E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpi e magjepsur

Virginia WOOLF

Në çdo orë të zgjoheshe, hapej një derë. Dhomë më dhomë shkonin dorë për dore, duke ngritur këtu, duke hapur atje, duke u siguruar – një çift fantazmash.
“Këtu e lamë”, tha ajo.
Dhe ai shtoi: “Oh, po edhe këtu!”
“Eshtë lart”, mërmëriti ajo.
“Edhe në kopsht”, pëshpëriti tjetri.
“Pa zhurmë”, thanë, “përndryshe mund t’i zgjojmë”.
Por s’është se na zgjuat ju. Oh, jo. “Ata po e kërkojnë, po lëvizin perden”, mund të thotë dikush, që të lexojë një faqe a dy. “Tani e gjetën”, mund të bindet dikush, duke e lënë lapsin mbi tryezë. Dhe atëherë, lodhur së lexuari, dikush mund të çohet dhe të shohë vetë gjithë shtëpinë bosh, dyert e hapura, vetëm zhurmërima pluskuese e pëllumbave të egër dhe zukatja e makinave shirëse tutje në fermë.
“Përse erdha këtu?” “Çfarë doja të gjeja?” Duart e mia ishin të zbrazëta. “Ndoshta është lart, pra?” Mollët ishin në papafingo. Dhe poshtë sërish, kopshti i njëjtë si përherë, vetëm libri kishte rrëshqitur mbi bar.
Por e gjetën në sallon.
Askush nuk mund t’i shihte. Xhamat e dritares pasqyronin mollë, pasqyronin trëndafila; gjethet ishin të blerta në xham. Po të shkonin në sallon, vetëm molla shfaqte anën e verdhë. Rishmi, pas një çasti, po të ishte dera hapur, në dysheme shpërndarë, mbështetur në mure, lavjerrur nga tavani – çfarë? Duart e mia ishin të zbrazëta. Hija e një gushëkuqi tejshkoi qilimin; nga puset më të thella të errësirës, pëllumbi i egër shpërndante tinguj pluskues.
“Shpëtova, shpëtova, shpëtova”, rrihte butësisht pulsi i shtëpisë. “Thesari i groposur; dhoma…”, u ndal papritur pulsi. “Oh, ai të ishte thesari i groposur?”
Një çast më pas drita u zbeh. Atëherë, jashtë në kopsht? Por pemët tirrnin errësirën për një rreze dielli endacuke. Aq e hollë, aq e rrallë, zhytur ftohtë në sipërfaqe, rrezja që unë kërkoja digjej përherë pas xhamit. Vdekja ishte xhami; vdekja ishte mes nesh; ardhur së pari te gruaja, qindra vjet të shkuar, tek ikte nga shtëpia, tek vuloste të gjitha dritaret, dhomat zhyteshin në mug. Ai e la, la gruan, shkoi në Veri, shkoi në Lindje, pa yjet që dremisnin në qiellin e Jugut; kërkoi shtëpinë, e gjeti të shkapërdarë poshtë Ultësirave. “Shpëtova, shpëtova, shpëtova!”, rrihte galdueshëm pulsi i shtëpisë. “Thesari – yti.”
Era bulurin tutje në rrugë. Pemë që përkulen tutje tëhu. Rrezet e hënës përplasen dhe qullen egërsisht në shi. Por rrezja e llampës bie thikë nga dritarja. Qiriu digjet shpejt e qetë. Ndërsa sillet vërdallë nëpër shtëpi, hap dritaret, pëshpërit që të mos na zgjojë, çifti i fantazmave kërkon lumturinë e tij.
“Këtu flinim”, thotë ajo. Ndërsa ai shton: “Puthje të panumërta.” “Kur zgjoheshim në mëngjes.“ “Argjendi përmidis pemësh.“ “Lart.” “Në kopsht.” “ Kur behte vera.“ “Në dimrin me dëborë.” Dyert vazhdonin përplasjen e tyre të largët, duke zhurmuar si rrahje zemre.
Aviten ata; ndalen te pragu i derës. Era fashitet, shiu rrëshqet i argjendtë përgjatë xhamit. Sytë tanë mugullohen; pas nesh nuk dëgjohen më hapa; nuk e shohim zonjën që hap pallton e saj fantazmë. Duart e tij bëhen mburojë për llampën. “Shiko”, pëshpërit ai. “Në gjumë të thellë. Dashuria mbi buzët e tyre.”
Të përkulur, me llampën e argjendtë sipër nesh, të gjatë duken ata, e të errët. Të gjatë ndalen. Era fryn drejt; flaka nanuriset ëmbël. Rreze të egra hëne çajnë dyshemenë e murin dhe, duke u takuar, dallojnë fytyrat e përkulura; fytyrat e menduara; fytyrat që kundrojnë të fjeturit dhe kërkojnë harenë e tyre të fshehur.
“Shpëtova, shpëtova, shpëtova!”, rreh egërsisht zemra e shtëpisë. “Vite të gjata“, psherëtin ai. “Përsëri më gjete.” “Këtu”, mërmërin ajo, “duke fjetur; në kopsht duke lexuar; duke qeshur; duke rrotulluar mollët në papafingo. Këtu e lamë thesarin tonë.“ Përkundshëm, drita e tyre ngre qepallat e syve të mi. “Shpëtova! shpëtova! shpëtova!”, rreh fort zemra e shtëpisë.
Tek zgjohem, thërras: “Oh, ky qenka thesari juaj i fshehur? Drita në zemër.”

Përktheu Elvana Zaimi

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›