Deutche Welle: Cili është vlerësimi juaj personal për vdekjen e Presidentit maqedon Boris Trajkovski? Kryeministri Fatos Nano: Një humbje tragjike dhe e papritur. Do të na mungojë ky njeri i
Deutche Welle: Cili është vlerësimi juaj personal për vdekjen e Presidentit maqedon Boris Trajkovski?
Kryeministri Fatos Nano: Një humbje tragjike dhe e papritur. Do të na mungojë ky njeri i afërt, ky mik, personalitet, ky President europian i Maqedonisë fqinje, Presidenti i Marrëveshjes së Ohrit, Presidenti i bashkëpunimit të shkëlqyer, jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera të rajonit, pra një partner që unë e quaj të zëvendësueshëm me zor për stabilitetin e Maqedonisë dhe për reformat euro-atlantike të Ballkanit.
Deutche Welle: Z.Kryeministër, a ka rrezik që kjo të ndikojë edhe në marrëdhëniet bilaterale, në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni dhe në marrëdhëniet rajonale?
Kryeministri Fatos Nano: Doja ta përjashtoja këtë fakt për shkak të realitetit të sotëm në Maqedoni dhe të hapave progresive që janë hedhur në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të një vullneti politik që, me kontributin e veçantë edhe të të ndjerit Presidentit Trajkovski, është bërë i qëndrueshëm dhe i pranishëm në krejt spektrin parlamentar dhe të shoqërisë maqedonase dhe, aq më shumë, për shkak se aktorët kryesorë politikë të Maqedonisë fqinje janë të orientuar në mënyrë të pakthyeshme nga bashkëjetesa dhe nga integrimi.
Deutche Welle: Sot është edhe dita kur Maqedonia do të paraqiste kërkesën për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe kjo ka qënë një iniciativë shumë e përkrahur nga Presidenti.
Kryeministri Fatos Nano: Nuk mendoj se ky incident mund të shoqërohej me ndonjë incident tjetër, pra incidenti tragjik i humbjes së të ndjerit Trajkovski. Nuk besoj se iniciativa të tilla që përshpejtojnë proçesin e përafrimit dhe të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, i bëjnë keq dikujt tjetër. Pra, unë besoj se duhet parë pozitivisht si pjekuri e vendeve, institucioneve dhe e politikave të vendeve të Ballkanit për proçesin europian që do të dinamizonte të gjithë zhvillimet rajonale gjithashtu, përfshi dhe ato që lidhen me vendin tim.