Devid Bekam, më i pasuri nga futbollistët
Dash Frashëri
Anglezi Devid Bekam, me 31 milionë euro fitime në vit, nga futbolli apo jo, është edhe më i pasuri midis futbollistëve që janë ende në aktivitet. Sipas revistës “France Football”, Bekam kaloi edhe numrin 10 të Barcelonës, Ronaldinjon, të ardhurat e të cilit arrijnë në 24.1 milionë euro në vit. Në vend të tretë ndodhet lojtari i Barcelonës, Leo Mesi, i cili fut në xhep 23 milionë euro. Pas argjentinasit vjen Kristiano Ronaldo (19,5) dhe i pesti francezi i Barcelonës, Tieri Henri me 16.8 milionw euro tw ardhura.
Ylli anglez Devid Bekam mbretëron edhe në Amerikë. Ai fiton 50 herë më shumë se paga mesatare e Major League Soccer, edhe pse niveli i pagave në kampionatin amerikan i futbollit ka një rritje prej 12 për qind duke e çuar atë në 129 395 dollarë në vit. Me 6.5 milionë dollarë të ardhura, Bekam fiton dy herë më shumë se lojtari i dytë më i paguar në ligën amerikane, futbollisti i Çikagos, Cuauhtemok Blanko (2 666 778 USD). Bekam u bashkua me Los Angeles Galaxy në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, duke sjellë një vëmendje më të madhe për futbollin amerikan. Marcelo Gallardo i D.C. United është lojtari i tretë më i paguar me 1 874 006 USD. Më pas vinë dy lojtarë të Nju Jorkut, Huan Pablo me 1 593 750 USD dhe Klaudio Reyna (1 265 000 USD). Bashkëlojtari i Devid Bekamit te Galaksi, Landon Donavon fiton 900 mijë USD. 46 lojtarë fitojnë në ligën amerikane minimumi 33 mijë dollarë, por ka edhe shifra më të ulëta. 30 futbollistë fitojnë nga 17 mijë USD, ndërsa 43 të tjerë 12 900 USD. Pagesa mesatare e llogaritur midis lojtarëve më të paguar dhe atyre që paguhen më pak arrin në 61 273 USD për 333 lojtarët e regjistruar. Në fakt, kjo përbën një rritje jo të vogël: 16 për qind më shumë se vitin e kaluar, ku mesatarja ishte 52 965 USD. Të ardhurat përfshijnë pagesat por dhe bonuset që përfitojnë lojtarët nga marketingu në vitin 2007. Bekam ka një pagesë bazë prej 5.5 milion dollarë.
Klasifikimi
1. Devid Bekam (L.A.Galaksi): 31
2. Ronaldinjo (Barcelona) : 24,1
3. Lionel Messi (Barcelona) : 23
4. Kristiano Ronaldo (Manç.United) : 19,5
5. Tieri Henri (Barcelone) : 16,8
6. Xhon Terry (Çelsi) : 13,9
7. Mikael Balak (Çelsi): 13,8
8. Ronaldo (Milan) : 13,4
9. Kaka (Milan): 12,9
10. Stivën Xherard (Liverpul): 11,8
*Shifrat janë në milionë euro
Mbret, por i papune
Midis teknikëve, Murinjo (ende pa skuadër) është në krye me 29 milionë euro, i dyti vjen trajneri i Anglisë, italiani Fabio Kapelo (14.2 milionë euro). Sven-Goran Erikson është i treti me 7.4 milionë euro.
Liga e Kampioneve, sot njihen dy gjysmëfinalistët e parë
Sot, Liga e Kampioneve do të njohë dy gjysmëfinalistet e parë, pas përfundimit të sfidave Çelsi-Fenerbahçe dhe Liverpul-Arsenal. Turqit arritën një fitore të rëndësishme në Stamboll (2-1), që komplikon jo pak punët e anglezëve të Avram Grant. Liverpuli dhe Arsenali (1-1) do të përballen për herë të tretë në harkun e tetë ditëve, ku dhe ajo e fundit në Premiership, përfundoi po 1-1. Të mërkurën do të luhen ndeshjet Mançester-Roma(ndeshja e parë, 2-0) dhe Barcelona-Shalke 04 (1-0).
