Greqia "vajton" Pirro Dhimën
Skandali i dopingut, që ka përfshirë peshëngritjen greke, ka ulur ndjeshëm reputacionin e këtij sporti në vendin ballkanik. Gazeta greke, "Kathimerini", ka kujtuar me nostalgji fillimet e suksesit grek në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar himarjotin Pirro Dhima si nismëtarin e kësaj periudhe të lavdishme sportive, e cila tashmë ka përfunduar në mënyrën më të turpshme. "Epoka e artë e peshëngritjes erdhi në mënyrë të papritur gjatë Olimpiadës së Barcelonës në vitin 1992, kur Pirro Dhima, një grek i panjohur nga Jugu i Shqipërisë, fitoi medaljen e artë. Shumë shpejt, ky sport u bë një çështje kombëtare, pasi Dhima dhe një emigrant tjetër, Kaki Kakiashvili, nga Gjeorgjia, fituan medalje të arta në Atlanta dhe Sidnei. Kur Dhima mbylli karrierën e tij, duke lënë këpucët sportive në altarin ku ishte falur platforma e peshëngritjes në Olimpiadën e Athinës, shumë njerëz u përlotën", shkruhet në gazetën greke. Ndërkohë, vetë Pirro Dhima ka dalë në mbrojtje të trajnerit Jakuvu, duke vazhduar ta cilësonte si babanë e tij.