E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhe zemra iu përgjigj...

C. S. LEWIS

Tema epike, sikurse e kuptuan së voni kritikët, është shpikje e Virgjilit; ai ka ndryshuar kuptimin e gjithsejtë të fjalës epikë. Me shkas dëshirën që romanët të kenë një poemë madhore që të barabitet me Iliadën, atij iu desh të pyeste veten se çfarë lloj poeme do të shprehte katërcipërisht shpirtin roman. Pa kurrfarë dyshimi, ai e gjeti përgjigjen e kësaj pyetje në zemrën e vet; ne mund ta gjejmë atë, po të ndërmendim përpjekjet romane të këtij lloji. Dy epikat e mëhershme latine patën qenë krejtësisht të ndryshme nga ajo e Homerit. Naeivus-i pat rrëfyer historinë e Luftës së parë Punike, porse dukshëm me një rrokje kaq të gjerë, sa ai filloi me legjendën e Eneas.
Ennius-i, duke filluar më të njëjtën legjendë, pat punuar me këmbëngulje për të rrëfyer historinë e popullit të tij, deri në kohën kur ai jetonte. Është e qartë që të dy poetët shkruan ato që mund të quhen kronika metrike, të cilat ngjajnë më shumë me veprën e Layamon-it dhe Robertit të Glocester-it, sesa me atë të Homerit. Ata shkruan sipas një shijeje të modeluar për romanët, por është interesante që kjo nuk ndodhi me grekët. As Herodoti e as Tuqiditi nuk u përpoqën që të gjurmojnë historinë e, të paktën, një shteti të vetëm grek qysh prej origjinës së tij. Fenomeni i rritjes, procesi i ngadaltë me anë të cilit diçka madhore formësohet, nuk duket t’u ketë interesuar grekëve. Dëshirë e zemrës së tyre ishte e përjetshmja, e pandryshueshmja, ndërsa kohën e konsideronin thjesht si një rrjedhë. Por romanët ishin ndryshe. Si në mënyrë të drejtëpërdrejtë, si (sikur Dr. Tillyard do të thoshte) “anash e anash”, poema e tyre madhore, megjithëse pritej të qe një rikrijim si i Homerit, do të duhej të merrej me të njëtën materie si ajo e Naevius-it dhe Ennius-it. Por, sidoqoftë, Virgjili ishte një artist kaq i vërtetë, sa nuk do të kënaqej me monotoninë e një kronike të thjeshtë. Zgjidhja që ai gjeti për problemin, - çka përbën një nga revolucionet më të rëndësishme në historinë e poezisë, -ishte marrja e një legjende të vetme kombëtare dhe shtjellimi i saj në një mënyrë të atillë, që të bën ta ndiesh se një temë më e thellë është njëherësh pjesë e saj. Atij iu desh të rrëfente një histori pak a shumë të shkurtër dhe po ashtu të krijonte iluzionin e të jetuarit brenda një hapësire të madhe kohe. Atij iu desh, me një numër të kufizuar personazhesh kombëtare, të krijonte iluzionin se çështje kombëtare apo kozmike janë pjesë të saj. Atij iu desh t’i vendoste ngjarjet në të kaluarën legjendare dhe po kështu të na bëjë që të ndiejmë të tashmen, ndërkohë shfaqen kumte për shekujt e mëpasëm. Pas Virgjilit dhe Miltonit, kjo teknikë është kaq e qartë. Por tashtmë është e dukshme, ngase një poet i madh u përball me një problem thuajse të pazgjidhsshëm, gjeti përgjigjen dhe, kësisoj, zbuloi mundësi të reja për vetë poezinë.