Erikson: “Më bëni dhuratë Ronaldinjon!”
Trajneri Sven-Goran Erikson pranoi se ai dëshiron që pronari i Mançester Sitit, Taksin Shinavatra të blejë Ronaldinjon gjatë merkatos së verës. Sulmuesi brazilian, aktualisht i dëmtuar, mund të lërë Barcelonë gjatë verës dhe vëllai i tij, njëherësh edhe në rolin e menaxherit Roberto de Assis u pa të hynte në stadiumin e Mançester Sitit pranë drejtuesve të klubit në humbjen 2-0 me Çelsin. “Është hera e parë që unë e dëgjoj një gjë të tillë, kështu që unë shpresoj se do të jetë e vërtetë”, - tha Erikson për sportinglife.com. “Ne do të ishim të aftë të gjenim një vend për të në ekip, unë mund ta garantoj këtë. Unë do të flas në telefon me pronarët. Ishte një surprizë, por nëse ata dëshirojnë të ma bëjnë dhuratë Ronaldinjon për mua, unë do ta pranoja dhe do të isha shumë i lumtur”. Erikson ka kohë edhe për një batutë: “Unë do të isha i lumtur të merrnim edhe Kakanë në të njëjtën kohë”. Për Ronaldinjon luftojnë edhe Milani, Çelsi e Interi.
Lipi: “Interi, Juvja e re”
Marçeli Lipi thotë se ekipi i Interit të tanishëm i kujton atij Juventusin e madh, skuadër të cilin ai e drejtoi disa vite më parë. Edhe pse Interi ka vuajtur pak në javët e fundit, zikakltërit janë një diferencë të qartë prej katër pikësh prej vendit të dytë, duke dominuar një kampionat të vështirë si Seria A nga fillimi i sezonit. “Interi i sotëm ka konkretizimin dhe përqendrimin e Juves sime të djeshme, por edhe asaj më të hershme”, - tha Lipi gjatë një interviste për revistën italiane sportive “Guerin Sportivo”. “Roma është ekipi që luan futbollin më të bukur. Ajo ka luajtur me të njëjtin interpretim loje gjatë tri viteve të fundit dhe kjo parakupton shumë. Gjatë këtij viti ata kanë marrë disa lojtarë të rëndësishëm edhe për bankinën. Edhe projekti që po ndjek Fiorentina e pëlqej shumë, është i ngjashëm me ato që zbaton prej vitesh Arsenali dhe Mançesteri”. Marçelo Lipi flet edhe për ish-ekipin e tij, Juventusin. “Jam i impresionuar nga puna e bërë nga trajneri Klaudo Ranieri. Unë e pëlqej atë që shoh. Rilindja e bardhezinjve ka të bëjë me profesionializmin dhe kanë një staf teknik të shkëlqyer”.
Adriano, gol Juventusit
“Perandori” rigjeti formën dhe shijen e golit. Adriano hodhi me “mokaut” Juventusin, por atë të versionit brazilian, por jo në versionin bardhezi, por në atë të ngjyrës shege. Adriano shënoi në fitoren 3-1 të Sao Paolos (12 gola me këtë skuadër) duke i çuar kampionët e Brazilit në gjysmëfinalet e kampionatit paulist 2008.
Toti mungon kundër “Djajve të kuq”
Françesko Toti nuk do të luajë kundër Mançester Junaitid. Kapiteni i Romës kishte deklaruar më parë se mund të luante në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampioneve në “Old Traford”, por tashmë mungesa e tij është zyrtare. Numri 10 i verdhekuqve nuk është përfshirë në listën e të thirrurve nga ana e trajnerit Luçiano Spaleti, për shkak të problemeve ne kofshën e majtë. Midis 20 lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Anglisë do të jetë Alberto Akuliani, i cili mungoi në ndeshjen kundër Xhenoas (3-2) në takimin e Serisë A. Kualifikimi i Romës pas humbjes 0-2 me skuadrën e Fergusonit në takimin e parë në “Olimpiko” është thuajse i pamundur.
8 Prill 2008