Skoriet e komunizmit
Po të lexosh a dëgjosh këto ditë mediat e shkruara e vizive lidhur me ligjin e dosjeve, bie në sy dukshëm keqardhja e disa “skorieve” të PPSH-së, gjoja për popullin e tyre, i cili paska vuajtur shumë i shkreti në të kaluarën, sidomos nga “luftërat brenda vetes”, ndaj tashmë, thonë ata, nuk është nevoja të stisen ligje të tjera që të “kujtojnë të kaluarën e hidhur”, për të cilën, ata, karafillakët e kuq, për çka hoqën shqiptarët në diktaturë bëjnë të paditurin ose përdorin shprehjet stereotipe se të gjithë shqiptarët vuajtën nga regjimi komunist, sepse të gjithë e përkrahën dhe iu nënshtruan luftës së klasave...(!!!) Pastaj bëjnë edhe moralistin, duke dhënë leksione se kush duhet ta udhëheqë këtë popull, nga sot e tutje, për të mos vuajtur prej mllefeve dhe inatet. As më shumë e as më pak, vetëm 30-40-vjeçarët, thonë ata, duhet të drejtojnë shtetin në Shqipëri, pasi vetëm të këtij brezi na qenkan më pak të politizuar e të indoktrinuar. Sepse ky brez, gjasme, nuk e ditka shumë ç’është bërë në të kaluarën dhe nuk ushqyeka inate e urrejtje për regjimin komunist... sidomos për ata që vranë, vodhën e masakruan popullin gjysmë shekulli. Ky nuk është naivitet nga ana e tyre, por një ligësi e shkallës superiore. Poshtërsi. Sepse ata kanë frikë të ballafaqohen me të kaluarën e tyre kriminale, antishqiptare dhe parapëlqejnë të drejtohen nga “erionët” e “veliajt”, 30-40 vjeçarë, që po tromaksin kalamajtë me budallaqe e tyre sa herë dalin nëpër ekranet e shumta televizive. Gdhihen e ngrysen me fjalët mallkuese për liderin e së djathtës, pa guxuar të mallkojnë, drejtpërsëdrejti, pikërisht ata që rreshtohen prapa formacionit të këtij lideri apo ndoshta që mund të rreshtohen papritur në radhët e politikëbërësve të mazhorancës në pushtet: njerëzit e shtresës antikomuniste, pronarët e ligjshëm dhe ish-të burgosurit politikë! Ky është tmerri i vërtetë i njerëzve që mbrojnë të kaluarën kriminale të komunizmit. Ulërijnë që të mos vijë kurrë ajo ditë që politikëbërja dhe vendimmarrja të jetë në duart e atyre që ata, për interesat e internacionalizmit proletar i vranë, i burgosën, i varën dhe i grabitën, ndaj e bënë edhe revolucionin komunist më 1997, menjëherë sapo doli ligji i lustracionit më 1995, i cili i përjashtonte gjinushët me shokë nga e drejta për të qenë në pushtet, ndaj edhe për tetë vjetët në qeverisje, 1997- 2005, u pasuruan me shpejtësi marramendëse, duke vjedhur çdo gjë kombëtare e private.
Në këta 18 vjet njerëzit e ndëshkuar barbarisht nga regjimi komunist vërtetuan katërçipërisht se në asnjë rast e vend nuk dhanë qoftë edhe shenjën më të vogël për revansh politik apo dëshirë për t’u hakmarrë, një shembull i shkëlqyer dhe patriotik ky para popullit të vet. Përsëri komunistët dhe pjella e tyre apo gjithkush tjetër që ka pasur e ka lidhje me të kaluarën komuniste, ndihen të pa sigurt e në beftë, sa herë gjenden përballë viktimave të krimeve të tyre, ulërijnë, pa lëvizur asnjë çast nga istikami i frikës e i urrejtjes së tyre klasore.
Ata kanë frikë, ngase Berisha, i cili ka pushtet e forcë ligjore për t’u bërë gjëmën mëkatarëve të djeshëm, një ditë prej ditësh mund të vendosë për të ndëshkuar të kaluarën, prandaj edhe e sulmojnë aq çnjerëzisht.
Megjithatë, populli shqiptar pati kohë e mundësi, në këta 18 vjet në liri, pak së paku, për të njohur e provuar drejtpërsëdrejti cilët ishin dje, ata që sunduan me zjarr e hekur bashkëkombësit e vet dhe cilët ishin dhe janë sot pikërisht ata që ia deshën dhe ia duan të mirën popullit dhe Shqipërisë.
