E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laureta Meçi, “Emri shqiptare më ndjek nga pas”

Laureta Meçi nuk është një emër i ri që çuditërisht po shndrit në skenën amerikane. Ajo është një vajzë e disiplinuar, e cila ka jetuar për disa vite në Greqi, për t’u nisur më pas drejt “tokës së ëndrrave”, Amerikë, ku edhe është shkolluar. E kemi parë të interpretojë si protagoniste në filmin “Shadow Kill”, ndërsa tani brunia e bukur jo vetëm që po punon për një rol të ri, ka realizuar një këngë të re, si dhe është imazhi i një kompanie golfi dhe veshjeve të tyre. Ajo shprehet në intervistën e mëposhtme për “Standard” se edhe pse aktron, ambicia e saj e vërtetë është muzika. “Ëndrra e “Oscarit”, sinqerisht nuk do të jetë asnjëherë në ambiciet mia. Ndoshta në “Grammy’s”. Pasi zakonisht filmat që më pëlqejnë mua janë aksion, janë fitimprurës, por zakonisht nuk nominohen. Për mua, të marr pjesë në “Grammy” është ëndërr”, - shpjegon Laureta. Sipas saj, ky është vetëm fillimi...

Laureta, “Turn around” titullohet kënga jote më e fundit. Si është pritur deri tani, mendon se do të arrijë sukseset e këngës “Respect”?

Deri tani kemi publikuar një trajler të këngës, 40 sekonda dhe është mirëpritur nga publiku. Kënga dhe videoklipi pritet të lançohet së shpejti, ndërkohë që surpriza të mëdha më presin këtë vit. Kënga është mjaft ritmike dhe ka një tekst mjaft të bukur, të shkruar nga Brian Rund, të përfshira në të edhe disa fjalë shqip, që i japin nuancë këngës.

Të kemi parë në revistën “Golf Luxury & Destinations”, edicioni për SHBA dhe Meksikën, ku ti s’ke harruar pa përmendur edhe Shqipërinë?

Po, sapo është publikuar një intervistë në revistën elitare “Golf Luxury & Destinations”, e cila del në Amerikë dhe në Meksikë. Aty më kanë kushtuar 3 faqe, në të cilat përmendet padyshim edhe Shqipëria. Gjithçka u mundësua pasi unë do të jem imazhi i një kompanie golfi dhe veshjeve të tyre, por kam nënshkruar edhe një kontratë 2-vjeçare me një kompani nafte për reklamat e tyre dhe print ads.

Ndërkohë, dimë që po xhiron për rolin tënd më të ri, në filmin “Disiple”, ku luan rolin e një këngëtareje të njohur. Na trego diçka më tepër...

Filmi është një thriller psikologjik dhe ka protagonistë dy aktore të njohura amerikane. Kolegët e mi në film janë, Taral Hicks, e cila ka luajtur në filmin” A Bronx Tale” me Robert de Niro, dhe Persia White, e njohur nga sitcom “Girlfriends”. Unë luaj rolin e Kenedit, një këngëtareje amerikane, e cila është ish -shoqja e klasës së Billy Jean, personazhit kryesor të filmit. Sinopsi i filmit është rreth një misteri… roli im ndihmon në zgjidhjen e enigmës dhe gjetjes së të drejtës. Gjithashtu, unë do të kem privilegjin të këndoj edhe kolonën zanore të filmit.

Kjo do të thotë që ti nuk qëndron asnjë minutë pa punë, apo jo?

S’ka pushim për mua tani. I jam përkushtuar punës më vrullshëm dhe më fuqishëm se kurrë. Ky vit do të ketë mjaft angazhime, si kompania e golfit për të cilën unë do të jem imazhi i veshjeve të golfit dhe reklamave te tyre, gjithashtu një kontrate 2-vjeçare me një kompani nafte, për reklamat e tyre dhe print ads, plus këngët dhe filmi për të cilin filloj xhirimet këtë muaj.

Do ta konsideroje veten më shumë këngëtare apo aktore?

Këngëtare, pasi kam mundësinë të jem vetvetja! Shpreh vetveten dhe vizionin tim, portretizoj me këngën dhe imazhin tim diçka që më përket mua, kurse me filmin duhet të sjell në jetë dikë tjetër dhe të identifikohem me të.

A është e vështirë të “çash” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të arrish suksese, sidomos kur je shqiptar, apo atje nuk ka diskriminime që lidhen me kombësinë?

