E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dezinformimi në Shqipëri, rreziqet nga financimet e huaja edhe në fushata

Në Shqipëri po përgatitet një projektligj që synon t’i japë formë Strategjisë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit.

Ky dokument, që përmban një sërë masash me të cilat Shqipëria duhet të luftojë dezinformimin dhe mekanizmat që përdoren nga dashakeqësit, ishte pjesë e një prezantimi në Komisionin e Ligjeve nga kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar, Erion Braçe.

“Paratë e pista natyrisht që cenojnë të drejtën e shqiptarëve për informim dhe mbi të gjitha cenojnë lirinë për t’u informuar, dhe lirinë e shprehjes,” deklaroi z. Braçe.

Sipas tij, qëllimi është ruajtja e lirisë së medies dhe e ekuilibrit mes lirisë dhe dezinformimit, duke përfshirë kontrollin e financimit të fushatave elektorale.

“Edhe fushata që shkoi ka qenë nën flukse të mëdha të parave nga burime të treta, që deri më sot nuk kanë pasur ndonjë detyrim për të bërë deklarim. Duhet që të shkojmë drejt këtij rregullimi ligjor me qëllim që të vëmë nën kontroll edhe këtë gjë. Historitë me celularin përpara, ‘ja sa lekë harxhoj unë në ditë, ja sa para më japin mua në ditë’ dhe pa asnjë detyrim të atyre që janë aty në celular për të deklaruar burimin e financimit të tyre, duhet të marrin fund me qëllim që fushatat elektorale apo zgjedhjet në tërësi të mos komercializohen,” u shpreh kryetari socialist.

Strategjia Kombëtare kundër Dezinformimit do të kalojë në seancën më të afërt plenare për miratim.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›