Të jesh i lig nuk është e thënë vetëm pse ke ushtruar dhunë e terror për të realizuar qëllimet e dëshirat e tua demoniake, por edhe kur, për të zezat që ke bërë, përpiqesh po aq ligësisht e djallëzisht t’i fshehësh ato apo t’i mbrosh nga ndëshkimi... me shpresën e idiotit apo të injorantit se një ditë gjithçka mund të harrohet dhe ligësia e padrejtësia, sipas tyre, do të triumfojë përsëri si “në komunizëm”. Këta zotërinj, skorie të komunizmit, harrojnë që me sistemin e tyre gjakatar nuk ndëshkuan vetëm njerëzit që iu kundërvunë sistemit të tyre, por gjithë popullit shqiptar, ndëshkuan Shqipërinë për t’u bashkuar e për t’u integruar me vendet e zhvilluara e demokratike... Sot hidhen përpjetë sapo ndodh një fatkeqësi natyrore apo njerëzore, qoftë edhe për shkak të një qeverisje të keqe, thua se fatkeqësia më e madhe për popullin dhe Shqipërinë, në të gjitha kohërat janë këto fatkeqësi për shkak se në krye të qeverisë, fatkeqësisht, na qenka një ish-komunist që përfaqësuaka krahun e djathtë. Dhe sajojnë lloj-lloj thashethemesh e lloj-lloj inatesh, sepse si i tillë, ky ish-komunist nuk paska të drejtë morale të mbrojë të drejtat e të burgosurve politikë e të pronarëve të ligjshëm apo të kërkojë zbatimin e “lustracionit”, pasi, thonë ata, ai ka qenë vetë një nga miratuesit apo ekzekutuesit e diktaturës. Mirëpo, harrojnë se për të sulmuar një ish-komunist i cili kërkon ndershmërisht dhe me guxim ballafaqimin me të vërtetat e krimeve komuniste, duhet të kesh bërë apo të bësh, të paktën formalisht, më tepër sesa ai për dënimin e regjimit diktatorial dhe për integrimin e kundërshtarëve të dëmtuar aq shumë moralisht dhe ekonomikisht nga diktatura. Harrojnë se për të riparuar gropat e zeza të sistemit të kaluar, barbar e primitiv, si edhe pasojat që revolucioni i tyre serbo-greko-komunist i vitit 1997 la, për të cilat nuk do të ketë qeveri në botë t’i riparojë, brenda katër viteve të një legjislature, sado i pasur dhe i përparuar të jetë vendi i asaj qeverie... Harrojnë se gjysmë shekulli diktaturë dhe shkatërrim total të ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare, si pasojë e tradhtisë kombëtare dhe lakmisë për pushtet, si edhe një ’97 kobzezë për qëllimet e tyre kobzeza, ngjarjet e tjera, sado të dhimbshme të jenë, kurrsesi nuk mund të krahasohen me bëmat e tyre pushtetare, mbi pesëdhjetëvjeçare... Qajnë e ulërijnë për të ardhur me patjetër në pushtet, gjoja se do të jenë këta shpëtimtarë të së ardhmes demokratike të Shqipërisë, por harrojnë se populli dhe ndërkombëtarët i panë dhe i provuan këta bandillë gjatë 8 vjetëve që qenë në pushtet sa demokratë e përparimtarë ishin, kur, në vend që të përmirësonin imazhin e tyre të së kaluarës dhe ekonominë e vendit të rrënuar nga revolucioni i tyre komunist, përkundrazi, bënë krejtësisht të kundërtën. Thirrën në qeveri të gjithë ish-spiunët dhe marksist-leninistët e thekur dhe nisën nga e para luftën e klasave. Hoqën nga puna mijëra kundërshtarë politikë, duke i zëvendësuar ata me militantë dhe besnikë të Partisë së Punës së Shqipërisë. Organizuan vjedhjet në mënyrë të përsosur dhe brenda pak muajsh u bënë milionerë. Për tetë vjet ata krijuan klasën e tyre të miliarderëve, ndërsa ish-të burgosurit politikë, pronarët e ligjshëm dhe demokratët e Partisë Demokratike u persekutuan njëlloj si në kohën e diktaturës. Pale, kur qajnë me lot krokodili për të burgosurit politikë dhe pronarët e grabitur nga diktatura, për klerikët e masakruar, gjoja sikur Partia Demokratike dhe qeveria e saj nuk kanë bërë dhe s’bëjnë asgjë për ta dhe betohen se, nëse do të vijnë edhe një herë në pushtet, këta pasardhës dhe ish-sigurimsa dhe bij të anëtarëve të Byrosë Politike, këta antikomunistë, më në fund, do të fitojnë të drejtat e mohuara tash 60 e ca vite më parë! Por harrojnë ç’bënë gjatë 45 vjetëve në diktaturë dhe si u tallën me ta, kur ua rrëzuan me dhunë qeverinë e tyre demokratike, antikomuniste, më 1997.
Tani, që shpresat për të shpëtuar nga ndëshkimi i ligjit që ka hyrë në fuqi për lustracionin dhe dënimin e krimeve të komunizmit, i kanë mbështetur tek disa ambasadorë perëndimorë me begraund të dyshimtë, të cilët pa asnjë etikë diplomatike i fusin hundët në “problemet familjare” të shqiptarëve, pa ua kërkuar kush, kanë marrë zemër dhe po shpallin edhe sondazhe me shifra “seksi” që i nxjerrin fitimtarë në zgjedhjet e ardhshme. Gjithsesi, ata përsëri harrojnë se po nuk u distancuan nga krimet dhe vjedhjet që kanë bërë gjatë diktaturës dhe tetë viteve të tjera në pluralizëm, besa, zor se i beson më ndonjë shqiptar i ndershëm, sloganet dhe përbetimet alla komuniste të tyre.