E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali "Seksual2", denoncon policët e prokurorin ne rajon

12/03/2009  Marjola Bonnet Karagjozi padi ndaj dy policëve. “Po më bëhet presion dhe nga Prokuroria”

Si u dhunova fizikisht dhe seksualisht në komisariatin e Gjirokastrës

GJIROKASTËR - Një 26-vjeçare pretendon se është dhunuar nga policët rrugorë madje edhe seksualisht. Marjola Bonnet (Karagjozi), lindur në qytetin e Gjirokastrës dhe e martuar në Francë, ku jeton prej shumë vitesh, ka rrëfyer për gazetën “Metropol” gjithë ngjarjen e dhunshme që pretendohet se është ushtruar ndaj saj nga ana e drejtuesit të qarkullimit në Gjirokastër dhe dy vartësve të tij.

Si ka ndodhur ngjarja që juve keni mundur vetëm sot ta denonconi publikisht?

Qarkulloja me automjetin tim që e kisha sjellë nga Franca, sepse aty jetoj dhe kam ardhur në Gjirokastër tek prindërit e mi, për të kaluar disa ditë pushime. Në orën 20.00, të datës 23 shkurt të këtij viti, me automjetin tip BMË, me targa F6384VG 33, kam dalë në një prej rrugëve kryesore të qytetit. Në këtë moment më ndalon një polic rrugor, emrin e të cilit e mora vesh më pas. Ai më bëri shenjë të ndaloja dhe menjëherë më ka drejtuar sharje verbale në adresën time. Në kohën kur unë i dhashë dokumentet ai lajmëroi grupin e gatshëm, i cili mbërriti menjëherë sikur unë të isha person i rrezikshëm. E tmerruar nga ky reagim ka ngelur edhe shoqja ime Elda.

Më vonë çfarë ka ndodhur?

Ka ardhur grupi i gatshëm dhe pasi na kanë ofenduar dhe ushtruar presion, u detyruam të shkonim në komisariatin e policisë së Gjirokastrës, për të dhënë shpjegimet e nevojshme me automjetin tim, brenda të cilit hyri dhe njëri prej policëve rrugor. Ndërkohë, që shoqes time i shkulën flokët pa asnjë lloj motivi. Pasi kemi mbërritur në komisariat, të parin që ndesha ishte shefi i Qarkullimit Rrugor, Blerim Laçi, emrin e të cilit e mësova më vonë së bashku me Bardhi Binerin, policin që më ndaloi dhe kolegun e tij, Altin Çela. Blerim Laçi në kontaktin e parë më qëlloi në kokë me radiomarrësen, duke e shoqëruar me fjalë të ndyra si prostitutë, lavire, kurvë,.... Pas kësaj unë kam shkuar në ambientet e brendshme të policisë, prisja për gjobën ta firmosja prej 50 mijë lekësh. Në këtë moment polici Bardhi Bineri, më futi duart tek pjesët intime, duke më provokuar seksualisht, ndërkohë që polici tjetër, Altin Cela, më tërhoqi çantën që mbaja në krahë, duke tentuar të më merrte 500 euro që kisha aty. Pas kësaj ngjarjeje që zgjati jo më tepër se dy orë vetëm për një gjobë, jam larguar nga komisariati i policisë pa makinën time, sepse u bllokua, pa më shpjeguar saktësisht motivet.

Kur e keni bërë kallëzimin penal dhe ndaj kujt?

Në datën 25 shkurt, dita kur unë kam bërë kallëzimin penal, dy ditë pas kësaj ngjarjeje. Kallëzimin e kam depozituar në organin e akuzës për dhunë fizike dhe fyerje publike, ndaj dy policëve Bardhi Bineri me akuzën “ngacmim seksual” e “fyerje”, si dhe për Altin Çela me akuzën “grabitje të lekëve nga çanta”. Në datën 26 shkurt, automjeti im del nga mjediset e komisariatit, pasi shleva gjobën administrative që kisha marrë, kjo e shoqëruar edhe me bllokimin e patentës për 6-muaj. Disa ditë më vonë më thërret prokurori në telefon për të dëshmuar se çfarë kishte ndodhur. Kur jam paraqitur kam dhënë deklaratën me shkrim dhe duke më mbushur mendjen që të tërhiqja kallëzimin që kisha depozituar. Pra, ishte një farë lloj presioni.

Çfarë presioni, shprehuni me detaje?!

Prokurori më thoshte se nuk është mirë që e bën kallëzimin penal, është akuzë shumë e rëndë ndaj policëve dhe nëse është e rremë do të penalizohesh, si dhe të tjera. Kjo më ka skandalizuar dhe kam ngelur e habitur se si një oficer i Policisë Gjyqësore merr veprime të tilla, sepse në fund të fundit detyra e tij është të marrë në pyetje dhe jo të ushtrojë presion psikologjik. Madje, ai ka arritur të shprehet se isha në kohë të mendohesha, të tërhiqja kallëzimin penal, ndërkohë që të vazhdoja procedurat civile për bllokimin e automjetit.

Cili ka qenë momenti i dytë që u ndeshët me policët?

