Shteti shqiptar, i pafuqishëm për problemin e vizave greke
Ambasada greke nuk është përkulur as para kërkesës së shtetit shqiptar për të lejuar pajisjen me viza të boksierëve që do të merrnin pjesë në Evropian. Këtë e ka konfirmuar vetë ministri Ylli Pango, i cili e ka vlerësuar si të pafuqishme ndërhyrjen e MTKRS-së për të zgjidhur këtë situatë dhe për t‘u dhënë shansin boksierëve kuqezi të synonin pjesëmarrjen në aktivitetin kualifikues për Olimpiadën e Pekinit. Titullari i MTKRS-së ka bërë të qartë se nuk ishin marrë në konsideratë kërkesat e ministrisë, duke shënuar incidentin e radhës me përfaqësuesit diplomatikë të shtetit fqinj. "Ambasada greke nuk ka dhënë vizat në kohën e duhur, pavarësisht ndërhyrjes tonë. Ky është një rast që fatkeqësisht nuk është se nuk ka ndodhur herë të tjera. Na vjen keq që ndodh, pasi ne gjithmonë bëjmë ndërhyrje energjike, edhe nëpërmjet dikastereve të Ministrisë së Jashtme. Ky është një problem që ambasada greke duhet ta zgjidhë sa më parë", u shpreh ministri Pango para mediave, duke bërë të qartë se shteti shqiptar ishte i pafuqishëm përballë situatave të tilla. Prej vitesh është diskutuar gjatë mundësia e pajisjes me pasaporta shërbimi për sportistët cilësorë, pikërisht për të shmangur probleme të tilla, por gjithçka ka mbetur në rangun e ideve. Kjo nuk është hera e parë që sporti vuan përballë indiferentizmit të përfaqësive diplomatike në vendin tonë, si dhe të pafuqisë së shtetit shqiptar që nuk arrin të zgjidhë situatën. Pak muaj më parë, pikërisht ambasada greke në Tiranë u mohoi vizat një pjese të delegacionit shqiptar që do të merrte pjesë në Ballkaniadën që zhvillohej në shtetin fqinj. Tre sportistë dhe 6 anëtarë të stafit mjekësor u kthyen nga rruga, ndonëse ishin lajmëruar nga ambasada greke se do të merrnin vizat para mbërritjes në pikën kufitare. Ashtu si në të gjitha rastet e tjera, ambasada greke nuk ka preferuar të publikojë arsyet e vendimit, ndonëse i ka shkaktuar një dëm shumë të rëndë sportit shqiptar. Incidente të këtij lloji janë shënuar në mënyrë të vazhdueshme edhe në sporte të tjera, si mundja dhe futbolli, ndërsa duket se ky fenomen do të vazhdojë të dëmtojë tentativat e sportistëve shqiptarë për të siguruar një paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare.