Detyrim paraqitjeje për protestuesit socialistë
Detyrim për paraqitje ka qenë masa e arrestit të dhënë për katër simpatizantët e PS-së dhënë dje nga Shkalla e Parë e Gjyqësorit të Gjirokastrës. Drejtuesi i seancës së djeshme gjyqësore vendosi të japë masën e sigurisë detyrim paraqitje dy herë në muaj për Luan Gërbin, Astrit Pashajn, Përparim Hadon dhe Novruz Shehajn. Ngjarja për të cilën edhe u ndaluan i takon tri ditëve më parë, ku gjatë një tubimi të organizuar nga PS-ja ka pasur edhe përleshje me forcat e rendit, kur turma bllokoi aksin nacional rrugor Tepelenë-Mallakastër në hyrje të qytetit të Tepelenës. Të pandehurit nuk kanë pranuar të jenë konsumues të veprës penale të bllokimit të rrugës dhe kundërshtim të forcave të policisë, duke u shprehur se ishin pjesë e një tubimi protestues, por kurrsesi konsumues të dy veprave penale. Prokurori i çështjes, Spartak çoçoli, ka kërkuar për të pandehurit masën e detyrimit të paraqitjes dy herë në muaj, nisur edhe nga fakti se personat në fjalë nuk përbëjnë rrezikshmëri shoqërore për komunitetin. Madje, të pandehurit simpatizantë të PS-së në tubimet protestuese të organizuar në Tepelenë tri ditë më parë, nuk kanë pranuar të mbrohen nga avokatë, duke e kryer vetëmbrojtjen para togave të zeza. Pas refuzimit për të pasur avokatë dhe garancisë së vetëmbrojtjes, seanca ka vijuar normalisht, ku pala akuzuese ka dhënë të gjitha argumentet të cilat janë kundërshtuar nga protagonistët e protestës socialiste. Seancën e djeshme, katër të pandehurit e kanë quajtur të montuar politikisht dhe aspak konform ligjeve në fuqi akuzën ndaj tyre, pasi, siç u shprehën vetë ata, çdokush ka të drejtë të protestojë për një kauzë në shërbim të komunitetit, sepse këtë ua lejon edhe Kushtetuta, por nga ana tjetër, ata nuk kanë pranuar të kenë qenë konsumues të ndonjë vepre penale, siç pretendonte organi i akuzës së përfaqësuar nga Spartak çoçoli. Të katër simpatizantët socialistë do të detyrohen me ligj të paraqiten dy herë në muaj në organin e akuzës.
#