Duke qenë se më ishte bllokuar patenta, automjetin e drejtonte një njeriu im. Një ditë më parë, policia më ka marrë sërish nga ora 17.00 dhe më ka mbajtur në dhomat e paraburgimit deri në orën 23.00 të darkës. Arsyeja e ndalimit nga ana e policëve ka qenë sepse unë isha brenda në automjet thjesht pasagjere. Nëse do të isha, duke drejtuar makinën, atëherë pretendimi i tyre do të ishte i bazuar, por unë jam çuar në polici për një arsye që nuk qëndron.

Në polici ju ngacmuan sërish seksualisht personat e akuzuar nga juve?

Ndryshe nga radha e kaluar, ata kanë qenë shumë korrekt, por të rreptë në qëndrim. Nuk më kanë lejuar që të kontaktoja me avokatin tim, në momentin që më bënin pyetje. Kjo ishte e palejueshme dhe e pafalshme. Po mbushnin dokumentacionin për të më ndjekur penalisht. Ma merr mendja se kjo ishte një kundërpërgjigje për kallëzimin penal që bëra dhe prezenca ime aty ishte për të më bërë presion, për të më arrestuar. U detyrova që dola sot të them publikisht atë çfarë ndodhi.

Reagimi i Drejtorisë së Policisë Gjirokastër

Akuzat janë false, shtetasja kundërshtoi policët gjatë kontrollit

GJIROKASTER- Disa orë pas denoncimit publik që ndërmori shtetasja Mariola Bonnet (Karagjozi), ka reaguar në orët e para të mbrëmjes së djeshme Drejtoria e Policisë së qarkut Gjirokastër, nëpërmjet zëdhënësit Gentian Mullai. “Në lidhje me pretendimet dhe akuzat që shtetasja Mariola Bonnet (Karagjozi) ngre kundër punonjësve të policisë së komisariatit të policisë Gjirokastër sqarojmë opinionin publik se, më datë 23 shkurt të këtij viti, punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor, kanë ndaluar automjetin tip BMV, me targë 6384 VG 33, pasi ka konstatuar se qarkullonte me shpejtësi në qendra të banuara”. Po sipas deklaratës, drejtuesja e automjetit nuk ka pranuar t’u paraqesë dokumentet punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor, por i ka ofenduar. “Ndodhur në këto kushte policët e qarkullimit kanë kërkuar ndihmën e grupit të gatshëm, të cilët kanë bërë konform ligjit shoqërimin për në komisariat të shtetases së lartpërmendur, së bashku me automjetin e saj. Edhe në komisariat kjo shtetase ka vazhduar të kundërshtojë kërkesën e punonjësve të qarkullimit, për të paraqitur dokumentet e automjetit, duke pretenduar se dokumentet nuk i kam me vete, por në shtëpi”, deklaron Mullai, duke nënvizuar se, punonjësit e qarkullimit kanë bërë procesverbalin e konstatimit në bazë të nenit 178 dhe të nenit 190 të Kodit të Qarkullimit Rrugor.

Po i njëjti zyrtar ka pohuar se më datën 26 shkurt 2009, kjo shtetase është paraqitur në komisionin administrativ të seksionit të Policisë Rrugore, i cili ka marrë vendim që t’i hiqet leja e drejtimit për një periudhë 6-mujore dhe masa administrative në vlerën e 20 mijë lekëve të rinj.

“Sqarojmë opinionin publik se pretendimet e shtetases Mariola Bonnet (Karagjozi), nuk janë aspak të vërteta, pasi në të dyja rastet e shoqërimit të kësaj shtetaseje në ambientet e komisariatit të policisë, janë bërë konform ligjit dhe rregullores së policisë së shtetit dhe në asnjë rast nuk i është cenuar dinjiteti moral, ashtu sikurse pretendon shtetasja në fjalë. Policia e shtetit nuk do të stepet nga provokime dhe presione të kësaj natyre nga individë që kërkojnë moszbatimin e ligjit”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

Vetëm pak ditë më parë mediat kanë publikuar skandalin seksual, ku ishte i përfshirë ish-ministri i Kulturës Ylli Pnago. Ndërkohë ndaj tij ende nuk ka nisur një procedim penal, pasi më parë do të duhet kallëzim prej vetë vajzës, ose në të kundërt Prokurorisë do t’i duhet që të kërkojë zyrtarisht imunitetin e deputetit. Gjithsesi deri më tani Pango, skandalin e publikuar prej Top Channel e ka cilësuar manipulim mediatik dhe jo të vërtetë. Ndërsa ka kërkuar ndjesë në rastin e një dobësie, kur vajza i ka shkuar vetë në shtëpi në orën 21 të mbrëmjes. Rasti i Pangos është i pari denoncim mediatik në rang ministri. Ndërkohë që ka qenë Kryeministri Berisha, i cili ka deklaruar shkarkimin e tij nga detyra menjëherë pas publikimit të ngjarjes. Deri më tani çështja ka mbetur pezull, ndërkohë që Prokuroria ka kërkuar që vetë Pango të paraqitet me dëshirë në Prokurori për tu ballafaquar me gazetaret si dhe për të verifikuar kasetën e përgjimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›