THIRRJA

Pjesërisht për shkak të një lloj primitivizmi romantik, është krjuar një zakon i marrë për ta parë Homerin si një lloj mase me të cilin duhet të matet Virgjili. Porse ndryshimet e skajshme mes tyre shfaqen qysh në faqet e para të Eneidës. Paragrafi i tretë i poemës na jep shembujt e duhur të pothuajse të gjitha metodave, me anë të të cilave ai bën që fabula e tij të mbartë peshën e një destini të madh. Vini re fjalët kyçe. Carthage është një qytet antik, përkundrejt gojës së Tiber-it shumë larg prej tij. Ai kështu tanimë e shtrin historinë e tij në kohë e hapësirë. Juno kishte shpresë që ta bënte atë perandori të botës, nëse fati e lejonte, por ajo kishte dëgjuar të thuhej se një ditë fara trojane do ta mposhtte. E gjithë Lufta Punike bëhet pjesë e historisë. Por Juno nuk po mendon vetëm për të ardhmen; një luftë më e vjetër po e bën të vramendet, ajo kujton Argivët e saj në muret e Trojës, gjykimin e Paridit, si dhe për “Ganimedin e galduar n’at vend të pavdekshëm”. Ne nuk qëndrojmë, sikurse e vini re, në fillim të historisë. Historia që po na rrëfehet na shpie një një të kaluar të largët. Heronjtë, aventurat e të cilëve ne do të ndjekim, janë shëmbëllesa, shajni të rendit të mëhershëm, shkatërruar para se perdja të ngrihej; të mbijetuar, të cilët sikur të qenkëshin fantazma që na ndjekin (dhe në këtë pikë gjerësia e hapësirës zgjerohet sërish) mari omnia circum, ndërsa Juno e shpreh këtë në latinisht, tue i udhëhjekë, për larg në skaj të botës/ madhështore kish me qenë themelimi i Romës. Themelimi, lindja e saj është kryeçështja. Këta burra nuk po luftojnë për atdheun e tyre, sikurse heronjtë homerikë; ata janë burra që janë thirrur, burra të cilëve u është taksuar një barrë për ta mbartur.
Aq sa bëhen më të dukshme shembujt e zgjerimit të temës së Virgjilit, nuk ka dyshim që, sikurse është vënë re shfaqen po kështu edhe shkëndija të së ardhmes në propfecinë e Jovit në librin 1, apo në vizionin e Anchises, apo sërish në lidhjen e krejt librit të katërt me Luftërat Punike. Ndofta, pjesa më tronditëse e gjithë këtyre lidhjeve me të ardhmen është vizita e Eneas në rrethinën e Romës në librin 8-të. Lidhjet prapavështruese janë po aq të rëndësishme në përcaktimin e rëndësisë poetike të Eneidës. Nëse nuk gabohem, është poema e parë ajo e cila përcjell ndjenjën e një lloji “honi të kohës”. Pricus, vetus dhe anticus janë fjalët kyçe te Virgjili. Nga libri 6 deri te libri 8, zemra e vërtetë e poemës, nuk na lejohet të harrojmë për Latinum Lurkwood-in, vendin ku fshihet Saturni plak, i cili ka qenë në pritje të trojanëve qysh prej fillimit të botës. Pallati i mbretit Latinus është shumë i ndryshëm nga ai te Homeri: “e tmerrtë prej druri dhe mëshirë kohësh të moçme”.
Është një poezi, e cila nuk mund të shterrojë nga rileximet që i bëhen këtyre skenave iltaliane; pamja për së pari e Tiber-it, lutja vetmitare baltuar lumit të panjohur, si dhe udhëtimi i gjatë në lumë, përgjatë të cilit anijet mahniten prej pyjeve të vigjër. Unë nuk di të ketë një shembull më të mirë të imagjinatës, në kuptimin më të epërm, sesa ajo ku Karonti rravgon “kaherë në hije”; shekuj të errët të asaj bote të paparë nga historia, ndryhen në një gjysëm vargu (6.409).

