Deutche Bank dhe Alpha Bank, 250 milion euro për qeverinë shqiptare
Shpallen bankat fituese për financimin e kredisë
TIRANE - Ministria e Financave zhvilloi tenderin për të marrë një financim prej 250 milionë euro për qeverinë shqiptare dhe Deutche Bank e Alpha Bank shpallen fituese.
Ofertës së Ministrisë së Financave iu përgjigjën 7 institucione financiare ndërkombëtare. Pas hapjes së ofertave u zhvilluan negociatat me të gjitha institucionet e interesuara dhe u bë vlerësimi i tyre.
“Në përfundim të vlerësimit, oferta më e mirë rezultoi ajo e paraqitur nga Deutche Bank dhe Alpha Bank”, tha zëdhënësja e ministrisë së Financave, Eva Simoni.
Ministria e Financave do t’i japë mandatin këtyre bankave për të siguruar financimin e kërkuar duke rekomanduar që të përfshijnë në financim edhe Bankat Raiffaisen Bank dhe Credit Swiss, të cilat kanë bërë oferta konkurruese.
Zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Eva Simoni tha më tej se, “siç kanë theksuar edhe organizatat financiare ndërkombëtare, interesimi i lartë i bankave të rëndësishme ndërkombëtare për të marrë pjesë në këtë financim, është shprehje e besimit për ekonominë dhe qeverinë shqiptare”.