E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testamenti i Jean Cocteau-së

Shfaqet sot, për herë të parë në kinemanë e Akademisë "Marubi", vepra e fundit filmike e poetit dhe artistit avangard, Jean Cocteau, "Testamenti i Orfeut"


Përvjetori i 120-të i lindjes duhet të jetë motivi pse Akademia "Marubi" shfaq sot një vepër nga Jean Cocteau (5 korrik 1889 - 11 tetor 1963), e fundit vepër filmike e tij, "Testamenti i Orfeut" (1960). Mbi bazën e referencës mitologjike për Trubadurin e Trakës, Orfeun, kënga e të cilit bënte për vete edhe kafshët, Cocteau do të realizonte më 1950-ën "Orfeu", një vepër të plotë filmike, që sipas kritikës dhe më e realizuara në korpusin vogël, por solid kinematografik (1930-1960) të omniartistit.


Është një kërkim i vazhdueshëm i Cocteau-së për të shprehur me një medium tjetër çështjen: Ç'është një poet? Deri ku shkon roli i poetit?
"Orfeu" (i luajtur nga shoku i tij i jetës Jean Renais) është një poemë filmike me varg të lirë, që dora dorës i lë vendin ëndrrës, makthit, humbjes, fundit të dashurisë, lëngatës së botës të së gjallëve, moçalit të tyre, gjërave të përkohshme si fama, joshja, filozofia si patericë e një vdekatari për t'i ikur sikur vetëm idesë së fëmijëve, faturave, familjes.


Këto janë fjalë, por është magjepsëse të shohësh si regjisori operon me zemrekun e surrealizmit, - ëndrrat - e fut në luftë me ëndrrat personazhin e tij jo të zakontë, e vë përballë me pasqyrat, portat prej nga hyn dhe del vdekja dhe raporti me këtë të fundit që Orfeu ndërton në jetë dhe në botën e përtejme.


"Unë nuk jam vdekja me kosë dhe qefin. Nëse do shfaqem ashtu siç më paraqesin, do të më njihnin dhe kjo do ta bënte punën tonë jo të lehtë", - thotë Vdekja në formë Princeshe, që i ka marrë poetit të shoqen, Euridiçen.


Nuk është e vështirë të shohësh tek kjo mënyrë vizuale, pararendësen e Vdekjes me kosë dhe qefin tek epoka mesjetare e "Vulës së shtatë" të Bergmanit, por vetëm kaq. Cocteau nuk ndalet.


Pasqyrat janë sekreti i sekreteve, janë dyert e Vdekjes: "Shihe veten tënde të pasqyrë, shihe jetën tënde, dhe ke për të parë vdekjen duke punuar si bletët në një zgjua qelqi", - thotë një nga personazhet më të veçantë të "Orfeut" të vitit '50-të, shoferi i vdekjes.


Të dy së bashku kërkojnë nga Orfeu jo thjesht atë vetë dhe jo thjesht mendimet e tij, sepse "një poet është më shumë se një njeri" dhe sepse "Vdekja e një poeti kërkon një sakrificë që ta bëjë atë të pavdekshëm."


Qysh në vitet '20-të, kur kinemaja franceze kishte hyrë në epokën avant-gardës, të përfaqësuar me "Qenin Andaluzian" të Bunuel-Dalisë, dhe me "Epoka e artë" apo "Toka pa bukë", po e Luis Bunuelit, në fillesë të avangardës, jo vetëm franceze, por edhe evropiane, është Jean Cocteu, regjisor me "Gjaku i një poeti" (1930).


Kishte shkruar ndërkaq "Les enfants terribles", ishte mik i surrealistëve më të shquar të kohës. Tek Gjaku i një poeti, tek E bukura dhe bisha dhe tek Orfeu, ai shfaqet me një forcë krijuese dhe brilante.


Ndërsa me "Testamentin e Orfeut" ai po i rikthehej idesë të filmit të tij të parë "Gjaku i një poeti", pavarësisht se ai vetë do të thoshte se ky film nuk ka të bëjë fare me ëndrrat, përveçse huazon prej tyre mungesën e rrjedhës logjike.


Madje, do ta quante realist stilin e "Testamentit". Cocteau është këtu njëherazi skenarist, aktor dhe regjisor. Jashtë kohës dhe realitetit rrëfen eksperiencën e një poeti të shekullit të 18-të, i cili udhëton në kohë, me qëllim gjetjen e urtësisë hyjnore.


Përkrah tij interpretojnë artistë jo aktorë, si këngëtari francez Charles Aznavour, Yul Brynner, piktori Pablo Picasso apo aktori i preferuar i nouvelle-vague-s Jean-Pierre Léaud.


Me këtë film, i cili shfaqet si çdo të enjte në orën 19.00, Akademia e Filmit dhe e Multimedias "Marubi" mbyll projeksionet për këtë vit akademik. Zgjat 93 minuta është në gjuhën frënge, me titra në anglisht.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›