UNESKO ndal punën në Gjirokastër
Dy muaj para mbylljes së projektit për rikonstruksionin e 12 objekteve monumentalë në qytetin e Gjirokastrës, UNESKO vendos të pezullojë punimet në një prej tyre, në banesën e Angonatëve.
Arsyeja e këtij vendimi të UNESKO-s është një ndërtim pa leje në brendësinë e shtëpisë që është një pengesë për ecurinë e punimeve. UNESKO ka bërë të ditur se punimet nuk do të rifillojnë deri sa të shembet objekti pa leje që ndodhet në oborrin e kompleksit të Angonatëve.
Për këtë banesë UNESCO, deri tani ka dhënë vetëm 30% të fondit prej 7.7 milionë lekësh që Ministria e Turizmit,Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka akorduar për restaurimin e kësaj banese
Drejt zhdukjes 34 ikona
Rreth 34 ikona të Muzeut "Onufri" në qytetin e Beratit, rrezikojnë të shkatërrohen përfundimisht, për shkak të lagështirës së tepërt ndaj së cilës janë të ekspozuara.
Mes këtyre ikonave janë 27 ikonat e piktorit Johan Çetiri, që datojnë në vitin 1812, 5 ikonat e Amvorit të shekullit XIX, ikona e Johan Pagëzorit e shekullit XVI dhe ikona e Shën Mërisë e shekullit të XVII. Drejtori i Muzeumeve në Berat, Kastriot Dervishi, thotë se tashmë, 3 projekte i janë përcjellë Këshillit Kombëtar të Restaurimit të Muzeumeve, për çeljen e fondeve, vlera e të cilëve shkon në 25 mijë euro.
----------------------------------------------------------------------------------------------
Beratinus vlerësohet në festivalin e filmit kristian
Dokumentari i regjisorit Ylli Pepo, "Beratinus", u vlerësua në Festivalin e pestë të Filmit Kristian të mbajtur në Bjellorusi, me çmimin e Jurisë. Pepo mori këtë çmim për shprehjen e lartë të gjuhës filmike dhe për popullarizimin e lidhjeve të religjionit me kulturën gjatë historisë së një kombi.
Çmimi që mori dokumentari me skenar të Prof. Shaban Sinanit dhe Tom Therçajt, u nderua edhe më statujën "Madona e Kristaltë", një vepër e punuar me dorë, që paraqet Marinë me Jezusin fëmijë.
Çmimin e madh të Festivalit e fitoi filmi "Rezervati Rus", i regjisorit Valeri Timoshenko, ndërsa u nderuan me çmime edhe filmat "Në thellësi të errësirës Aushvic", i gjermanit Cristof Wolf dhe "Udha e shpresës", i kanadezeve David Naglieri dhe Mark Bondinjon.