E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Legjenda e pianistit" shqip në Zemun

Në Festivalin e Monodramës dhe Pantomimës në Beograd, aktori, shqiptar Dritan Boriçi, ka rrëfyer historinë e pianistit që vendos të vdesë në anije, sepse ai mendonte se artin e tij mund ta bënte vetëm në këtë shtëpi lundruese ku kishte lindur, pa zbritur në tokë. Boriçi ka interpretuar dramën e tij në teatrin "Pinokio" dhe është pritur mirë nga publiku


Beograd
Bohemi që jeton vetëm për ta treguar, për ta shitur, për ta përhapur ngjarjen e tij, "Legjendën e pianistit".


Ashtu sikurse edhe vetë personazhi, Deni Budam T. D. Lemon Nëntëqinda, aktori Dritan Boriçi, u ka sjellë në monodramë shikuesve profesionistë historinë e tij, mënyrën e dhembjes së tij dhe ndjesinë për njeriun e detit, legjendën e Jazzit, në teatrin "Pinokio" të Zemunit.


Festivali i Monodramës dhe Pantomimës ka dëgjuar një paraqitje shqip me emocion, shije dhe talent. Prezantimi i shqiptarëve, i shoqëruar me tri video të shkurtra që përcjellin skenën, me pianistin që në mënyrë të jashtëzakonshme ka sjellë përvojën e tij nga Gjermania, Genti Rushi, dhe me stilin e bukur të aktorit të njohur, është bërë të dielën dhe me këtë paraqitje është mbyllur festivali. Regjia është bërë nga Saimir Ahmeti.


Në festival janë paraqitur njëmbëdhjetë monodrama dhe aktorë pantomime dhe bindshëm më atraktivi ka qenë aktori Damir Dantes, me pantomimën e tij, "Kujtimi për të nesërmen", i cili ka prezantuar disa teatro, përfshirë Rumaninë dhe Bosnjën.


Por, edhe aktori shqiptar është duartrokitur dhe pritur mirë nga publiku në Zemun dhe është kthyer në skenë për të tretën herë për ta përshëndetur publikun. Megjithëse një pikë e vështirë për t'u luajtur, ai ia ka arritur ta menaxhojë situatën deri në fund dhe shikuesit i ka lidhur me skenën.


Historia e "Legjendës së Pianistit", e shkrimtarit Alessandro Baricco, rrëfen jetën e një personi që ka lindur në anijen "Virxhinia", por që për 32 vjet jetë nuk ka zbritur kurrë në tokë. Në atë anije ai i ka bërë njerëzit të heshtin, duke arritur që çdo histori ta kthejë në Jazz, çdo notë dhe çdo moment. Në fund, kur ai thotë se do të zbriste, fillon lufta dhe këtë nuk e kishte parashikuar.


Teksti është i thellë dhe ka një ndjesi të jashtëzakonshme, por bart edhe një histori të bukur, të çuditshme, të paimagjinueshme. Luftën e Nëntëqintës përballë mjeshtrit më të madh të Jazzit, babait të tij, i cili ngjitet në anije për të parë njeriun e detit duke luajtur. Por, ai në fund e mposht, duke kapur tingujt e tij që sapo i kishte dëgjuar.


Dritan Boriçi, është aktor i Teatrit Kombëtar të Tiranës, por me këtë vepër është paraqitur edhe në Kosovë, ku ka marrë çmimin special në festivalin ndërkombëtar të monodramës "Monoakt".


Dritani nuk ka fituar ndonjë çmim kësaj radhe, por kjo është hera e parë e një shfaqjeje në këtë festival të organizuar për 35 herë me radhë. "Kam shijuar gjuhën shqipe në pauza dhe u pritëm mirë", - ka thënë aktori shqiptar pas shfaqjes. "Është me rëndësi paraqitja jonë. Kemi treguar se dimë të bëjmë teatër.