TEMA E KTHESËS MADHORE

Por Virgjili përdor diçka më të mprehtë se gjatësia e vargut. Jeta jonë ka të përpjeta e tatëpjeta; çaste në të cilat ne kuptojmë që sapo kemi lëvizur, kemi marrë një kthesë të rëndësishme në jetën tonë, dhe pas kësaj gjithçka, për mirë apo për keq, do të jetë gjithmonë ndryshe. Në një kuptim, sikurse e kemi vënë re, e gjithë historia është një ndryshim i tillë në rendin e botës, zhvendosja e qytetërimit nga Lindja në Perëndim, shndërrimi i atyre kujtimeve të së kaluarës në filiza të reja që shpërthejnë. Kësisoj, pikëllimi i lamtumirave dhe gazmimi i fillimeve të reja, të cilat njësohen kaq dallueshëm në hapjen e librit 8, mbizotërojnë të tërë poemën. Nganjëherë sensi i paes oderoede është bërë i qartë, ndërsa trojanët mbërrijnë në Actium dhe gjejnë së paku vetveten, përtej shpresës, të paangazhuar me botën greke, dhe ky çast i rëndësishëm shenjohet prej ndërrimit të stinës.
Nganjëherë një ndryshim fare i vogël, të cilin ndërgjegja e lexuesit edhe mund të mos e vërë re, sidoqoftë luan rolin e vet në ngjyrimin e përvojës totale, sikurse urrejtja e Aegean-it plak është më pak e madhe se sa ajo e Uliksit dinak, e cila e kthen atë në Uliks të pafat. Mbase shfaqja e fantazmës së Creusa-s në librin 2, është një nga sukseset më të guximshme të Virgjilit. Ajo krijesë e pikëlluar, e pavlerë, e flakur m’anësh prej destinit, duhet të parathotë gruan që do ta zëvendësoj atë sikurse të ardhmen e të shoqit, pjesë e së cilës nuk do të jetë. Nëse ajo do të qe një grua që jeton, kjo do të ishte mizori e pashoqe. Por nuk është një grua, ajo është fantazmë, hija e së cilës, me keqardhje ose jo, gjatë poemës vetëm largohet, duke gjetur strehë në të kaluarën e pakthyeshme, jo sikur te poetët elegjiakë, të cilët bien në përsiatje melankolike, por sepse fati i Jovit ka vendosur kështu, sepse, kështu dhe jo ndryshe, diçka madhore ndodh. Enea vetë merret gabimisht për një fantazëm në librin pasardhës. Në një kuptim, ai është fantazma e Trojës, derisa të bëhet ati i Romës. Gjatë gjithë poemës ne po marrim atë kthesë, që kemi përmendur. Është ajo që i jep lexuesit të Eneidës ndjesinë e të jetuarit për një kohë të gjatë. Asnjë njeri, që e ka lexuar atë të paktën një herë duke e përceptuar të plotë si vepër, nuk ka mbetur adoleshent.
Tema e kthesës madhore është sigurisht e lidhur ngushtë me kuptimin e Virgjilit për Vokacionin. Asgjë nuk e dallon më shumë se kjo nga Homeri, e kjo ndodh edhe në rastet kur ata duken aq të ngjashëm. Ligjërata e Eneas, që u kall guxim njerëzve të tij në librin 1 (198), është e modeluar ngjashëm me ligjëratën e Odisesë 12 (208). Të dy u ndërmendin ndejkësve të tyre se, më parë, ata kanë qenë në vende edhe më të rrezikshme. Por Odisea flet thjesht si kapiteni që i flet ekuipazhit; siguria është synimi i tij. Enea shton diçka krejtësisht jo homerike: “Një ditë i gjithë mjerimi do t’jetë kohë e kalueme,/ ballë provave të fatit ndeshemi me nji jetë të trazueme/ të grahim kah shtëpi e premtueme, tokë latine që shndritet,/ atje prehje do gjejmë dhe Ilioni do përlindet.” (1.206)
Vicit iter durum pietas (mëshira e ka pushtuar këtë rravgim): me anë të këtij konceptimi, Virgjili i ka shtuar një përmasë të re poezisë. Siç e lexoj unë Enea i tij, i udhëhequr prej ëndrrash e oguresh, zor se është hija e një njeriu ndanë Akilit të Homerit. Por një burrë, një i rritur është ajo çka ai është: Akili nuk kishte qenë më shumë se një djalosh plot pasion. Është e natyrshme që mund të parapëlqeni poezinë e pasionit spontan, krahasuar me poezinë e pasionit në luftë me vokacion, dhe më së mbrami prehjen. Gjithsecili ka shijen e vet. Por ne nuk duhet të fajësojmë Virgjilin që nuk i përket llojit të parë të poezisë.

