllur dy pjesë të filmit të tmerrshëm dhe pritet të luhet pjesa e tretë e frikshme. Një orator i moshuar në panel, që veç moshës dhe këmbës së thyer, s’kishte gjë tjetër për t’u respektuar, dëshmoi se “kishte qenë në Tiranë para pak ditësh, për punë Teatri dhe kishte konstatuar “se të rinjtë aty ishin “trutharë” dhe se muzeumi i Enver Hoxhës ishte shndërruar në një lloj supermarketi ku shitej gjithçka...Nuk kam parë njerëz që urrejnë kaq shumë të kaluarën e tyre”, deklaroi duke turfulluar e duke treguar se s’dinte asgjë për karakteristikën autoshkatërruese që ne shqiptarët mbartim në shekuj. Klima nuk ishte pozitive, veç Francos që insistonte të thonte se “të rinjtë shqiptarë kanë mbi shpatulla detyra më të vështira se të rinjtë italianë e evropianë, si për shembull të punojnë e të mbajnë prindërit e tyre, të tjerët, nuk përmbanin simpatinë për popuj të tjerë si sllovenët, kroatët, grekët... “Ata indinjohen dhe po i thirre ballkanas” sqaroi moderatori, një gazetar me emër në RAI. Fotoreporteri franco-slloven, i pranishëm në panel, nënqeshte me përkufizimet qesharake të gazetarëve europianë. “Po ndjek ndeshjen SHBA-Slloveni, - tha, - nuk ka të mirë e të këqinj në Ballkan, mos u përpiqni të bëni përkufizime”. Debati përfundoi në një klimë jo të mirë. Jashtë teatrit antik, na priste një nga ish-ambasadorët italianë në Tiranë, i cili kishte dëgjuar qëndrimet antishqiptare. “Në Shqipëri kam miq të mirë, - u tha të gjithëve – dhe nuk më harrojnë”. Në fakt ish-ambasadori ka qenë nga ata që dëshironte ta njihte Shqipërinë e jo ta paragjykonte siç shumë të huaj kanë bërë.
Urojmë që këtë verë të kemi një tjetër lajm të mirë: Një burrë i mençur, vlerësues i Shqipërisë dhe çështjes shqiptare përgatitet të vijë në Tiranë në një post të rëndësishëm. Shqipëria ka nevojë për miq të tillë, pa gazetarët, për të cilët po flas, shpejt dalin në parapension, bashkë me mendimet e tyre antishqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›