E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani sh.a. ka falimentuar prej 2 vitesh, Xhani smund të kërkojë më llogari

Nga ILIR CARA

Për ortakun e Albert Xhanit, Paro Laçi, i cili zotëron 40% të aksioneve, skuadra është e tifozëve dhe jo e individëve të veçantë. Ministria duhet falënderuar

Ish-administratori dhe aksionari me 40% te Partizani sh.a., Paro Laçi, në një prononcim për mediat dje, ka dashur të sqarojë problematikën e fundit dhe zërat që kanë lidhje me Partizanin, si dhe pozicionin e tij. Partizani ka një ecuri të mirë dhe është në rrugën e duhur për tu kthyer aty ku e ka vendin dhe padyshim jam i kënaqur jo vetëm si aksionar i shoqërisë, apo si administrator, por edhe si tifoz i kuq.

Kështu që nuk i takon askujt që të çohet e të hedhë baltë mbi këtë Partizan, i cili është në rrugën e duhur. Këtë e bën vetëm një dashakeqës i Partizanit. I konsideroj të pavend akuzat e ortakut Xhani, pasi kur nuk je i zoti të japësh, nuk duhet të kërkosh llogari. Investimet e ministrisë janë konsideruar simbolike, por sido që të jenë, ato kanë dhënë efekt, pasi Partizani po ngrihet.

Ne si aksionarë të shoqërisë nuk kemi të drejtë  ti kërkojmë llogari ministrisë, pasi shoqëria tregtare Partizani sh.a. ka falimentuar prej dy vitesh. Si rezultat i këtij falimentimi, Partizani përfundoi në kategorinë e dytë. Pikërisht në këtë moment kritik u gjend Ministria e Mbrojtjes, që falë dashmirësisë së federatës e shpëtuan Partizanin nga shkatërrimi total.

E them edhe një herë jo vetëm si aksionar, por edhe si tifoz, se ajo çfarë bëri ministria ishte hap vendimtar. E kam thënë që në kohën kur isha administrator i skuadrës se ministria është shpresa e vetme për ringjalljen e Partizanit, gjë e cila po vërtetohet tani. E konsideroj dashakeqësi që në këtëo moment ti vihen shkelma kësaj pune, prandaj edhe prononcimin e fundit të Albert Xhani e shikoj si frymë shkatërruese.

Partizani nuk është as i Albert Xhanit, as i Paro Laçit, por i tifozëve, që i gjen anembanë Shqipërisë. Pavarësisht se çfarë ke dhënë apo bërë, te Partizani nuk ka të përjetshëm, e përjetëshme është vetëm tifozeria. Tifoz bëhesh me zemër dhe një herë bëhesh i tillë, prandaj edhe Partizani është i atyre që e kanë në zemër.

Këta që përbëjnë tani Partizanin janë heronj të vërtetë dhe të gjithë duhen falënderuar, nga stafi deri te lojtarët. Padyshim meritë në këtë ringjallje ka Ministria e Mbrojtjes, që po bën gjithçka për Partizanin, ku padyshim ky ndryshim vjen nga ai vendim i marrë nga federata në fillim të sezonit,- u shpreh Paro Laçi, i cili zotëron 40% të aksioneve në shoqërinë aksionare Partizani sh.a.

Shoqëria e re Për mua Ministria e Mbrojtjes është në rrugën e duhur për rikthimin e Partizanit dhe personalsht nuk kam asgjë kundër krijimit të shoqërisë së re aksionare. Si aksionar i shoqërisë së vjetër, nëse ligji ma njeh si mua dhe Xhanit investimin e bërë, jam dakord të jem pjesë e shoqërisë së re.

Por edhe po nuk isha pjesë e shoqërisë së re, padyshim që do të jem tifoz i Partizanit, pasi e thashë e më pare, se tifoz bëhesh vetëm një herë. Prandaj, edhe ortakut tim Xhani i bëj thirrje që ta shuajmë luftën dhe, nëse kemi mundësi, të bëjmë më të mirën për Partizanin e jo të hedhim baltë. Përpos problemeve që kam, unë takohem me Albert Xhanin, madje edhe i kam kërkuar që të bashkëpunojmë dhe ta ndihmojmë edhe ministrinë në rrugën që ka nisur.

Me Bertin e kam të hapur procesin, gjyq i cili do të vijojë deri më 26 mars. Do të jemë prezent edhe në Apel, kur të shqyrtohet procesi mes ministrisë dhe shoqërisë dhe padyshim do ti bëj të ditur trupit gjykues se logoja i duhet kthyer ministrisë, pasi ajo është pronarja e vërtetë. Shoqëria ku unë dhe Albert Xhani kemi aksione, ka falimentuar dhe si e tillë nuk mund ta mbajë Partizanin,- përfundon Paro Laçi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›