PËRMASAT

Me Virgjilin poezia evropiane rritet. Mens imota manet – “mendja mbetet pa u lëkundur ndërsa lotë të kotë rrëshqasin”. Ky është theksimi virgjilian. Por te Homeri nuk kishte askurrgjë gjatë jetës, për të cilën nuk duhej të lëkundeshe. Ishe i lumtur ose i palumtur, dhe gjithçka ka mbaruar. Enea jeton në një botë të ndryshme; ai është i detyruar të shohë diçka më të rëndësishme se lumturia.
Është në natyrën e vokacionit që t’i shfaqet njeriut në karakterin e saj të dyfishtë të detyrës e dëshirës, dhe Virgjili tregohet i drejtë me të dy. Elementi i dëshirës shfaqet në të gjitha pasazhet ku bëhet fjalë për tokën hesperiane, parashikohet e “pikëllueshëm zbulohet”. Së pari përmendet nga buzët e fantazmës së Hektorit si një vend ende pa emër, mandej nga fantazma e Creusas, me emrat Hesperia e Tiberu; paskëtaj vjen libri më i rëndësishëm, ai i treti, kërkimi për qytetin e përjetshëm (masuram urbem), gjithmonë i menduar të jetë shumë afër, por që gjithmonë duket të jetë larg, ndërkohë që njohuritë tona për të shtohen pak e nga pak. Është nëna jonë antike - është një terra antiqua, me ushtri të fuqishme e tokë pjellore, është kaq afër porse jo për ne që na duhet të ecim me milje para se të zbarkojmë aty, - tani na shfaqet, por nuk është ajo që ne kërkojmë. Ky është portreti i vokacionit; diçka që të thërret e të jep kumte, të thërret pafundësisht, por sidoqoftë duhet të dëgjosh me shumë vëmendje që ta kapësh atë zë, të cilin këmbngul që ta kërkosh, por pa pranuar që të gjendet.
Në reagimin njerëzor kundrejt kësaj thirrjeje, ne gjejmë elementin e detyrës. Në njërën anë kemi Enean që vuan, por bindet. Ai ka një çast mosbindjeje të vërtetë në librin e katërt, sepse një resekt i shtuar për gratë dhe për marrëdhënien seksuale ka bërë që heroi të duket jo njerëzor, mu në çastin kur Virgjili do të nxjerr në pah (dhe për një lexues me mendje historike e bën këtë) dobësinë e tij njerëzore. Por në të gjtiha rastet e tjera, ai i bindet zgjedhës së tij, megjithëse me një vështrim vjedharak kah ata që nuk janë thirrur për ta vuajtur atë. Në anën tjetër, ne kemi gratë, të cilat kanë dëgjuar thirrjen, e jetuan gjatë me bindje të dhimbshme, dhe më në fund u dorëzuan. Virgjili e përcepton tragjedinë e tyre shumë qartë. Të ndjekësh vokacionin nuk do të thotë lumturi, por me t’u dëgjuar, nuk ka më lumturi për ata që nuk e ndjekin. Ata sidoqoftë lejohen që të mbesin prapa. Përfundimi është ajo ndarje si në agoni, ndërmjet të cilave vullneti qëndron pezull mes skajesh të kundërta: “Është mall i pashprehshëm për tokën që pret/ dhe mbretëritë kah na shpie urdhëruar nga fati vetë.”
Do të shihet se, në këto dy vargje, pa synuar alegorinë Virgjili ka përshkruar një herë e përgjithmonë cilësinë e jetës më njerëzore, e cila është përjetuar nga kushdo që nuk është lartësuar në shenjtëri apo ka rënë në nivelin e shtazarakes. Nuk është vetëm falë eklogës së katërt që ai u bë pothuajse një poet madhor kristian. Duke e bërë legjendën e tij simbol të destinit të Romës, ai ka përshkruar dashur pa dashur destinin e Njeriut. Poema e tij është “madhore” në kuptimin që asnjë poemë tjetër, pos Iliadës, nuk mundet me qenë madhore. Çështja kryesore është nëse është e mundur ndonjë thurimë epike, që shkon përtej Virgjilit. Çdo kthim te epika e mirëfilltë, çdo poemë, sado e mirë qoftë, e cila thjesht rrëfen për një guximtar që lufton për të shpëtuar jetët e të tjerëve apo të kërkojë shpagë për njerëzit e tyre të gjakut, tani do të dukej anakronizëm. Njeriu nuk mud të jetë dy herë i ri. Tema e qartë religjioze për çdo lloj epike në të ardhmen është diktuar nga Virgjili: është i vetmi krijim i mëpasëm i mbetur.

Përktheu Granit Zela

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›