E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduken dy gjimnaziste për 24 orë

• KORÇE - Dy gjimnaziste të vitit të parë u larguan prej më se 24 orësh nga shtëpia, duke u zbuluar nga policia e Korçës pas kërkimeve intensive.Sipas policisë, dyshohet se 15-vjeçaret, shoqe me njëra-tjetrën, mund të kenë rënë pre e shfrytëzuesve të trafikut, të cilët në momentin kur u gjet vendndodhja e të miturave i kanë lënë të lira. Familjarët e tyre kanë treguar se prej mesditës së të mërkurës vajzat kishin dalë nga shtëpia, duke deklaruar se do të shkonin te banesat e njëra-tjetrës. Por, pasi prindërit janë interesuar nuk i kanë gjetur. Ata kërkuan ndihmën e policisë për të zbuluar se ku ndodheshin vajzat. Menjëherë u dha informacioni te policitë e rretheve fqinje dhe pikave kufitare, ndërkohë që u kontrolluan të gjitha banesat e hotelet e dyshuara. U arrit të identifikohej identiteti i personave me të cilat shoqëroheshin 15-vjeçaret, të cilët mbrëmjen e së enjtes i kanë lënë ato vetëm, në mjedise publike. Njëra prej tyre deklaroi se ishte larguar me të dashurin, ndërsa tjetra me shoqen, por këto dëshmi sipas policisë dyshohet se janë dhënë nën presion nga personat me të cilët kanë qëndruar mbi 24 orë. Për këtë arsye hetimet po vazhdojnë dhe pritet që policia të shoqërojë për të marrë deklarimet e të dyshuarve. Mosha e mitur e vajzave e ka shtyrë policinë të dyshojë për një tentativë të trafikut.         j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›