E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shekspiri ynë i parë

Kur diplomoheshin aktorët e parë. Bëhen këtë vit 50 vjet nga shkolla e teatrit shqiptar. Rrëfejnë Edi Luarasi dhe Mario Ashiku, dy prej të diplomuarve të parë me komedinë "Shumë zhurmë për asgjë" dhe vështirësitë e të luajturit Shekspirin.


Ashiku: "E kam pasur të vështirë me toskërishten e Nolit." Luarasi: "Mihali më kritikonte për Beatriçen


Uiliam Shekspiri është dramaturgu i kudogjendur, në çdo cep e në çdo gjuhë të botës. Shqipëria dhe shqipja jo vetëm që s'bëjnë përjashtim, por kanë edhe ato "historitë e tyre me Shekspir".


Ky emër nuk do t'i mungonte skenës së Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar). Kështu, pas "Otellos" (1953), "Gratë Gazmore të Uindsorit" (1959) dhe "Hamletit" (1960), në skenën e këtij teatri ngjitet komedia "Shumë zhurmë për asgjë". Kësaj here, aktorët janë studentë të shkollës së artit skenik "Aleksandër Moisiu". Është kursi i parë që përfundon studimet për aktrim në Shqipëri.


Deri në këtë moment, artistët profesionistë ishin shkolluar jashtë, kryesisht në shkollat e Lindjes. Të parët që nisën studimet më 1959-ën në këtë shkollë ishin Bexhet Nelku, Edi Luarasi, Serafin Fanku, Mario Ashiku, Albert Vërria, Bernard Kokalari, Aishe Stari etj.


Duke qenë se shkolla "Aleksandër Moisiu" ishte në ambientet e Teatrit Popullor, herë pas here u jepej mundësia të interpretonin role të vogla. Por, për herë të parë, këta aktorë, ende studentë, do të tregonin se çfarë ishin në gjendje të bënin, në punën e diplomës, në korrik të vitit 1963, me "Shumë zhurmë për asgjë", nën drejtimin e pedagogut Kujtim Spahivogli.


Dy prej protagonistëve kryesorë, Edi Luarasi (Beatriçe) dhe Mario Ashiku (Benedikti), pas thuajse 50 vitesh kujtojnë emocionet që i kishin mbërthyer para premierës.
"M'u desh të kapja Marion prej shpatullash e ta shkundja për ta sjellë në vete", - tregon Edi Luarasi.


Regjisori-pedagog, Kujtim Spahivogli, qysh në fillim i kishte besuar asaj rolin e skeptikes gjuhënepërkë, Beatriçe, ndërsa për Ashikun, marrja e rolit të Benediktit është një histori më vete. "Kur ndau rolet Kujtimi, mua më dha një rol të vogël, episodik; atë të Leonatit. Mirëpo ai i kishte dubluar të gjitha rolet, me përjashtim të Benediktit, që e luante Bexhet Nelku. Sepse, sipas tij, ky rol ishte vetëm për Bexhetin dhe ishte i kotë dublimi.


Unë i kërkoj që të punoj edhe unë këtë rol, ndonëse nuk jam aktor i këtij profili. Rastisi që Bexheti filloi xhirimet e filmit "Ura", dhe iku. Kështu që nisa të luaja", - kujton Ashiku.


Në morinë e kujtimeve që i ngjall kjo premierë, pedagogu i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve sot, veçon vështirësinë që ka hasur gjatë përgatitjes së rolit. Ndonëse diploma ishte prova e fundit që duhej të kalonte për t'u bërë aktor profesionist, thotë se kishte ende probleme me tekstin e shkruar në toskërisht (teksti me të cilin po punonin ishte përkthyer nga Fan Noli). "Unë edhe sot e kam shumë të vështirë të shkëputem nga gegërishtja.


Kam punuar me artikulimin, sepse më pengonin shumë strukturat veriore, mirëpo aty kishte skena ku dialogu duhej të ecte me ritëm",- rrëfen aktori, i cili në kujtesën e publikut është fiksuar me dy role të hershme në kinema, tek prodhimi shqiptaro-rus "Furtuna" dhe sidomos me rolin e Lekës tek "Toka jonë".
Të tjera probleme kishte partnerja e tij, Beatriçja (Edi Luarasi).


Ajo kujton se edhe dy javë para premierës, Beatriçja e saj nuk kishte marrë formë. "Bashkëshorti, Mihali vjen më sheh në prova dhe më thotë: "A e ke idenë se çfarë është Beatriçja e Shekspirit? Nuk kuptohet se çfarë po thua, fillo të punosh me diksionin. Çdo frazë, çdo fjalë ndaji nga njëra-tjetra. Të paktën puno që të dëgjohet fjala", - shton Edi Luarasi.


Brumin për të realizuar Beatriçen e saj, do ta merrte rastësisht nga një film hungarez. "Ishte një film që titullohej "Nata e syrit të zi".


Në një moment të filmit, brenda pak sekondash hyn dhe del një aktore, me shumë dinamikë. Shkova dhe e pashë 5 herë filmin vetëm për atë moment. Gjatë provave për shfaqjen ndryshova mizanskenën. Në këtë moment bërtiti Kujtimi: "Stooop. Kjo është Betriçja", - tha.


Dhe ajo Beatriçe do të ngjitej për shumë mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit Popullor dhe gjatë asaj vere të '63-shit edhe në shumë skena të tjera të Shqipërisë.


Vite më vonë, Mario Ashiku, tashmë si regjisor, do ta rivinte "Shumë zhurmë për asgjë" me studentët e tij. Por kësaj here, Akademia nuk gëzonte më mbështetjen e dikurshme të Teatrit Kombëtar për kostumet dhe skenografinë, dhe kështu që i duhet të përballojë vetë produksionin.


Kjo komedi, ashtu si dramaturgjia në tërësi e Shekspirit, është lënë mënjanë, ka mbi dy dekada, nga trupat profesioniste. Përkundrazi, në Akademinë e Arteve, studentët e sotëm, për hir të traditës, siç dëshmojnë më lart Luarasi dhe Ashiku, apo në shenjë rebelimi për atë që do t'i presë kur të dalin nga kjo Akademi, papunësia apo të tjera paudhësi në këtë thatësirë kulturore, një Shekspir e zgjedhin gjithmonë.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›