E Diel, 1 Nëntor 2026

Vera shterron aktivitet kulturore në kryeqytet, artistët zhvendosen në bregdet bregdeti

MTKRS, edhe këtë vit braktis Tiranën, financon vetëm projektet për zonat turistike dhe bregdetare

Edhe këtë vit sezoni veror do të jetë pa aktivitete kulturore, dhe për të gjithë ata që duan të ndjekin veprimtari të tilla ato do të mungojnë. Kryeqyteti edhe këtë sezon turistik do të jetë i shkretë, pasi tashmë institucionet kulturore kombëtare i kanë

mbyllur sezonet artistike. Megjithëse gjatë vitit ato ofruan një sezon të pasur për publikun sa i takon veprave artistike që vunë në skenat e tyre, tashmë çdo gjë ka përfunduar dhe ato janë në përgatitje të sezonit të ri artistik. Në ditët e muajit gusht do të nisin aktivitetet për "Nënë Terezën", e ndërkohë që deri në atë kohë për publikun nuk do të ketë asgjë për tu argëtuar. Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, edhe këtë vit e ka braktisur Tiranën, pasi ajo ka financuar vetëm ato projekte që do të zhvillohen në zonat turistike dhe bregdetare gjatë këtij sezoni veror dhe e gjitha kjo sjell këtë shkretim të veprimtarive kulturore gjatë verës. Që në muajt e parë të këtij viti nga Ministria e Kulturës u bë e ditur se këtë vit do të financoheshin më shumë ato projekte artistike që do të ishin dhe në funksion të trashëgimisë kulturore dhe turizmit. Mbështetja që i ka bërë Ministria e Kulturës projekteve artistike, ka bërë që aktivitetet e munguara të Tiranës, të spostohen gjatë këtij sezoni në zonat turistike të vendit, mes tyre janë festivale teatrore, koncerte filarmonie apo organizime verore të filmit. Ndërkohë, për ata turistë që zgjedhin të vizitojnë Tiranën në ditët e nxehta te verës, Muzeu Kombëtar dhe Galeria e Arteve janë alternativa e vetme për sa i përket guidës kulturore të kryeqytetit. Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve që në ditët kur bëri ndarjen e buxhetit për vitin 2010, u pa që në fokus të këtij viti në buxhet më shumë para u dhanë për projektet që i takojnë artit, kulturës si dhe trashëgiminë kulturore, të cilat janë parë si prioritare nga ky institucion, por që janë në funksion të turizmit. Trashëgimia kulturore dhe turizmi kulturor, duke qenë të lidhura ngushtë, edhe investimet në secilin prej tyre duket se i shërbejnë njëri-tjetrit, pohojnë burime pranë këtij institucioni. Ashtu si çdo sezon veror kryeqytetasit, por dhe ato që këto ditë vere vijnë në Tiranë nuk do të kenë mundësi që të ndjekin veprimtari kulturore, pasi edhe këtë vit situata nuk do të ketë ndryshim. Në një situatë të tillë, e cila ka vite që ndodh duket e tashmë nuk po i bën më përshtypje atyre që janë përgjegjës të saj. Megjithëse në çdo vit sapo vjen vera të gjithë pyesin pse mungojnë aktivitetet kulturore dhe veprimtaritë artistike, e vetmja përgjigje është se ato do të zhvillohen në bregdet. Shpërndarja e projekteve, ku të mos financohen vetëm ato që janë gjatë këtij sezoni në bregdet apo zona turistike, por të ketë një shpërndarje të projekteve të cilat janë dhe në Tiranë gjatë verës do të sillte një ndryshim të kësaj situate. Në një kohë në kryeqytete të tjera të botës gëlojnë veprimtarit gjatë sezonit veror, Tirana hesht dhe nuk ka asgjë kulturore për ti ofruar artdashësve. Të vetmet vende që mund të frekuentohen veç kinemasë janë vetëm Galeria Kombëtare e Arteve si dhe Muzeu Historik Kombëtar. GKA ka kohë që nuk ka asgjë të re në sallate saj, por edhe Muzeu Historik Kombëtar tashmë ka nisur rikonstruksionin e mozaikut. I cilësuar si një prej mozaikëve, i cili ka ngjallur kureshtjen e shumë vizitorëve të huaj edhe ai këto ditë vere gjendet i mbuluar, për shkak të rikonstruksionit të tij. Në projektet e saj MTKRS, duhet të rishohë shpërndarjen financimit të projekteve kulturore, pasi gjatë këtij sezoni, kur të gjithë presin të marrin diçka ndryshe ajo që i ofrohet është vetëm një Tiranë, e cila veç pubeve apo lokaleve nuk ofron gjë tjetër.

