Viktor Gjika, një kineast i jashtëzakonshëm
Një kineast i jashtëzakonshëm, intelektual i shquar, prindi i pashembullt, i cili ia përkushtoi jetën me devotshmëri e profesionalizëm familjes, artit dhe vlerave përparimtare qytetare, e ka vlerësuar Presidenti Bamir Topi regjisorin e njohur të kinematografisë shqiptare, Viktor Gjika i ndarë nga jeta mbrëmjen e kaluar në moshën 71 vjeçare. “Me hidhërim të madh mësova për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm! Në këto çaste fatkeqësie dhe dhimbjeje të thellë për humbjen e të dashurit, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit që Presidenti Topi u ka dërguar familjarëve të regjisorit dhe Artistit të Popullit, Viktor Gjika. “I bindur se i ndjeri Viktor Gjika dhe veprat e tij do të mbeten përgjithmonë të pashlyera në panteonin e kinematografisë shqiptare dhe kujtesën e artdashësve anembanë, më lejoni edhe një herë të ndaj me ju dhimbjen e rëndë njerëzore!” përfundon mesazhi i Kreut të Shtetit. Viktor Gjika me një karrierë të gjatë në fushën e kinematografisë është regjisor i shumë filmave të njohur shqiptarë, mes të cilëve përmenden "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Yjet e netëve të gjata", "Rrugë të bardha", "Rezistencë", "Gjeneral gramafoni" "Nëntori i dytë", "Njeriu me top" etj.
...