Putin takohet me Ministrin e Jashtëm iranian, dënon sulmet amerikane: Agresion i paprovokuar

Një ditë pas sulmeve amerikane mbi bazat ushtarake të Iranit, Presidenti rus Vladimir Putin është takuar në Kremlin me Ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Gjatë bisedës së zhvilluar me këtë të fundit, Putin i ka cilësuar sulmet ajrore të SHBA-së ndaj Iranit një “agresion absolutisht të paprovokuar”.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se “dënon me forcë” sulmet ajrore të SHBA-së mbi objektet bërthamore iraniane, duke i quajtur sulmet “një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB-së dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Ky është një agresion absolutisht i paprovokuar kundër Iranit; [nuk ka] asnjë bazë apo justifikim. Ne, nga ana jonë, po bëjmë përpjekje për t’i ofruar ndihmë popullit iranian”, tha Putin, duke vënë në dukje “marrëdhëniet e mira, të besueshme dhe afatgjata të Rusisë me Iranin”.
Nga ana e tij, ministri iranian falënderoi Rusinë për dënimin e veprimeve të Izraelit dhe SHBA-së, duke thënë se “Rusia sot është në anën e duhur të historisë dhe të drejtës ndërkombëtare”.
“Këto veprime agresive nga Izraeli dhe SHBA-të janë plotësisht të paligjshme dhe shkelin rregullat dhe normat ndërkombëtare. Ne po mbrojmë sovranitetin dhe vendin tonë, dhe mbrojtja jonë është legjitime”, tha ai.
Araghchi tha se Rusia ka qenë gjithmonë partnere e Iranit në sektorin paqësor të energjisë bërthamore dhe ka luajtur një rol pozitiv në negociatat mbi programin bërthamor të Teheranit.
“Në sferën e programit bërthamor të Iranit, Rusia ka qenë gjithmonë një partnere për ne. Ajo ndërtoi termocentralin bërthamor të Bushehrit”, tha ai.