Amerika ka natyrë të tillë që të jep mundësitë dhe të krijon oportunitetin për të ushtruar aftësitë e objektivave apo ambicieve të gjithkujt pa diskriminim. Natyrisht kjo demokraci në të njëjtën kohë krijon edhe konkurrencë mjaft të fortë, që nxjerr në pah më të talentuarit.

Si je lidhur me producentë të njohur në Amerikë, pasi kjo nuk është diçka e lehtë?

Pasi mbarova studimet, kolegji më ndihmoi me prezantime dhe rekomandime. Kjo mundësoi që të më hapeshin dyer… si dhe të më përplaseshin apo mbylleshin, por këmbëngulja, insistimi dhe besimi e bëri rrugën time më solide.

Ti ke qenë edhe pjesë e kronikave televizive për lajmet rozë në SHBA, përkrah lajmeve për Katy Perry, P. Diddy, Lady Gaga etj. Ç’ndjesi të krijohet nga kjo gjë?

Inspirohem nga këta personalitete të këngës dhe nga arritjet e tyre. Ndjej krenari dhe vendosmëri të vazhdoj më tej.

Ke kohë pa e vizituar qytetin tënd të lindjes, Kuçovën?

Kam disa vjet pa shkuar atje dhe kam shumë mall dhe nostalgji, pasi është vendlindja ime.

A e ëndërron një ditë pjesëmarrjen në “Oscar”?

Ëndrra e “Oscarit”, sinqerisht nuk do të jetë asnjëherë në ambiciet mia. Ndoshta në “Grammy’s”. Pasi zakonisht filmat që më pëlqejnë mua janë aksion, janë fitimprurës, por zakonisht nuk nominohen. Për mua, të marr pjesë në “Grammy Awards” është ëndërr.

Ç’mendon për shumë këngëtare shqiptare në SHBA, që thonë në Shqipëri se janë të suksesshme? Sa të vërteta janë këto lajme?

Mund të bashkëpunosh me dikë të famshëm, por kjo s’do të thotë që do bëhesh dhe ti e tillë apo që do të ecësh dhe do jesh e suksesshme. Nëse ke fuqi financiare, e bën më të mundur faktin që të të shkruajë një këngë i njëjti person që ka kompozuar për Britney Spears, por kjo s’do të thotë domosdoshmërisht famë. Kënga e Britney do të shkojë në Top 10 dhe ndoshta jo ajo që kanë shkruar për ty. Megjithatë, fakti që ndoshta nuk e humbasin shpresën dhe insistojnë, për mua vlen.

Po artin shqiptar a e ndjek, muzikën, teatrin dhe filmin? Kush të pëlqen më shumë prej këngëtarëve/aktorëve?

Këto dy vitet e fundit i ndjek me mjaft imtësi zhvillimet artistike në Shqipëri. Jam adhuruese e të gjitha zhanreve të muzikës sonë, sidomos muzikës popullore. Duke marrë parasysh që unë këndoj pop, do të përmendja si ndër më të pëlqyerit një grup të nga gjenerata e re, siç është Tingulli 3.

Laureta, a aspiron të bëheni e suksesshme edhe në Shqipëri apo kjo nuk bën pjesë në ambiciet e tua?

Kudo që të jem, besoj se në një farë mënyre emri im ka si stigmë Shqipërinë, s’ka si të jetë ndryshe. Nuk besoj që duhet të jem në Shqipëri, në mënyrë që të jem e suksesshme atje. Aspirata ime dhe e shumë artistëve shqiptarë jashtë atdheut, është që të ngremë emrin e Shqipërisë lart e më lart.

Së fundmi, si ka mundësi që je kaq në formë? Cili është sekreti i pamjes tënde kaq të kuruar?

Ah, për këtë kemi probleme se e ka fajin gjeni... bëj shaka. Gjithçka i detyrohet disiplinës dhe përdorimit të shumë lëngjeve, sidomos ujit. Gjithashtu, edhe ushtrimet fizike janë sekreti im.

Dhe një pyetje pikante për fund: A është e dashuruar Laureta dhe kush është fatlumi që ju ka përkrah?

Sigurisht që po, me një njeri që e admiroj, e adhuroj dhe e dashuroj me gjithë shpirt. Kaq për këtë herë.

Është i huaj apo shqiptar?

A ka rëndësi kjo?!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›