E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mori ryshfet, dërgohet në qeli kryekomunari

Kryetari i Komunës së Trebinjës, Gjergji Buzo, u arrestua nga policia nën akuzën e korrupsionit pasiv

Një kryetar komune në Rrethin e Pogradecit ka përfunduar në pranga, pasi është kapur në flagrancë duke marrë ryshfet. Bëhet fjalë për kryetarin e Komunës së Trebinjës, Gjergji Buzo, i cili është arrestuar nga policia nën akuzën e korrupsionit pasiv. Kreu i komunës është arrestuar në flagrancë në momentin kur kryhej dorëzimi i lekëve të kërkuara prej tij si ryshfet në këmbim të një favori. Ka qenë denoncimi i ardhur pranë strukturave të policisë nga një ish-punonjës i administratës së komunës që ka çuar në pranga kryetarin Buzo. Burime zyrtare të policisë, pas realizimit të operacionit të koduar “Ryshfeti”, thanë se “kryetari i Komunës së Trebinjës kërkonte një shumë prej 200 mijë lekësh nga ish-arkëtari të cilin e kishte pushuar nga puna. Këtë shumë parash ai e kërkonte për t’i dhënë atij lekët e një dëmshpërblimi”. Po sipas tyre, kryetari i komunës kërkonte gjysmën e lekëve që do të përfitonte personi në fjalë, në të kundërt atij i mohohej pagesa, për faktin se kreu i komunës nuk do ta merrte parasysh vendimin e gjykatës. Sektori i Antikorrupsionit në policinë e Korçës ka arrestuar dje paradite në flagrancë kreun e Komunës së Trebinjës, Gjergji Buzo, në momentin kur ishte duke marrë ryshfetin e kërkuar prej tij.

Historia e korrupsionit

Personi që ka bërë denoncimin pranë policisë, me detyrën e ish-arkëtarit të komunës, i pushuar nga puna, i ka premtuar Buzos një pjesë të shumës që ai i kërkonte në këmbim të zbatimit të një vendimi gjykate të formës së prerë. Sipas të dhënave të hetimit të këtij rasti korrupsioni, shtetasi që ka denoncuar kryetarin e komunës, ish-arkëtari i kësaj njësie vendore, ishte pushuar nga puna pa një motivacion dy vjet më parë. Ka qenë kryetari i komunës, Gjergji Buzo, ai që ka firmosur shkarkimin e tij pa një arsye të fortë. Pas seancave të shumta gjyqësore, ish-punonjësi i larguar nga detyra me një vendim gjykate ka fituar të drejtën e marrjes së dëmshpërblimit të pagës për vitet gjatë të cilave nuk ka qenë në kushte pune. Sipas vendimit të formës së prerë të gjykatës, Komuna e Trebinjës duhet t’i paguante ish-arkëtarit një pagë në vlerë totale të dëmshpërblimit prej 400000 lekësh. Ish-punonjësi kishte kërkuar disa herë vënien në zbatim të vendimit të gjykatës, por kjo pengohej nga kreu i komunës. I dëmtuari ka ngritur pretendimin se vendimi nuk merrej parasysh nga ana e kryetarit, për faktin se ai insistonte të merrte gjysmën e shumës së parave. Skema, sipas të dhënave nga denoncuesi, ka qenë e tillë: ai duhet t’i jepte kryetarit të komunës 200 mijë lekë ryshfet për të bërë të mundur tërheqjen e parave të dëmshpërblimit. Sipas pretendimeve të ish-arkëtarit, ai nuk i ka tërhequr paratë, pasi nuk kishte paguar më parë shumën që i kërkohej nga kreu i komunës për të vënë në zbatim vendimin e gjykatës.

Arrestimi

Kryetari i komunës, Gjergji Buzo, është arrestuar në flagrancë me një shumë prej 50000 lekësh. Policia e Korçës është njoftuar më parë për vendin dhe orarin ku do të bëhej dorëzimi i një pjese të shumës, ndërkohë që menjëherë pas denoncimit telefoni i zyrtarit ka qenë në përgjim. Dje, rreth orës 10:30, ish-arkëtari është takuar me kryetarin e komunës, ku dhe i ka bërë dorëzimin e një pjese të parave që kërkoheshin në formë ryshfeti. Gjergji Buzo është arrestuar në kushtet e flagrancës, pasi kishte marrë paratë nga ish-punonjësi i pushuar nga puna prej tij. Në cilësinë e provës janë sekuestruar lekët dhe telefoni i kryetarit të komunës. Ndaj tij rëndon akuza e korrupsionit pasiv e funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›