E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devid Bekam, në krye të pasanikëve të futbollit

Futbollisti më i pasur nuk luan në Evropë, por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: natyrisht është Devid Bekam. Anglezi renditet i pari në klasifikimin e përvitshëm të "France Football". "Golden-boy" i Los Anxhelos Galaksi përfiton plotë 31 milionë euro në sezon. 4,2 milionë euro Bekam i përfiton nga rroga në skuadrën amerikane, 1,8 shpërblim e 25 milionë nga sponsorët dhe marketingu. Kjo është hera e parë në histori, që futbollisti më i pasur militon në një skuadër joevropiane. Mes pesë më të paguarve, tre lojtarë të Barcelonës. Ronaldinjo klasifikohet i dyti, me 24,1 milionë euro, përfitime nga të cilat 1/3 vjen nga reklamat. Edhe pse në moshë ende të re, Lionel Mesi është i treti, me 23 milionë euro. Në vendin e pestë Henri, që fiton 16,8 milionë euro në vit. I katërti (klasifikim padiskutim i merituar) është ylli i Mançester Junajted, Kristiano Ronaldo, me 19,5 milionë euro: 8,5 rrogë vjetore, 1 shpërblim për paraqitjet dhe 10 milionë nga kontrata të ndryshme për shfrytëzimin e imazhit. Sipas "France Football", për të parën herë, asnjë lojtar i Serisë A nuk ndodhet mes shtatë të parëve. I pari është braziliani i Milanit, Ronaldo, me 13,4 milionë euro, ndërsa Kaka fiton 12,9. "Pasaniku" i trajnerëve është Hoze Murinjo, edhe pse momentalisht portugezi nuk punon. Në vitin e fundit, ish-tekniku i Çelsit ka fituar 29 milionë euro. Në vendin e dytë, trajneri i "Tre Luanëve", Fabio Kapelo, me 14,2 milionë euro, ndërsa pas tij është Ferguson me 7,4. Një fakt kureshtar, shtatë trajnerët më të pasur punojnë ose kanë punuar në Premiershipin anglez.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›