Libia në udhëkryq

Kryengritja në Libi po përhapet gjithnjë e më shumë dhe fundi i regjimit të Gadafit nuk duket i largët. Tanimë shtrohet pyetja: Kush do të vijë në pushtet dhe ç'të ardhme do të ketë vendi i pasur me naftë dhe gaz?
Gadafi që jo shumë ditë më parë e sulmoi opozitën si drogaxhinj dhe minj, tanimë e ka ndryshuar tonin. Në një fjalim, të cilin ai për arsye sigurie e ka mbajtur përmes telefonit në televizion, kreu i shtetit libian ka pretenduar se të rinjtë demonstrues po nxiten prej Al Kaedës. Dhe si një baba i mirë i kombit ai u ka bërë thirrje prindërve të mbajnë fëmijët në shtëpi, që të mos u ekspozohen rreziqeve të këtij ndikimi. Mos Gadafi donte të nënkuptonte më këtë se çfarë forcash do të vijnë pas tij. Si shumë veprime të tij edhe ky është i paqartë.
Fjalët e "udhëheqësit të revolucionit" siç e quan veten Gadafi, janë një shenjë se Gadafi e ndjen veten të vënë me shpatulla pas muri, megjithëse forcat e sigurisë vazhdojnë të veprojnë pa mëshirë kundër kryengritësve, të cilët prej kohësh nuk mund të quhen më demonstrues. Fundi i këtyre luftimeve nuk dihet, edhe përfundimi i tyre po ashtu.
Një gjë është e sigurt. Po qe se vendi nuk ndahet, atëherë Gadafi nuk do ta mbijetojë dot kalimin në një Libi të re dhe ndryshe.
Ai nuk mund të arratiset - pasi askush nuk do ta pranojë. Dhe në vendin e tij do të ngjiten në pushtet forca të reja, megjithëse hapat e parë në liri do të hidhen në gjurmët e lëna nga Gadafi. Në Bengazi dhe Cyrenaika në veriperëndim të vendit, si edhe në zona të tjera janë krijuar komitetet me personalitete të njohura, akademikë avokatë dhe gjykatës për t'u këshilluar për masat e nevojshme pasi ky lloj pushtetit të jetë larguar. Ka qenë ideja e Gadafit të ngrinte komitete popullore në të gjithë vendin, por me këtë ai thjesht donte të krijonte përshtypjen në popull se një demokraci bazë në vend ekzistonte.
Duhet thënë se Libia më shumë se të gjitha vendet e tjera arabe vuan nga klanet dhe pushteti i fiseve dhe ai që do të ngjitet në të ardhmen në pushtet, duhet të bëjë koalicione dhe aleanca me to. Pak shanse kanë këtu politikanët libianë në ekzil, sepse fiset që tanimë janë kundër Gadafit, do të ngrenë më shumë zërin për formësimin e së ardhmes së vendit të tyre, sesa përfaqësuesit e vendit jashtë.
Ende mbetet e hapur se në ç'drejtim do të shkojnë zhvillimet: Bengazi dhe Verilindja e Libisë kanë qenë tradicionalisht konservatore, për këtë arsye që andej mund të vijë tendenca për ta orientuar vendin drejt fesë islame, për të mos thënë drejt islamizmit. Rajonet e tjera nuk do ta pranojnë këtë tendencë aq kollaj.
Deri tani nuk ka spikatur ndonjë lider i ri dhe as ndonjë orientim i qartë i vendit. Përveçse rrëzimit të Gadafit. E paqartë është po ashtu se ç'pamje do të ketë në të ardhmen struktura shoqërore e Libisë, apo orientimi i politikës së jashtme. Edhe pse kryengritësit në këtë moment nuk e vrasin mendjen për këtë - shpejt ata do të ndërgjegjësohen se zhvillimet e ardhshme në Libi janë të pashkëputura nga përdorimi i burimeve të brendshme të naftës dhe gazit. Por për shitjen e tyre nevojiten marrëdhënie të stabilizuara me botën e jashtme. Veçanërisht me Evropën.
Pushteti prej disa dekadash i Gadafit bazohej sipas ideologjisë shtetërore tek masat popullore. Tani këto masa popullore po i sjellin fundin sistemit të Gadafit.
Muamar al-Gadafi demonstroi edhe një herë në fjalimin e tij të së martës (22.2.) në TV e Libisë një përzierje radikalizimi, çmendurie por edhe zgjuarsie të lindur, gjëra të cilat vendi dhe bota ka rreth 42 vjet që i dëgjon. Një ndër fjalitë themelore të tij është që ai nuk ka ndonjë post, pra nuk është president, por "drejtues i revolucionit" dhe për këtë nuk ka se nga ç'post të japë dorëheqjen.
Por pavarësisht si e quan veten Muamar al-Gadafi është produkt i një shoqërie të stërlashtë klanesh dhe fisesh. Ashtu si ishte edhe mbreti Idriz të cilin Gadafi e përmbysi nga pushteti në vitin 1969 pas një sundimi 18-vjeçar. Sigurisht që ishte meritë e Gadafit që e mbajti të bashkuar shoqërinë e Libisë, e cila karakterizohet nga shumë shtresa dhe interesa të ndryshme.
Gadafi, i cili i takon fisit të vogël të Gadafëve, ia doli mbanë kësaj përmes aleancave dhe pjesëmarrjes së fiseve të tjerë në pushtet. Por njëkohësisht Gadafi ishte i zoti që veten dhe disa të besuar të tij të orëve të para t'i vendoste në postet e paprekshme të udhëheqësve të revolucionit, gjë për të cilën e kishin zili edhe krerët e tjerë të shteteve arabe, të cilëve për të mbajtur pushtetin u duhej që të ndryshonin një herë në disa vjet ligjet elektorale ose t'i falsifikonin zgjedhjet.
Gadafi nuk u mor me gjëra të tilla, por shpalli si sistem shtetëror "sundimin e masave": "xhamahritë e popullit" komitete popullore të ngritura në nivele të ndryshme u krijonin rreth 6,5 milionë libianëve përshtypjen e demokracisë që rrjedh nga baza. Në të vërtetë Libia është prej kohësh një diktaturë, pa parti, pa opozitë pa medie të lira.
Pasi Gadafi hoqi dorë prej mbështetjes së hapur të terrorizmit, BE dhe SHBA nuk u interesuan shumë për gjendjen në Libi. E rëndësishme ishte që nga Libia nuk kishte ndërprerje në furnizimin me naftë dhe gaz, të rëndësishme ishin investimet e këtyre vendeve në Libi dhe kooperimi me Gadafin për të ndërprerë rrjedhën e refugjatëve afrikanë drejt Evropës.
Brenda vendit Gadafi ia dilte mbanë që ta dobësonte valën e pakënaqësisë së të rinjve duke u dhënë atyre banesa. Por në radhët e fiseve të tjera në vend pakënaqësia shtohej, dhe gjatë viteve ka pasur përleshje të armatosura dhe arrestime masive.
Aparati i ushtrisë, policisë dhe i shërbimit sekret që ka ngritur Gadafi përbëhet prej rreth 140.000 vetësh. Një aparat i madh ky në raport me popullsinë. Por me sa duket ndërkohë një pjesë e këtyre forcave duhet të kenë kaluar në anën tjetër, sepse ndryshe nuk ka si shpjegohet që Gadafi ka humbur kontrollin në Bengazi dhe Cyrenaika në Verilindje të Libisë. Po ashtu prej Gadafit janë distancuar edhe një radhë diplomatësh dhe madje edhe ministri i Brendshëm.