Përgatitjet e fundit për festivalin teatror në Butrint
Festivali Ndërkombëtar i Teatrove që zhvillohet në qytetin antik të Butrintit edhe këtë vit do të mbledh artistët dhe regjisorët më të njohur. Nga data 17 korrik e deri më 23 gusht në skenën e këtij tetari do të zbresin, kryevepra të ndryshme botërore dhe vepra të njohura të autorëve tanë, të cilat do të materializohen përmes lojës së aktorëve. Organizatorët e këtij eventi kanë bërë të ditur se katër regjisor nga teatro të ndryshme evropiane do të jenë pjesë e edicionit të sivjetmë, i 11 me radhë. Stafi organizues, i cili ka në përbërje të tij dhe shumë emra të njohur të artit dhe kulturës që sot është nisur drejt Butrintit për të përfunduar gjithçka që ka të bëjë me zhvillimin e këtij festivali. Bëhet fjalë për regjisorin e njohur Aleksandër Morfov, i cili vjen për të katërtin vit në Butrint, por këtë vit me shfaqjen Ëndrra e një nate vere, shfaqja Per Gynt i Slobodan Unkovskit, i realizuar në bashkëpunim në mes tre teatrove shqiptare, atij të Shqipërisë, Shkupit dhe Teatri Kombëtar i Kosovës. Muzikali Romeo dhe Zhuljeta, është një tjetër pjesë e rëndësishme, që vjen nga regjisori dhe njëkohësisht udhëheqës artistik i operës së Budapestit. Ndërsa shfaqja e katërt është Elektra, nga Teatri Kombëtar i Rumanisë, Mihal Manjiutiu. Gjithsej janë gjashtë shfaqje, që do të jenë pjesë e këtij edicioni në Butrint. Ndërsa në një prej netëve do të jetë një mbrëmje kushtuar kompozitorit polak, Shopen, në vitin e tij në të gjithë botën. Drejtori i festivalit Alfred Bualoti, pohon se gjashtë shfaqjet e këtij festivali përbëjnë një nga programet më të mira në 11 vite në skenën e tij teatrore. Janë shfaqje të mëdha antike, që do të vijnë para publikut në ditët e muajit korrik në Butrint. Ministria e Kulturës pritet që ta mbështesë festivalin me 9 milionë lekë të reja, 3 milionë më shumë se vitin e kaluar, por Alfred Bualoti, drejtori i festivalit, shprehet se një pjesë do të investohet për ringritjen e skenës së re, por sërish ajo nuk është e mjaftueshme për një eveniment të tillë teatror. Mbështetja apo ndihma financiare që duhet të japi shteti duhet të jetë e pangurueshme. Festivali i Butrintit duhet të ketë një vend të veçantë, sepse Festivali i Butrintit është një festival me përmasa të mëdha, kështu që buxheti duhet të jetë në kohën e duhur dhe sa më shpejt, sepse sapo mbaron edicioni ne fillojmë kontaktet me trupat për edicionin e ardhshëm, sepse të gjitha kanë axhendat e tyre, premierat të gjitha kanë kalendarin e tyre, pohon Bualoti. Romeo dhe Zhuljeta pritet të jetë një nga muzikalët më të bukur me një kastë prej 70 aktorësh e figurantësh. Festivali është cilësuar një aktivitet me përmasa europiane, që tashmë ka marrë pasaportën integruese, duke hapur një dritare të vyer për gjithë komunitetin e artistëve shqiptarë si dhe duke dhënë edhe një kontribut të drejtpërdrejtë në promovimin e turizmit kulturor. Zhvilluar në një nga perlat e Mesdheut, në teatrin Antik të Butrintit, në edicionet e këtij aktiviteti, kanë marrë pjesë trupa teatrore profesioniste nga shumë vende të botës si: Anglia, Italia, Franca, Greqia, Qipro, Zvicra, USA, Polonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Serbia, Ukraina, Spanja, Hungaria, Hollanda, Suedia, Maqedonia, Kosova, Gjermania, Çekia  Nga këto vende kanë pasur fatin  të luajnë në skenën magjike të Butrintit rreth 1980 artistë, si dhe janë ndjekur nga përreth 37.500 spektatorë vendas e të huaj.


Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›