Gramozi, trajneri Qirjako ka merak vetëm fushën
Trajneri kolonjar i ka testuar dje të gjithë lojtarët që ka në dispozicion dhe i ka tashmë në mendje 11 titullarët
Në pamundësi për të zhvilluar një ndeshje miqësore, trajneri i Gramozit, Ilir Qirjako, ka zhvilluar dje një test brenda grupit. Ai ka pasur në dispozicion 25 lojtarët, të cilët do të përfaqësojnë Gramozin e fazës së dytë. Edhe pse kushtet atmosferike kanë qenë tepër të vështira, loja e kolonjarëve ka qenë e pëlqyeshme.Trajneri Qirjako ka aktivizuar në 11-shin e parë këta lojtarë: në portë Metko, në mbrojtje Caka, Peçi, Lamaj dhe Ismolli, në mesfushë Çelikja, Shupe, Arapi dhe Çela, dhe në sulm dyshja Perero-Hysolli.
Gjatë pjesës së dytë ai ka bërë shumë ndryshime, duke u ndërruar vendet shumë lojtarëve. Ai ka aktivizuar në radhët e titullarëve edhe Ahmatajn, Musabelliun, Meten, Lumanin, Kodrën dhe vëllezërit Mydini. Stafi teknik ka mbetur i kënaqur nga ajo që dhanë lojtarët në fushë, edhe pse terreni nuk ishte i favorshëm, ashtu siç mund të jetë edhe të shtunën, kur pritet të zhvillohet ndeshja me Besën.
Qirjako Pas testit të djeshëm, trajneri Qirjako u shpreh: Mendoj se pas kësaj ndeshjeje e di mirë gjendjen e çdo lojtari, që mendoj të aktivizoj të shtunën. Mund të them se të ardhurit në merkato kanë treguar një nivel të kënaqshëm dhe besoj se do të na shërbejnë për pjesën e mbetur të kampionatit.
Tashmë i kam gjërat më të qarta dhe do të doja që terreni të ishte i përshtatshëm për ndeshjen me Besën, në mënyrë që të gjithë të shfaqin vlerat e tyre më të mira. Është shumë e rëndësishme që fusha të jetë në parametrat e duhur, por kjo nuk varet nga ne, pasi reshjet e dëborës janë të vazhdueshme. Le të shpresojmë që të pushojnë dhe ndeshja e së shtunës, që pritet me aq interes nga të gjithë në Ersekë, të zhvillohet.
