Piktura e parë në zemrën time
Luljeta DANO
Përveç nesh, në atë rrugë të gjitha kopshtet kishin pus.
Edhe shtëpia jonë ishte e vjetër, njëqind e dyzet vjeçe, thoshte babai. Gjithë ajo shtëpi, por pa pus. Kot fare.
Ca puse ishin tepër të vjetër, me kryqe e me vija që tregonin ditëlindjen e tyre, por mua më pëlqenin dhe të rinjtë. Mjaft të ishte pus me hije jeshile.
Qëkur s’mbahej mend, në këtë shtëpi ka qenë zakon që, brez pas brezi, të mos mbillej as ftua, as mushmollë dhe të mos hapej as pus, nga frika se mbyteshin fëmijët, tregonin të ndjerët im shoq dhe ime vjehërr, vazhdonte gjyshja. Mushmolla, ftonjtë dhe pusi, tri gjëra që më pëlqenin më shumë. Ku të bie koka, në shtëpinë e ndaluar. Megjithëse një herë, një herë të vetme, mamaja solli fshehurazi ca ftonj dhe motra e vogël ra në pus. Por, për fatin e madh të mëmës, aty qëlloi tetka që ishte mjeke dhe motra ime shpëtoi. Të kishim thënë, kanosi halla.
Ku të bie koka, në shtëpinë e ndaluar. Të paktën, kishin shpëtuar shegët: Në këto pallate
me kristal të kuq, unë banoja gjithë dashurinë.
Pusi në shtëpinë e Jurit më pëlqente më shumë, për shkak të shëtisë së gjatë nëpër kopshtin me hije. Gjyshi tregonte se, fëmijë, i kishte rënë të fikët në buzën e ftohtë të pusit dhe i dukej vetja si një lejlek i bardhë, si një lolek, thoshte ai, që fluturonte. Lejleku i bardhë mbi pus dhe zambakët e bardhë të nënës së Jurit, ishin piktura e parë në zemrën time. Mëhalla çmendej në maj nga pjalmi i zambakëve dhe akacieve. Turinjtë tanë ishin vetëm me push të verdhë.
- Po shkoj të vesh çorapet e verdha, - i thashë Jurit, - të bëhem rosë.
- Jo, jo. Si bletë.
Synoja vetëm pusin. Ndërkohë, moshatarët kishin filluar zbulimin e pusit të vet dhe unë e mbaja Jurin sa më larg tij, duke e harruar me gjëra të tjera.
- Hap sytë! Shejtani as mbjell, as korr: këto gjëra ruan, - porositi gjyshja babain atë mëngjes, kur po dilte.
Aha, domethënë, shejtani nuk ishte bujk. “Këto gjëra ruante” shejtani i gjatë sa gjysma e njeriut, me flokët deri në fund të këmbëve të tij të shkurtëra dhe me krehër e pasqyrë, që i mbante me vete gjithmonë.
- Shejtani ishte sheshit, por tani është futur në barkun e njeriut, - përfundonte gjyshja shpjegimin me mua.
Patra gjeti në rrugën e lumit krehrin dhe pasqyrën, që shejtani i kishte harruar. Pa e ditur, i përdorte vetë. Shejtani përnatë i trokiste Patrës në dritare dhe i kërkonte përvajshëm:
- Patra, Patra, më kthe atë që më more!
Shndritesha. Sa bukur. Patra, Patra. Tani e kemi në bark. Kot fare.
Me Stirin shkuam të zinim flutura çobani përtej Luleve të Gjarprit.
- Ata kanë shejtanin në bark, - fjalosën në gardh plaka e Banit dhe plaka e Kitos.
Te Juri nuk na u përgjgj njeri.
- Kanë shkuar nga nona, në Berat, - i thashë Stirit dhe ecëm drejt pusit.
U ulëm më gjunj para zambakëve.
-Stiri, hape gojën të ta shoh shejtanin.
Stiri hapi gojën, unë afrova kokën dhe u puthëm. Zemra më rrihte për Zbulimin e Madh që do të bëja, ndoshta, të nesërmen.
Dhe e bëra. Pusi, atë çast e përfundimisht, ishte imi. Rrugës, çuditërisht, në pusin e Jurit gjeta gjithë pararendësit e fisit tim, që kishin dashuruar e vdekur për mua.
- A, këtu do të takohemi ne të gjithë, brez pas brezi, - tha i pari.
Tashmë, grua dhe nënë, e kam kuptuar sa e vërtetë është trokitja e shejtanit të lumit: Patra, Patra, nëm atë që më more!
Të kujtohet nga fëmijëria jote, në prag të dimrit, si qëndron në degë ftoi i pjekur si llambatinë dasme, ose tamam kokrra e hurmës që ka mbetur harruar në degën e zezë të lagësht të pemës me myshqe, okër dhe e kthjellët, ku tejduket fara mbi ndonjë pus?!..
Ashtu mbeti Juri në mes të kokrrës mjaltishte të dashurive dhe ndarjeve të mia, duke vështruar pusin e humbur të mrekullive, që rrëmbehen me të pabesë.
11 Shkurt 2008