Deveja si kritik letrar
Tueini për gazetarinë dhe çështje të tjera
Sherbeli është shumë i mirë për shkarpa, po për të ngrënë ai s'vlen asnjë para. Askush nuk mund të durojë shijen e tij përveç gomarit dhe bijës së tij të paligjshme, mushkës.
Po kjo nuk përbën ndonjë dëshmi për vlerën e tij ushqimore, sepse gomari me mushkën mund të hanë edhe gdhënjat e pishës, ose qymyr, ose limurishta bakri, ose tuba plumbi, ose shishe të vjetra, ose çdo gjë që t'u dalë përpara dhe ecin duke vështruar me mirënjohje, sikur të kishin ngrënë stridhe.
Mushkat, gomarët dhe devetë kanë një oreks që mund të përlajnë çdo gjë, po asgjë nuk i ngop. Njëherë, kur isha në Siri, afër burimeve të lumit Jordan, një deve mori përsipër të kujdesej për pallton time në kohën që ne po ngrinim tendat; e vështroi me një sy kritik nga të gjitha anët, me një interesim të tillë, sikur të kishte ndërmend që të qepte edhe ajo një pallto të tillë.
Dhe pasi e shqyrtoi mirë si një plaçkë për t'u veshur, filloi ta soditë edhe si një send ushqimor. I vuri këmbën dhe ngriti me dhëmbë një mëngë, duke filluar ta përtypë dalëngadalë, gjersa e kollofiti të tërë, duke hapur e duke mbyllur sytë në një farë ekstaze hyjnore, sikur nuk kishte ngrënë në jetën e vet ndonjë gjë më të shijshme se palltoja.
Pasi lëpiu buzët nja dy herë, iu përvesh mëngës tjetër. Pastaj filloi jakën prej kadifeje dhe në fytyrën e saj u duk një buzëqeshje kaq e kënaqshme, sa dukej qartë se e quante atë si pjesën më të lezetshme të palltos.
Pastaj i erdhi radha pëqisë së bashku me disa kapsule, disa hapje për kollë dhe një copë çepello fiku prej Stambolli. Pastaj, duke parë se letrat që këmbeja me gazetën ranë përdhe, përfitoi nga rasti dhe i përlau disa dorëshkrime të përgatitura për gazetat e vendit. Mirëpo tani u ntrash puna, sepse lënda e atyre artikujve ishte e rëndë e do t'i vriste barkun.
Aty kishte disa shakara që do ta bënin medoemos të qeshte aq shumë, sa t'i lëviznin dhëmbët nga vendi; po i afrohej rrezikut, po e duroi dhembjen me kurajë, derisa filloi të përtypë një nga një ata artikuj që nuk ka përtypur asnjë deve tjetër më përpara pa pësuar gjë.
Filloi të velet e të gromësijë, sytë iu mbërthyen në një vend, këmbët filluan t'i hapen, dhe brenda një çerek minute u platit përdhe si ndonjë tezgë zdrukthtari duke dhënë shpirt me një hekë të papërshkrueshme.
Unë vajta ia nxora dorëshkrimet nga goja dhe pashë se kafsha e gjorë ishte mbytur me një nga artikujt e mi më të matur dhe më të lehtë që kisha shkruar për lexuesit e gazetës.
Kur u largova isha gati të thosha se sherbeli dikujt i duket pesë ose gjashtë këmbë i lartë, me degë e fletë të përparuara sipër madhësisë së tij, po gjatësia e tij e vërtetë nuk është më tepër se dy ose dy këmbë e gjysmë.