E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngrihet komiteti qeveritar i emergjencave. Shtatë ministra nën urdhrat e Lulëzim Bashës

Situata e jashtëzakonshme e krijuar në veri të vendit si rezultat i përmbytjeve detyroi dje Kryeministrin Berisha të mbledhë Këshillin e Ministrave për të krijuar edhe komitetin ndërministror të emergjencës civile. Kreu i qeverisë theksoi se ky komitet do të drejtohet nga ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, dhe do të hartojë një plan për përballimin e situatës në veri të vendit me sukses. Berisha gjeti rastin t’u bënte edhe njëherë thirrje banorëve të zonave të përmbytura që të largoheshin me urgjencë nga shtëpitë e tyre, si dhe për t’iu përgjigjur Presidentit Topi, duke sqaruar se alarmi i dhënë prej tij është real.
Situata
“Jemi para një situate emergjente reale”, theksoi Berisha në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë. Sipas tij, katastrofa po qëndron mbi banorët e kësaj zone si shpata e Demokleut. Duke theksuar faktin se ai nuk ishte një natyrë që lëshonte thirrje pesimiste, Berisha tha se situata aktuale ishte e rëndë dhe për pasojë sensibilizimi ishte i domosdoshëm. Nisur nga situata, Berisha bëri thirrje të fortë për të gjithë banorët e prekur nga përmbytjet të evakuoheshin pa humbur kohë. Sipas Kryeministrit, evakuimi i plotë duhet të bëhet edhe në zonën e Nënshkodrës. “Forcë e madhe mbeten digat dhe liqenet. Ndaj me çdo kusht të evakuohet zona e Nënshkodrës dhe të merren në konsideratë Velipoja e rrethinat”, paralajmëroi Berisha.
Kryeministri kërkoi nga ministri i Mbrojtjes, Imami, evakuimin total të njerëzve në të gjitha zonat e prekura. Sipas tij, nuk mund të lejohej humbja e jetëve njerëzore, si pasojë e mosevakuimit të tyre. “Kjo situatë do të kapërcehet, por është e rëndësishme ta kapërcejmë pa humbje jetësh njerëzore dhe me dëme sa më minimale”, theksoi Berisha. Kryeministri gjithashtu bëri një përmbledhje të të dhënave që ai dispononte në orët e para të mëngjesit, duke deklaruar se në Nënshkodër dhe në Qarkun e Lezhës janë rreth 1200 hektarë të mbuluar nga uji dhe si pasojë ka shumë dëme materiale. Po kështu Berisha theksoi se situatën e përmbytjeve në veri e bëri edhe më kritike dalja e detit Adriatik në zonën e Lezhës.
Komiteti
Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, u caktua dje në krye të komitetit ndërministror të emergjencës civile, organ ky i cili brenda pak ditësh do të dorëzojë edhe planin për kapërcimin e gjendjes kritike në veri të vendit, si rezultat i përmbytjeve. Në përbërje të këtij komiteti u caktuan dje edhe shtatë ministra të tjerë të kabinetit, të cilët do të përcaktojnë masat për secilën nga fushat që mbulojnë, si energjetika, transportet, financat, mbrojtja, bujqësia dhe arsimi.
Kryeministri Berisha përcaktoi dje në mbledhjen e qeverisë detyrat për secilën ministri dhe theksoi se masat duhet të merren menjëherë për të mos sjellë vonesa dhe përkeqësuar situatën kritike. Po kështu, Berisha deklaroi se komiteti ndërministror do t’i japë medias të gjithë informacionin e detajuar në lidhje me situatën në mënyrë periodike. Kreu i qeverisë i ftoi mediat të ishin objektive në pasqyrimin e situatës dhe, nga ana tjetër, theksoi se puna e tyre ishte e pazëvendësueshme në situata të tilla emergjente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›