E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, mbrojtja vë në vështirësi trajnerin File

Nga Elton Karaj

Për prapavijën janë në garë 8 futbollistë për 4 vende, kurse në mesfushë dikush duhet ti lërë vendin Bylykbashit. Sulmi mbetet në dorë të Galicës

Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga ndeshja hapëse e fazës së dytë, që Elbasani do të luajë në fushën e tij, ku do të presë Skraparin, trajnerët File dhe Dosti e kanë skicuar formacionin, që do të zbresë në fushë të shtunën. Ardhja e disa futbollistëve cilësorë, të cilët i janë bashkuar grupit të fazës së parë, ka krijuar problem për stafin teknik të verdhebluve.

Porta dhe mbrojtja Dy portierët Ruçi dhe Toçi kanë bërë një paraqitje të mirë dhe mes tyre mund të ketë rotacion edhe në vazhdim të kampionatit. Më shumë alternativa ka në repartin e mbrojtjes, ku të gatshëm për të luajtur titullarë janë 8 futbollistë. Vendin të sigurt duket se e ka vetëm Ardi Sekseni, pasi ka treguar një nivel të lartë në 15 ndeshjet e fazës së parë, duke qenë një pikë kyçe në prapavijë.

Mbetet për tu parë cili do të luajë përkrah tij në qendër të mbrojtjes dhe dy krahët. Trajneri File ka aktivizuar më parë Merxhën nga e djathta dhe Kaçulin nga e majta, por tashmë ai ka në dispozicion edhe Mërtirin, Dushkun dhe Mehmetajn, të ardhur në merkaton dimërore. Ata e kanë shtuar së tepërmi konkurrencën në këtë repart, duke ia vështirësuar zgjedhjet stafit teknik.

Mesfusha Në mesfushë mendohet që ndryshimi i vetëm të jetë aktivizimi i Dorian Bylykbashit, sepse Gava, i cili mendohej i larguar, ka qëndruar edhe për fazën e dytë. Gjatë fazës së parë në mesfushë kanë luajtur Gava, Hila, Mateo Toçi, Dalipi dhe Kuçi, ndërsa tani njëri prej tyre duhet të ulet në stol për tia lënë vendin Bylykbashit.

Për këtë do të vendosë pa dyshim trajneri File, që ka gjithashtu në dispozicion edhe Mustën e Olatunjin. Musta luan në të majtë të mesfushës, por gjatë fazës së parë është aktivizuar edhe si mbrojtës i këtij krahu në raste emergjence. Edhe nigeriani Olatunji mbetet një alternativë dhe trajneri File mund ti besojë shpejtësisë së tij.

Sulmi Sulmi verdheblu nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Titullar do të jetë shkodrani Elhan Galica, i cili ka treguar se është një lojtar me peshë për këtë skuadër. Ai është golashënuesi më i mirë i saj dhe pritet të luajë një rol të rëndësishëm edhe në gjysmën e dytë të kampionatit. Tashmë Galica do të ketë edhe mbështetjen e Bylykbashit, një lojtar me shumë përvojë dhe me klas të alrtë.

3 mbrojtës

Janë afruar në radhët e verdhebluve gjatë merkatos së dimrit. Mërtiri ka ardhur nga Lushnja, Dushku nga Gramshi dhe Mehmetaj, që është kthyer pas aventurës së shkurtër me Apoloninë

1 rikthim

me shumë vlera për Elbasanin është ai i fantazistit Dorian Bylykbashi, i cili konsiderohet nga të gjithë si lideri i skuadrës së fazës së dytë, pavarësisht se ka një kohë të gjatë që nuk luan

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›