Dhe çmimin “Oscar” e fiton...

Pretendentët kryesorë për të rrëmbyer nesër në mbrëmje statujën e artë janë Natalie Portman, Colin Firth, Christian Bale, Melissa Leo, Tom Hooper e të tjerë. Nëse planifikoni një mbrëmje “Oscar”, siç është kjo e 27 shkurtit në Los Angeles, Ben di si ta shndërrojë këtë event në të paharrueshëm. 29-vjeçari, në partneritet me Reserve dhe ReserveYourNight.com, ndihmon fansat e aktorëve të famshëm të Hollywood-it, që në këtë mbrëmje speciale, të shoqërojnë filmat e nominuar për çmime, me një gotë vere para.
“Mendoj se në spektaklin që do të prezantohet nga aktorët Anne Hathaway dhe James Franco, do shohim të fitojë Colin Firth dhe Natalie Portman të rrëmbejnë trofetë. Ata janë në njëfarë mënyrë, çelësat e mbrëmjes. Sa herë që një aktor interpreton një personazh të jetës reale dhe fiton në Screen Actors Guild Awards, ai do të fitojë me siguri edhe “Oscar”-in. Kjo gjë do të ndodhë sipas meje edhe me Colin Firth. Mendoni p.sh., për Charlize Theron te “Monster” dhe Jamie Foxx në “Ray” ose Sean Penn te filmi “Milk”. E njëjta gjë vlen edhe për Colin Firth, pra tani është radha e tij. Kështu është me çmimin “Oscar”. Nuk është vetëm një rol i mirë në një film, por bëhet fjalë për kulminacion në jetën tënde artistike, për karrierën tënde. Portman ka performancën më të mirë të vitit në filmin e saj “Black Swan”, një shndërrim i paparë fizik për t’u bërë një balerinë e klasit të parë dhe gjithashtu për të portretizuar një vajzë që përpiqet të bëhet grua, duke u përballur me frikërat e saj. E dashuroj atë film. Shikoni, sa herë që një film për baletin bën 100 milionë dollarë, me siguri është i mrekullueshëm”, - thotë Lyon. Sipas tij, çmimet për rolet më të mirë dytësorë do të shkojnë për rolet luftarake. “Do shihni të fitojë Melissa Leo si dhe Christian Bale. Ndërkaq, për regjisorin më të mirë ka mundësi të nderohet Tom Hooper për filmin “King’s Speech”, i nominuar 12 herë; por mendoj se e meriton David Fincher për “The social Network”. Ky i fundit është regjisori im i preferuar”, shton më tej Ben Lyon. Unë jam i sigurt që çmimi do shkojë për regjisorin e “King’s Speech”, pasi aty bëhet fjalë për një histori të vërtetë, i drejtohet një audience disi më të vjetër, nga të cilët përbëhet edhe vetë Akademia Oscar.
Qortimet për “Oscar”
“Duket si shaka që Ryan Gosling nuk u nominua për rolin në filmin “Blue Valentin”. Edhe vetë filmi duhej nominuar”, - shpjegon Lyon. Ai thotë se nuk e kupton se si ata mund të nominojnë bashkaktoren e tij, Michelle Williams, dhe jo vetë Gosling, ndërkohë që performancat e tyre ishin kaq shumë të lidhura me njëra-tjetrën. “Mendoj gjithashtu që Mila Kunis e meritonte të nominohej për rol dytësor në filmin “Black Swan”, por ndoshta nuk ishte ende koha e saj. Megjithatë, Akademia bëri një punë të mirë duke nominuar më të mirët e më të mirëve, që nga Hailee Steinfeld, Jennifer Lawrence dhe Jesse Eisenberg, një gjeneratë e re aktorësh që këtë vit patën shansin e tyre”.
2010-a nuk ishte një vit i mirë për ata që shohin filma
“Edhe pse jemi në një sezon çmimesh, mendoj se viti 2010 nuk do të shquhet për filma. Kemi vuajtur paksa nga greva e shkrimtarëve, skenaristëve. Disa nga studiot më të mëdha që prodhojnë filma, sidomos ato që bëjnë komedi, si “The ther guys” dhe “Dinner for Schmucks”, ngelën në klasë, do të thoja. Por, në vijim, për vitin 2011 që kemi shkelur, nëse ju jeni fansa të filmave me seri (nuk mund ta kuptoj se si mund të mos jeni!), çdo njeri do ketë mundësinë të shohë “Harry Potter”, të cilit i vjen fundi. Do të jetë një ngjarje e madhe për këtë vit”, - vijon Lyon.
Pse preferohen për “Oscar” shtatzënitë, tragjeditë dhe theksi anglez?
