Lipi: Mançester Junajted, skuadra më e mirë në botë
Trajneri kampion bote, Marçelo Lipi, nuk mendon se Roma është eliminuar nga Liga e Kampioneve. Ai mendon se skuadra e Spaletit ka ende shanse që të kualifikohet në gjysmëfinale, edhe pse do të luajnë kundër skuadrës më të mirë në botë (Mançester Junajted) dhe lojtarit më të mirë në botë (Kristiano Ronaldos). Verdhekuqtë, që do të jenë sërish pa kapitenin Françesko Toti, nisen në disavantazh pas humbjes 2-0 në takimin e parë, të luajtur në "Olimpiko". "Nëse Roma do të ketë fatin nga ana e saj dhe të shënojë një gol që në minutat e para dhe nëse futbollistët do të japin 150 për qind në fushë, askush nuk mund të thotë me siguri se si do të përfundojë ndeshja", deklaroi Lipi në një intervistë për "Gazzetta dello Sport". "Gjithsesi, Mançester Junajted është skuadra më e fortë në botë dhe Kristiano Ronaldo është lojtari më i mirë në planet". Roma ka bërë disa surpriza në edicionet e mëparshme të aktivitetit më prestigjioz për klube në Evropë. Gjatë sezonit të kaluar, ata eliminuan Lionin, ku pas barazimit pa gola në shtëpi, fituan 2-0 në fushën e kampionëve të Francës. Ndërkohë, muajin e kaluar, ata eliminuan nëntë herë kampionët e Realit të Madridit, duke fituar 2-1 të dyja takimet. "Ka ende shpresa", theksoi Lipi. "E them këtë duke kujtuar atë që Roma ka treguar në ndeshjet me Lionin dhe Realin. Por, mungesa e Totit bën që lojtarë si Daniele de Rosi dhe Simone Perrota të ngrihen në katedër dhe të provojnë të tërheqin skuadrën". Të shtunën, De Rosi tregoi aftësitë e tij si lider, duke realizuar penalltinë që i dha skuadrës fitoren 3-2 përballë Xhenoas.