Devolli lutet edhe për pak fat në Vlorë
Devolli lutet edhe për pak fat në Vlorë
Kapiteni i gjirokastritëve, Bledar Devolli, mendon se ndeshja e së shtunës nuk do të jetë aspak e lehtë dhe kërkon përqendrim maksimal
Gjatë fazës së parë, duke përjashtuar dy ndeshjet, ku Luftëtari humbi në transfertë, e dobët është konsideruar edhe premiera me Vlorën, e zhvilluar në Gjirokastër, edhe pse vendësit fituan 3 pikët. Patjetër që ka qenë faktori psikologjik që sjell premjera në fushën tënde, ku domosdo duhet fituar. Ndryshe është tani gjendja e Luftëtarit në të gjithë aspektet.
Pra, në Vlorë nuk do të jetë një Luftëtar i ndrojtur, por një ekip prestigjioz, agresiv dhe i vendosur për të fituar me lojë cilësore. Vlora, edhe pse ndodhet në katet e poshtme të renditjes, në fushën e saj ka njohur vetëm 1 humbje, kështu që nuk është një kafshatë e lehtë për tu kapërdirë. Në këto kushte, shqiponjat duhet të shpalosin atë çfarë disponojnë për ta arritur objektivin.
Është një fillim faze, ku Luftëtari, me kujdesin e duhur mund të përlajë 9 pikë si pa u kuptuar, sepse pas Vlorës pret Kukësin për ndeshjen e prapambetur të javës së 14-të dhe pas tij pret Himarën për javën e 17-të. Pra, në harkun kohor të 8 ditëve mund të bëjë një shkëputje spektakolare nga rivalët.
Devolli Embargoja që stafi i këtij ekipi shpalli për shtypin është zbutur dhe kësisoj do të prononcohen ata pjesëtarë, të cilët do të autorizohen nga trajneri Dede. Kështu, për sot fjalën e ka pasur Bledar Devolli, kapiteni dhe lideri i Luftëtarit, figura qëndrore aktuale e futbollit gjirokastrit. Për ndeshjen në Vlorë ai thotë: Duhet ta fillojmë mbarë fazën e dytë, pra të fitojmë.
Në pamje të parë, duket një ndeshje e lehtë, por them se është një ndeshje e vështirë, sepse Vlora përbëhet nga lojtarë të rinj të shkollës vlonjate, të cilët japin gjithçka në fushë për tu afirmuar. Më gëzon fakti që do të luajmë në stadiumin Flamurtari, në një fushë të mirë, ku luhet futboll, ndërkohë që shkallët e tij ka qetësi dhe publik sportdashës.
Duke shpresuar se ekipi ynë do të bëjë atë lojë që bëri në ndeshjet miqësore në Ulqin, si dhe duke pasur edhe pak fat, them se do të fitojmë 3 pikët, që kanë vlera për renditjen dhe moralin para betejave të tjera që na presin, duke filluar nga ajo me Kukësin e vendit të dytë.