Dhe “Azem Shkreli” shkoi te Podrimja dhe Krasniqi
Poetët Ali Podrimja dhe Nysret Krasniqi janë nderuar me çmimin e letërsisë “Azem Shkreli”. Ndonëse dikur për Podrimjen ishte një mik i shtrenjtë, tanimë i shtohet edhe një medalje që mban sërish të njëjtin emër, “Azem Shklreli”.
Këto çmime i ndau ministri i Kulturës, Valton Beqiri, i cili mes tjerash tha se këto dy çmime janë shumë të rëndësishme për kulturën kombëtare, pra për atë të Kosovës.
“Për laureimin e dy fituesve tanë, Podrimës dhe Krasniqit, jo rastësisht kemi zgjedhur ditën e 10 shkurtit, pikërisht ditëlindjen e të ndjerit, shkrimtarit tonë të madh Azem Shkreli”, - tha Beqiri.
Ndërsa kryetari i jurisë, Jusuf Buxhovi, për ndarjen e këtyre dy çmimeve tha se vepra letrare e poetit Podrimja është zë i veçantë dhe origjinal në poezinë shqipe, duke filluar që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar e deri në fillim të mileniumit të ri. Sipas tij, pas Kadaresë, poeti Podrimja është shkrimtari shqiptar më i përkthyer në gjuhët e botës.
“Ky çmim është një mirënjohje e vogël për krijimtarinë e bujshme e të jashtëzakonshme të Podrimjes”.
Buxhovi po ashtu shtoi se Ali Podrimja, si një poet me një talent të rrallë dhe të jashtëzakonshëm, luan një rol shumë të rëndësishëm në letërsinë tonë, dukë i dhënë kështu krah poezisë shqiptare.
Duke folur edhe më tej për vlerat e librit “Udha kratilike” të Nysret Karsniqit, kryetari i jurisë, Buxhovi, tha se nëpërmes interpretimit të veprës së Mitrush Kutelit, Krasniqi ka shënuar një risi dhe një model të ri të interpretimit të letërsisë, që sipas tij, mund të bëhet i nevojshëm edhe për tekstet e tjera letrare.
“Udha kratilike” e Krasniqit është studim që përmbledh problemet filozofike e teorike që nga koha e antikiteti e deri në ditët tona”, - tha Buxhovi.
Ai po ashtu shtoi se me këtë vendim të marrë tek juria ka ndikuar dëshira për të nxitur edhe më tej krijuesit e rinj, brezat e rinj, sidomos studiuesit e letërsisë, të cilët gjithmonë janë të paktë.
“Tani nuk është koha të cek shpërblime vendore dhe ndërkombëtare, por shpërblimi i “Azem Shkrelit” me të vërtetë është një shpërblim shumë i rëndësishëm dhe i veçantë për mua”, - tha mes të tjerash Podrimja, duke shtuar se poeti Shkreli për të nuk ishte vetëm poeti më i mirë, por edhe miku më i afërt i tij.
“Sa herë që rrugëtoja me të nëpër Evropë dhe kudo që shkonim bashkë, ngrinim zërin vazhdimisht për çështjen e Kosovës, sepse ne nuk ishim vetëm poetë që e donim poezinë, por kishim përkrahje edhe nga atë që e bënë luftën, që luftuan dhe ranë për këtë vend”, - tha Podrimja me rastin e ndarjes së çmimeve “Azem Shkreli”.
Ndërsa Nysret Krasniqi në fjalën e tij tha se çmimi “Azem Shkreli” jo vetëm që i bën një nder të madh, por i jep edhe një motiv shtytës që të vazhdojë edhe më tej që të kurorëzojë suksese edhe në të ardhmen.
“Më lejoni të shpreh vetëm një dëshirë me rastin e marrjes së çmimit “Azem Shkreli”. Nëse e hetoni vlerën dhe suksesin e mikut tuaj, mos ngurroni kurrë t’ia thoni, por vlerësojeni atë, sidomos nëse kemi të bëjmë me brezat e studiuesve të rinj, të cilëve u nevojitet patjetër një mbështetje e madhe dhe një përkrahje morale në të gjitha aspektet”, - tha Krasniqi.
Këto çmime u ndanë nga juria profesioniste e përbërë nga Jusuf Buxhovi (kryetar), Avdi Visoka (anëtar) dhe Arif Demolli (anëtar). Poeti Ali Podrimja i cili ishte i nominuar për këtë çmim nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës nuk kishte pasur kundër kandidat për çmimin tjetër. Për librin më të mirë të botuar brenda vitit, “Udha kratilike” e Nysret Krasniqit kishin pasur konkurrencë këta libra: “Dëshmi letrare” (Ali Aliu), “Një gomar për parlament” (Rushit Ramabaja), “Ku shkojnë ardhjet” (Jeton Kelmendi), “Ujëvarat e metaforave” (Ndue Ukaj) dhe “Kambanë zemërimi” nga (Sali Bashota).
Ndërsa fituesit e deritanishëm të këtyre çmimeve janë: Din Mehmeti e Mehmet Kraja (2004), Ibrahim Rugova e Jusuf Buxhovi (2005), Mark Krasniqi e Kujtim Shala (2006) dhe Enver Gjerqeku e Agim Deva (2007). Çmimi për veprën jetësore kap shumën prej 5000 eurosh, kurse ai për veprën më të mirë të botuar brenda vitit prek shifrën prej 3000 eurosh.