E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitomania/ Njerëzit e famshëm që “bëhem” shqiptarë

Gjatë viteve të fundit, sidomos me përhapjen e internetit, shumë personazhe të njohura janë përfshirë në thashethemet për kombësinë dhe janë pagëzuar në një formë ose në një tjetër

Njerëzit e famshëm duhet të kenë kujdes kur përmendin emrin shqiptar ose kur mbajnë me vete flamurin tonë kombëtar, pasi menjëherë mund t’u dali edhe nami. Kuptohet, jo pak veta të famshëm kanë origjinë të përbashkët me ne, por jo të paktë janë edhe ata që u është ngjitur origjina shqiptare, pa dijeninë e tyre e pa asnjë bazë të vërtetë.

Rasti më i fundit ishte ai i Robert de Niros, por ai duket se është një ndër personat që thashethemet i kanë vendosur si bashkëkombësit tanë. Gjatë viteve të fundit, sidomos me përhapjen e internetit, shumë personazhe të njohura janë përfshirë në thashethemet për kombësinë dhe janë pagëzuar në një formë ose në një tjetër. “Standard” ka përzgjedhur vetëm disa nga këto raste, ku thashethemet arritën të kapin majat e që për shumë u kthyen në besim për shumë individë.

Robert de Niro

Mjaftoi që Robert de Niro të thoshte termin “shqiptar” dhe një stuhi mediatike mbuloi mediat shqipfolëse dhe internetin për origjinën e tij shqiptare. Realiteti në fakt ishte krejt ndryshe. De Niro i pyetur se përse deklaron më së shumti origjinën e tij italiane ndaj origjinave të tjera (gjermane, irlandeze dhe holandeze), ai tha se origjinat e shumta nuk janë vetëm një fenomen amerikan, porse edhe në Evropë, madje edhe në Itali ka njerëz me shumë origjina, si për shembull Sicilia, ku ka përzierje të shumta me shqiptarë.

Por, vetë termi e bëri punën dhe prej asaj dite mediat online dhe të shtypura e pagëzuan De Niron si shqiptar. Jo vetëm kaq, por i shtuan paksa edhe dozën e melodramacitetit që i shkon një rasti të tillë. Fjalinë e De Niros e kthyen në: “Fëmijët e mi duhet të dinë se kanë edhe origjinë italiane dhe shqiptare”, një thirrje prej shpirtit të aktorit drejtuar fëmijëve të tij, që ende nuk e kishin mësuar të vërtetën e madhe.

Madje, si të mos mjaftonte kjo nisën të gjenin edhe origjinën e tij nga Shqipëria, duke përcaktuar si vendin më të përshtatshëm... Krujën e Skënderbeut. “Mediat njoftojnë se e vërteta është se stërgjyshi i aktorit të madh, Xhovani di Niro dhe e shoqja Angjelina Gashi, emigruan nga Kruja drejt Ferrazzano, qytet i provincës së Molises në Itali. Më pas në vitin 1887 ata shkuan në SHBA”, – shkruante një media online, duke ndryshuar madje edhe mbiemrin e stërgjyshes së tij nga Merkurio në Gashi, qartësisht një emër më i bukur shqiptar.

Wikipedia u ndryshua menjëherë, duke e bërë mbiemrin e gjyshit të tij Diniri, çka i përngjan më shumë një shqiptari dhe për paksa ndryshuan edhe emrin nga Robert në Berti, e gjithë kjo për pak orë, derisa e vërteta u vendos në vend. Megjithatë, jo pak veta do të vijojnë të besojnë që Robert de Niro është stërnipi i Gjon Dinirit dhe Angjelinë Gashit nga periferia e Krujës, siç janë edhe thashethemet që shpërndahen në internet.

Sandra Bullok

Por, duket se De Niro kishte sindromën e filmit “Wag the Dog”, ku pasqyrohet pushtimi i Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt, në këtë film del edhe Xhejms Belushi, aktori me origjinë shqiptare. Ndoshta kjo ka bërë shumë të mendojnë se regjisori i filmit kërkoi të gjithë shqiptarët e Hollivudit për t’i përfshirë në këtë film. Kështu, pas Belushit që është e sigurt që është shqiptar dhe De Niros që është për ca po aq e sigurt, u pagëzua edhe Sandra Bullok nga halli (Dastin Hofman shpëtoi nga shqiptarizimi).

Thashethemet për Bullokun nisën nga një studiues shqiptar, Bulloku i kishte thënë një producenti të filmit, i cili i kishte thënë atij se ka pasur origjinë shqiptare. E gjithë kjo histori normalisht u riciklua nga mediat dhe përfundoi edhe në gojët e politikanëve të njohur shqiptar.

