E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresa te Euro 2012

David Villa, Giuseppe Rossi dhe Antonio Cassano janë në mëshirë të kohës. Sulmuesit e njohur, të lënduar rëndë në fund të vitit që shkoi, shpresojnë të shërohen shpejt dhe të jenë pjesë e kombëtareve përkatëse në Euro 2012. I pari beson se do të mund ta ndihmojë Spanjën në evenimentin që mbahet në qershor. Kurse i dyti dhe i treti janë mjaft të rëndësishëm për Italinë. Prandaj, selektori Cesare Prandelli po lutet që të mund të llogaritë në ta për Evropian.

Çdo futbollist ëndërron të luajë për Kombëtaren. Ëndrrat e tyre bëhen edhe më të bukura kur bëhet fjalë për pjesëmarrje në një eveniment të rëndësishëm siç është Kampionati Evropian apo ai Botëror.

Por, jo të gjitha e kanë mundësinë ta shijojnë një ndjenjë të tillë për arsye të ndryshme. Disa nuk ftohen nga selektori e disa të tjerë janë të pafat. Rast konkret është ai i David Villas së Spanjës dhe dyshes së Italisë, Antonio Cassano dhe Giuseppe Rossi.

Kjo treshe rrezikon pjesëmarrjen në Euro 2012 për shkak të lëndimeve të rënda që pësuan me ekipet e tyre. Sulmuesi i Barcelonës e theu këmbën në Botërorin e klubeve në dhjetor dhe po e vazhdon rikuperimin. Stafi mjekësor i klubit i kishte thënë se nuk do të luajë më në vazhdim të këtij sezoni.

Po ashtu ishte në dyshim paraqitja e tij në turneun e rëndësishëm që do të mbahet në Ukrainë dhe Poloni. Mirëpo, me kalimin e kohës sa vjen e shtohet besimi se Villa do të jetë i gatshëm, së paku për Spanjën.

“Menjëherë kam thënë se do të jem gati për Evropian. Kam shpresuar se do ta ndihmoj edhe Barcelonën në fund të sezonit. Rikuperimi është duke shkuar për mrekulli”, ka thënë Villa për mediet spanjolle.

Në dyshim është edhe pjesëmarrja e sulmuesit të Milanit dhe atij të Villarrealit në Evropian. I pari pati probleme me zemrën dhe pasi u operua me sukses, ka filluar stërvitjet individuale. I dyti e ka thyer këmbën në fund të vitit që shkoi dhe do të mungojë 6 muaj.

Mjeku, i cili e operoi Cassanon, ka treguar se rehabilitimi po shkon mirë, por u duk pesimist nëse futbollisti italian mund të kthehet para qershorit. E njëjta gjë vlen edhe për sulmuesin e rrezikshëm Rossi. Përkundër këtij fakti, selektori i Italisë, Cesare Prandelli, shpreson që t'i ketë të dy lojtarët në dispozicion.

"Nuk është e rëndësishme se si janë tash, por si do të jenë pas katër muajsh. Jemi duke e ndjekur me kujdes gjendjen e tyre dhe në fund do ta dimë nëse do t'i kemi në dispozicion apo jo", deklaroi trajneri italian.

"Rossi është duke u rikuperuar dhe uroj të shërohet sa më shpejt. Jo vetëm ai. Shpresoj që në Evropian të mund të llogarisim edhe në Cassanon", shtoi ish trajneri i Fiorentinës.

Derisa futbollistët e lartpërmendur vazhdojnë rehabilitimin, Italia dhe Spanja janë në ankth. Rossi e Cassano janë mjaft të rëndësishëm për sulmin Azzurr, njëjtë si Villa për atë të 'Stuhisë së Kuqe'.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›