Kroacia e angazhuar për përfundimin e autostradës Trans-Adriatike
Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, gjatë një takimi me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehu angazhimin e palës kroate për "përfundimin e autostradës Trans-Adriatike, që do të afrojë më shumë Europën Qendrore dhe atë Juglindore". Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, në kuadër të vizitës së saj në Kroaci, Kryetarja Topalli u prit në një takim nga Presidenti Mesiç, i cili theksoi nevojën për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. "Aty ku kalon autostrada, aty është edhe zhvillimi i vendit", tha Presidenti Mesiç. Në kuadër të intesifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, Presidenti kroat vuri në dukje se "brenda këtij viti do të hiqet regjimi i vizave mes dy vendeve". Sipas tij "duhet të shfrytëzohet çdo mjet komunikimi tokësor, ajror dhe detar për të afruar edhe më shumë dy popujt, por edhe për të rritur shkëmbimet tregëtare". "Shqipëria dhe Kroacia janë orientuar qartazi drejt NATO-s dhe BE-së dhe interesi ynë është që e gjithë Europa. Juglindore të jetë sa më shpejt pjesë e strukturave Euro-Atlantike", tha Presidenti kroat. Në këtë drejtim, ai shprehu gatishmërinë e Kroacisë "për të ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme n
ë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, në një kohë kur Kroacia është në fazën e negociatave për anëtarësim në BE". Nga ana e saj, Kryetarja Topalli u shpreh se "Shqipëria e konsideron integrimin e Kroacisë në BE, jo vetëm si një progres të këtij vendi, por edhe si një inkurajim për vendet e tjera të rajonit. Ne vlerësojmë maksimalisht rolin që shteti kroat ka luajtur në rajon. Lidershipi juaj në rajonin ballkanik sot dhe në të ardhmen është shumë i rëndësishëm", tha Kryetarja e Kuvendit.