Edhe serbët kanë ardhur në Tiranë e Butrint dhe i kemi pritur mirë, kanë pasur paraqitje të mirë", - ka theksuar ai.
Kjo vepër e Bariccos ka edhe një realizim të suksesshëm kinematografik nga regjisori italian Xhuzepe Tornatore.

Çmimet


Juria e Festivalit të Monodramës dhe Pantomimës ka ndarë çmimet e para. Studenti i aktrimit nga Beogradi, Mihail Maksimoviq, i cili ka paraqitur monodramën "Abetarja-Fjalori i Vukut" ka fituar çmimin e parë. Çmimin e dytë dhe çmimin e jurisë e ka fituar aktori Damir Dantes.
"Koha Ditore"

Testamenti i Jean Cocteau-së

Filmi që Akademia e Filmit dhe e Multimedias "Marubi" propozon për këtë të enjte të fundit të vitit akademik, është "Le testament d'Orphée" i artistit francez Jean Cocteau (1889-1963).


Në këtë film (që është dhe i fundit i realizuar prej tij) Cocteau është njëherazi skenarist, aktor dhe regjisor. Jashtë kohës dhe realitetit rrëfen eksperiencën e një poeti të shekullit të 18-të, i cili udhëton në kohë me qëllim gjetjen e urtësisë hyjnore. Jean Cocteau konsiderohet si një nga artistët e shekullit të 20-të, që mbarte shumë talente. Përveçse ishte regjisor ishte edhe poet, romancier, piktor, skenarist, skenograf dhe aktor.


Gjatë gjithë jetës së tij realizoi rreth 12 filma, të gjithë të pasur me simbolizëm dhe surrealizëm. Tashmë cilësohet si një nga regjisorët më të rëndësishëm të avantgardës kinematografike. Filmi i realizuar në vitin 1960, zgjat 93 minuta është në gjuhën frënge, me titra në anglisht.

------------------------------------------------------------------------------------------

Prezantohet monografia e Pjetër Gjokës


Në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, sot është një mbrëmje e veçantë, prezantohet monografia e aktorit Pjetër Gjoka (1912-1982), një prej figurave më të njohura të kësaj skene.


Sot, në orën 18:00, dy familjarë të aktorit, njëherazi autorë të librit, Gjovalin Gjoka dhe Gjovalin Çuni, prezantojnë "Pjetër Gjoka, 52 vjet në skenë". Me këtë rast hapet edhe një ekspozitë me fotografitë dhe disa prej kostumeve të roleve më të rëndësishëm të restauruara nga i biri, Gjovalini.

------------------------------------------------------------------------------------------

Në kinema
"Taken", një film klishe për mafien shqiptare


Çfarë do të bënte një prind nëse dikush i rrëmben vajzën? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep regjisori Pierre Morel, në filmin e tij të fundit "Taken". Për publikun shqiptar, ky film vjen këto ditë të nxehta korriku në Kinema Kristal. "Taken", nuk është thjesht aksioni i radhës që vjen nga përtej oqeanit, pasi skenaristët francezë Luc Besson dhe Robert Mark Kamen, kanë përfshirë edhe një bandë kriminale, të drejtuar nga disa të rinj shqiptarë.


Është Marku, nga Tropoja, koka e kësaj bande, që gabon në lëvizjen e radhës. Vajza që banda e tij grabit, nuk është veçse vajza adoleshente e një ish-agjenti sekret amerikan (Liam Neeson), e cila shkon për pushime në Paris. I ati do të përdorë gjithçka dhe gjithkënd për ta nxjerrë vajzën të paprekur nga kjo bandë keqbërësish.


Në "Taken" regjisori Morel ka bashkëpunuar edhe me dy aktorët shqiptarë Rubens Hyka (Leka) dhe Arben Bajraktaraj (Marku). Pa llogaritur përfshirjen e një emri të njohur të kinemasë botërore si Liam Neeson, protagonist në film. "Taken" është një film klishe për trajtimin njëlloj dhe në mënyrë të përciptë të figurës së mafiozit apo kriminelit shqiptar.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›