Sipas studiuesit, “debati është përcjellë për dy ditë me radhë në gazetën "The Nation", ku aktorja ka pohuar se origjina e saj nga babai është shqiptare, për të vijuar me një tjetër deklaratë të saj, e cila në thelb ka faktin se është shumë krenare për origjinën e saj shqiptare dhe s'ka për ta mohuar kurrë origjinën e familjes së saj”.

Por, në këtë gazetë nuk është gjetur deri më sot asnjë artikull për shqiptaren Sandra Bullok, që i kishte thënë producentit, i cili i kishte thënë studiuesit, i cili e shpërndau në media, se Bulloku ishte bashkëkombësja jonë...

Alan Shepard

Një tjetër viktimë e shqiptarizimit, pa dijen e vet, ka qenë edhe personi i dytë që zbriti në Hënë, Alan Shepard. I lindur në një familje të brezit të katërt amerikan, me origjinë nga e katragjyshit të vetë nga Irlanda e largët, Alan Shepard vështirë se do të ishte duke menduar dykrenoren në çastin që zbriti në satelitin e vetëm të Tokës. Por, për ne, ai mbetet shqiptari atdhetar që ngriti flamurin shqiptar në Hënë.

E vërteta është se flamuri shqiptar (madje, ai me yllin mbi dykrenore) u ngrit në Hënë, herën e dytë që Shepard zbriti në të. Po, po. Veçse, nuk u ngrit për shkak të patriotizmit shqiptar të amerikano-irlandezit Shepard, por u ngrit për shkak të politikës së jashtme amerikane. NASA dhe qeveria e SHBA-ve kishin vendosur të ngrinin të gjithë flamujt e botës në Hënë dhe të bënin astronautët nga një fotografi me to. Më pas, ata ua dhuruan këto fotografi të gjithë delegatëve të shteteve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1971, me një mbishkrim në dorë nga Alan Shepard, ku shkruhej: “Me fjalët më të mira të astronautëve të Shteteve të Bashkuara. Alan Shepard, 2 tetor 1971”.

Fati i mirë ishte se flamuri shqiptar arriti në Hënë, fati i keq se fotografia iu dha delegatëve shqiptarë, të cilët e arkivuan pa asnjë sqarim në Muzeun Kombëtar. Kur në vitin 2003, drejtori i atëhershëm i muzeut, Moikom Zeqo, e gjeti këtë fotografi, pa një pa dy, e pagëzoi Alan Shepardin patriot të madh shqiptar.

“Ky dokument që përmban flamurin shqiptar me fotografinë në Hënë së bashku me mbishkrimet i është dorëzuar prej vetë astronautit Alan Shepard një diplomati shqiptar, i cili pat marrë pjesë edhe ai në Sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Alan Shepard, kur ka përgatitur këtë dhuratë dhe për ta bërë më të vërtetë dokumentin, ka shkruar me dorën e tij përshëndetjen jo vetëm nga vetvetja, por edhe nga astronautët e tjerë të SHBA-së. Kjo do të thotë që fakti i mbartjes së flamurit shqiptar ka qenë temë bisede e astronautëve bashkudhëtarë. Pra, Shepard u ka folur atyre për origjinën e tij shqiptare. Gjesti i Shepardit është i madhërishëm”, – thotë Zeqo në zbulimin e vet të madhërishëm. Ende Shepardi nuk është ankuar, ndoshta prej faktit se pak e kanë besuar.

Bonaparti dhe Ataturku

Por edhe drejtuesit e mëdhenj politikë në botë duhet ta kenë pasur një origjinë shqiptare. Krahas Françesko Krispit, që bashkoi Italinë dhe i cili ishte realisht me origjinë shqiptare, apo dhjetëra kryeministrave e presidentëve grekë me origjinë shqiptare, apo akoma edhe për Mustafa Qemal Ataturku, për të cilin ka burime kontradiktore për origjinën e vet shqiptare, në internet është përhapur edhe shqiptaria e Napoleon Bonapartit.

“Për origjinën e familjes Bonaparti shkruan edhe profesor Robert d'Angely me origjinë nga Korsika në veprën e tij 'Enigmat e origjinës së racave dhe të gjuhëve të pellazgëve, arianëve, helenëve, etruskëve, grekëve dhe shqiptarëve'. Libër prej 7 vëllimesh dhe i arrirë pas mbi 30 vjet pune. Në faqen 113-117 shkruan se Napoleon Bonaparti ishte shqiptar, ashtu si ishte Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu. Ky profesor i dëgjuar korsikan shton se mbiemri i vjetër i Bonapartit ka qenë 'Kalë-miri' dhe jo Kalimeros, ana e mirë si e bënë grekërit”, – thotë njëri prej studiuesve. Por megjithatë, të gjitha këto duket se nuk janë asgjë më shumë sesa thjesht trillime.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›