E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezullohen gjashtë gardianët e burgut

FUSHË-KRUJË/ Pas hetimeve rezultoi se dy nga gardianët kishin bashkëpunuar me policinë, duke u lënë të lirë


FUSHË-KRUJË - Gjashtë policë të burgut të Fushë-Krujës pezullohen nga puna, ndërsa do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë.


Komanda e burgut ka vendosur që 6 prej efektivave të saj dhe konkretisht Gentian Myrtaj, Valmir Shota, Agron Metalia, Llazi Ziba, Gentian Xhetani dhe Lulzim Sula, të pezullohen nga puna për incidentin e shkaktuar në gjendje të pirë një ditë më parë në zonën e Kurbinit. Krahas pushimit nga puna, ata do të ndiqen edhe penalisht në gjendje të lirë.


Për ngjarjen e ndodhur, 6 gardianët do të duhet që të përballen me drejtësinë me dy akuza që janë ngritur kundër tyre: "prishje e rendit dhe qetësisë publike", si dhe "kundërshtim i punonjësit të policisë".


Gardianët që shkaktuan gjithë shqetësimin, sipas procesverbalit të hartuar pas ndalimit, kishin qëlluar 8 herë në distanca kohore të ndryshme. Për këtë dëshmonin edhe gëzhojat e gjetura në vendngjarje, të cilat ishin gjithsej 8. Katër prej tyre u gjetën në brendësi të automjetit tip "Golf", ndërsa katër u gjetën jashtë.


Analizat balistike në laboratorin kriminalistik, si dhe armët e sekuestruara kanë dëshmuar se të teta predhat janë qëlluar nga e njëjta pistoletë.


Pas marrjes në pyetje, ka rezultuar se 6 prej gardianëve kanë qenë në gjendje të pirë, ndërsa dy të tjerë kanë qenë ata që kanë këmbëngulur tek kolegët e tyre që të mos qëllohej, si dhe të dorëzoheshin, pasi u është bërë thirrja për të dorëzuar armët dhe për t'i shoqëruar në polici.


Pas hetimit të kryer, polici që kishte qëlluar, Valmir Shota, ka pranuar akuzën duke theksuar se nuk mbante mend asgjë nga ngjarja, pasi ka qenë jashtë kontrollit për shkak të alkoolit. Në një gjendje të tillë kanë qenë edhe 6 kolegët e tjerë dhe si rrjedhojë janë liruar nga dhomat e izolimit në oret e para të mëngjesit.


Nga akuzat e ngritura janë përjashtuar dy shokët e tyre që u kanë bërë thirrje që të ruanin gjakftohtësinë gjatë incidentit. Megjithëse janë liruar për t'u ndjekur në gjendje të lirë, komanda e burgut i ka shkarkuar nga detyra duke u deklaruar pezullim deri në përfundim të procesit gjyqësor.


Dy ditë më parë, të tetë policët e burgut të Fushë-Krujës u përfshinë në një incident pas një dreke që kishin kosumuar së bashku në një lokal në fshatin Skuraj të Kurbinit. Kur kanë dalë nga lokali, njëri prej tyre ka qëlluar me armë dhe në momentin e ndërhyrjes nga policia, ata kanë kundërshtuar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›