Siç raportojnë mediat amerikane, të qenit shtatzënë në momentin e ndarjes së çmimeve gjatë ceremonisë, interpretimi i një invalidi apo homoseksuali, si dhe theksi british, janë ndër më të preferuarat e Akademisë Oscar. Hulumtimi është bërë me shifra të marra ndër vite, duke iu referuar edhe blogjeve të ndryshme në internet, ndërsa është publikuar online në faqen e ABC, rrjeti televiziv që transmeton live eventin e madh të ndarjes së çmimeve. Në historinë e këtij eventi, shembujt e aktoreve shtatzëna me “Statujën e artë” në dorë janë me të vërtetë të shumta, që nga Eva Marie Saint me “On the Waterfron”; Meryl Streep me “Sophie's Choice”; Catherine Zeta-Jones me “Chicago”; Rachel Weisz me “The constant gardener”. Mbajmë mend këtu shprehjen e cituar nga Zeta-Jones, bashkëshortja e Michael Douglas: Hormonet e mia janë shumë jashtë kontrollit për të përballuar këtë situatë. Dhe për ta konfirmuar këtë tendencë, këtë vit pretendentja kryesore e këtij trofeu është Natalie Portman me “Black Swan”, edhe ajo shtatzënë. Vijojmë më tej me rolet e invalidëve, ose dikujt që ka vështirësi fizike e psikologjike. Përmendim Dustin Hoffman me “Rain Man”; Geoffrey Rush me “Shine”, Daniel Day-Lewis me “My Left Foot: The Story of Christy Brown”. Edhe viti 2011 nuk i ka shpëtuar këtij rregulli: më i favorizuari është Colin Firth, me “King Speech”, ku interpreton një burrë që lufton me problemin që ka me të folurin. Po kështu, Akademia duket se i ka pikë të dobët çështjet e homoseksualëve. Ndoshta edhe për shkak të paragjykimeve historike, fila të tillë kanë tendencë të përfundojnë me trofe. Mjafton të sjellim në vëmendje filmat “Philadelphia”, “Boys don't cry” dhe “Milk”. Nuk mund të lëmë pas as tragjeditë. Fatkeqësitë e jetës në ekran mund të shndërrohen në një armë të fortë për të fituar “Oscar”, pasi anëtarët e jurisë prej vitesh preferojnë skenarët shumë të trishtuar. Përmendim këtu “Monster's ball”, me Halle Berry apo “Away from Las Vegas”, me Nicolas Cage. Këtë vit, seksioni i filmave tragjikë gjen një përfaqësuese të denjë tek Michelle Williams, kandidate si aktorja më e mirë me dramën bashkëshortore “Blu Valentine”, edhe pse bashkëaktori i saj nuk është nominuar, gjë që ka ngjallur kritika. Anglisht nga anglezët…Mundësia e fitores për një aktor që ka theks “british” është 47%. Nëse mendojmë për filmat “The Departed” dhe “Good Will Hunting”, ky fakt duket krejtësisht i besueshëm. Edhe këtë vit, mes filmave kandidatë është njëri që i përgjigjet kësaj kërkese, pikërisht “The Fighter”. Qershia në mes të tortës është shndërrimi i aktoreve të bukura, të cilat bëhen të shëmtuara për hir të roleve. Kujtojmë këtu Nicole Kidman në filmin “The Hours” apo Charlize Theron për “Monsters”. E dyta është preferenca për filmat që tregojnë jetën e personazheve që kanë ekzistuar vërtet, si “Erin Brockovich” dhe “The Queen”. Edhe në këtë rast, beteja e këtij viti do të jetë mes “King Speech” dhe “The Social Network”, ose më mirë, mes George VI dhe Mark Zuckerberg. Megjithatë, thuhet se fituesja e çmimet Oscar, Halle Berry, nuk ka pranuar të shndërrohet për të luajtur në filmin mbi jetën e legjendës së muzikës soul, Aretha Franklin, pasi jo vetëm i duhej të këndonte, por edhe të shëndoshej ekstremist.
Nominimet për “Oscar” 2011
FILMI MË I MIRË
- "Black swan"
- "Fighter"
- "Inception"
- "Tout va bien! The kids are all right"
- "Le discours d'un roi"
- "127 heures"
- "The social network"
- "Toy story 3"
- "True grit"
- "Winter's bone"
REGJISORI MË I MIRË
- Darren Aronofsky për filmin "Black swan"
- David Russell për filmin "Fighter"
- Tom Hooper për filmin "Le discours d'un roi"
- David Fincher për filmin "The social network"
- Joel dhe Ethan Coen për filmin "True grit"
AKTORI MË I MIRË
- Javier Bardem ("Biutiful")
- Jeff Bridges ("True grit")
- Jesse Eisenberg ("The social network")
- Colin Firth ("Le discours d'un roi")
- James Franco ("127 heures")
AKTORJA MË E MIRË
- Annette Bening ("Tout va bien! The kids are all right")
- Nicole Kidman ("Rabbit hole")
- Jennifer Lawrence ("Winter's bone")
- Natalie Portman ("Black swan")
- Michelle Williams ("Blue valentine")
AKTORI MË I MIRË NË ROLET DYTËSORE
- Christian Bale ("Fighter")
- John Hawkes ("Winter's bone")
- Jeremy Renner ("The town")
- Mark Ruffalo ("Tout va bien! The kids are all right")
- Geoffrey Rush ("Le discours d'un roi")
AKTORJA MË E MIRË NË ROLET DYTËSORE
- Amy Adams ("Fighter")
- Helena Bonham Carter ("Le discours d'un roi")
- Melissa Leo ("Fighter")
- Hailee Steinfeld ("True grit")
- Jacki Weaver ("Animal kingdom")
FILMI MË I MIRË I ANIMUAR
- "Dragons"
- "L'illusionniste"
- "Toy story 3"
FILMI MË I MIRË I HUAJ
- "Biutiful" (Meksikë)
- "Canine" ("Kynodontas", Greqi)
- "Revenge" ("Haevnen", Danimarkë)
- "Incendies" (Kanada)
- "Hors-la-loi" (Algjeri).