Detyra për të mbrojtur grevistët, na ka lënë pa ngrënë nga 12 orë
Masat e marra nga policia për mbarëvajtjen e protestave dhe grevës të organizuar nga Partia Socialiste ka sjellë pakënaqësi te punonjësit e policisë së Tiranës. Ata shprehen se në të njëjtën kohë me grevën në bulevardin kryesor të Tiranës, po bëjnë grevë edhe ata, pasi për shkak të shërbimeve të gjata, nuk kanë kohë të shkojnë në shtëpi të ushqehen, por edhe për të ngrënë jashtë u kushton shumë. Madje, ata shprehen se atyre nuk u është dhënë asgjë për këto shpenzime që po i kryejnë çdo ditë.
Sipas tyre, që nga dita e parë e grevës, më 30 prill, e deri më sot, vazhdojnë të kenë shërbime të gjata, me qëllim mbarëvajtjen e saj. Fillimisht, shërbimet i bënin me turn 8-orësh dhe një gjysmë turni, paradite ose pasdite nga katër orësh. Të vetmit që bëjnë shërbime të tilla janë punonjësit e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Tashmë, mekanizmi ka ndryshuar dhe ata po bëjnë shërbime nga 12 orë çdo ditë. Punonjësit e policisë tregojnë se dalin që në 05:00 të mëngjesit, kur janë turn i parë dhe e lënë shërbimin në orën 17:00 të pasdites. Gjatë gjithë kësaj kohe, ata janë pa ngrënë, pa pirë, madje nuk shkojnë dot as në tualet. Gjatë gjithë kohës u duhet të qëndrojnë me “veshët ngritur” se mos ndodhë gjë nga protestuesit, apo edhe të ruajnë rendin e parandalojnë ngjarje të tjera kriminale. “Kështu, ne na duhet të qëndrojmë pa ngrënë, bashkë me grevistët. Policia nuk na jep asnjë vakt ushqimi. Para për të ngrënë ndonjë sanduiç nuk na ka dhënë. Ndërsa paratë e pakta që marrim nga rroga nuk na dalin për të ngrënë çdo ditë rrugëve, pasi na duhet të ushqejmë edhe fëmijët”, shprehet një nga oficerët e policisë, që shërben në bulevard. Kolegu i tij tregon se tashmë një ditë i lënë në bulevard, ndërsa një ditë tjetër i lënë në vende të tjera shërbimi, ku kërkohet prezenca e policisë.
“Nga ora pesë e mëngjesit jam në shërbim dhe po më bie të fikët për të ngrënë, e në orën gjashtë pasdite mbërrij në shtëpi, pasi jetoj në Bathore. Askush nuk kujtohet për ne. Të paktën të na kishin dhënë paratë e ushqimit që na takojnë, se do të ishim më ndryshe. Mendoj se policia duhet të kishte përgatitur mensa, pasi asnjë nga drejtuesit nuk rri pa ngrënë ashtu si ne”, shprehet i revoltuar një tjetër punonjës policie, që i përket Komisariatit Nr.3. Ata tregojnë se të gjitha komisariatet, bashkë me drejtorinë, janë njëlloj. “Sa herë ka luftë politike, çfarëdo të ndodhë, edhe kur njerëz të tjerë kërkojnë të drejtat e tyre me protesta, policia është gjithmonë si tabelë qitjeje. Po për ne, që jemi në diell e shi, natë e ditë në shërbim, do mendojë ndokush?!”, pyet me habi një tjetër oficer policie, që shfryn nga nervat. E teksa vazhdojnë shërbimin, të gjithë kanë vetëm një shpresë, që të ketë një zgjidhje, e ata të kalojnë në normalitet.
#