“Dhelpra e taktikës” kundër të “mençurit nga Hortaleca”
Dueli Rusi-Spanjë është ndër të tjerash edhe sfida e dy trajnerëve të suksesshëm: ai midis “dhelprës së taktikës”, Gus Hidink dhe të “mençurit nga Hortaleca”, Luis Aragonesit. Dy trajnerë me kulturë moderne futbolli dhe që ndjekin një filozofi të pandryshueshme për të mburritur te suksesi.
STRATEGJIA HOLANDEZE
“Futbolli nuk është një sport klasik si basketbolli, hokeji në akull apo volejbolli, ku ti si trajner i orienton sesi duhet të lëvizin, por diçka më shumë”, - thotë Hidink, që thekson rëndësinë e përgatitjes taktike të ndeshjes me ndihmën e DVD-ve. Hidink i jep rëndësi motivimit të lojtarëve. Dhe një të dytë si ai nuk ka. Ai merr ekipe të ashtuquajtura “outsajder” dhe me to arrin rezultate të mëdha. Në Rusi holandezin e kanë pagëzuar “Mbreti Midas”, ndërkohë që presidenti rus Dimitri Medvedev është i gatshëm t’i japë atij pasaportën ruse, por dhe emrin Gus Jevgeneviç Gordinkov.
MENÇURIA SPANJOLLE
Luis Aragones nga ana tij beson se Spanja ka shansin të fitojë për herë të dytë Kampionatin Europian, qysh pas triumfit të saj në Euro 1964. 70-vjeçari njihet si një strateg i madh. “Taktika nuk është vetëm të lëviz ashtu apo kështu. Ne kemi artin dhe mënyrën tonë të luajturit, dhe ne nuk duhet ta ndryshojmë atë”, - thotë Aragones. Filozofia e tij është shumë e thjeshtë. Sa më shumë kontaktet topi skuadra të ketë, aq më keq do të jëtë teorikisht për kundërshtarin të kuptojë taktikën e lojës e të organizohet në mbrojtje. “E rëndësishme është të godasësh portën e kundërshtarit në momentin e duhur. Këtë duhet ta gjesh ti”. Aragones është trajneri më i suksesshëm spanjoll. Ka 37 fitore në llogarinë e tij, një më shumë se Havier Klemente (1992-1998), por nëse Klemente i ka arritur ato në 62 ndeshje, Aragones ka pasur në dispozicion vetëm 52 të tilla, plus që ka 20 ndeshje pa humbur. Gjiganti turk Fenerbahçe bëri të ditur se trajneri aktual i Spanjës, Luis Aragones firmosi një parakontratë dyvjeçare. “Kontrata finales dhe procedurat burokratike do të përfundojnë menjëherë pas finaleve të Euro 2008-s”, -tha përmes një deklaratë klubi me qendër në Stamboll. Trajneri 69-vjeçar spanjoll do të marrë me vetëm “ekipin e tij të ndihmesave”: katër të tillë. Fenerbahçe nuk jep detaje të tjera, por gazeta sportive spanjolle “Marca” pohoi se Aragones do të përfitojë 3 milion euro në vit. Sipas gazetës tjetër spanjolle “As”, Federata e Futbollit të Spanjës, po bën ç’është e mundur të bindë Aragonesin të qëndrojë edhe për dy vjet të tjera, ndërsa si emri më i mundshëm që do të pasojë atë, shihet Visente del Boske. Spanja do të përballet me Rusinë sot, për një vend në finalet e Euro 2008-s. Te Fenerbahçen, Aragones do të zëvendësojë legjendën braziliane Ziko.
KOKË MË KOKË
Spanja e Rusia (përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik) janë ndeshur midis tyre në nëntë raste. Spanja ka fituar pesë ndeshje, Rusia vetëm 1 herë, ndërsa tre ndeshje janë ndarë në barazim. Spanja i ka fituar të gjitha takimet e mëparshëm në finalet e Europianëve: 2-1 në vitin 1964, 1-0 në vitin 2004 dhe 4-1 në Euro 2008.
RUSIA
Spanja e Rusia (jo Bashkimi Sovjetik) janë përballur katër herë midis tyre, duke u nisur nga viti 1998. “Furia roja” iberike ka në bilancin e saj 3 fitore, 1 barazim dhe asnjë humbje, 6 gola të shënuar dhe 1 të pësuar. Takimi i tyre i fundit ishte ai në fazën e grupeve të këtij Europiani, ku Spanja fitoi 4-1 me Rusinë (tre gola të David Vijës).
BASHKIMI SOVJETIK
Kundër ish-Bashkimit Sovjetik, Spanja është ndeshur pesë herë: 32 fitore për Spanjën, 1 barazim dhe 1 fitore për Rusinë (5-3 golat). Fitorja e vetme e ish-Bashkimit Sovjetik është regjistruar, më 30 maj 1971 për kualifikueset e Euro 1972, kur fitoi 2-1.
Ideja e Platinisë, Europiani në gusht
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, tha për të përditshmen franceze “Le Monde” se kishte në mëndje spostimin e Kampionatit Europian në muajin gusht, pas pushimeve të lojtarëve. Ish-trajneri i Francës theksoi se e kishte rimenduar disa herë këtë ide, por se më parë duhet të binte dakord me klubet për kalendarin. Platini do të jetë, më 2 korrik, në Poloni e Ukrainë për të verifikuar situatën në dy vendet që do të presin Europianin e ardhshëm pas katër vitesh. “E di që disa evokojnë mundësinë për t’ia besuar Europianin një vendi tjetër, - shpjegon Platini. “Për momentin kjo është vetëm një hipotezë. Nga këtu e katër vjet më pas duhet normalizuar situata në bashkëpunim me klubet e federatat. Mund të mendohet se pas disa vitesh, UEFA do të ndalojë klubet me shumë borxhe të marrin pjesë në Ligën e Kampioneve”.
Drejt gjysmëfinaleve
RRUGA E RUSISË
Rusia bëri pjesë në Grupin D se bashku edhe me Suedinë, Greqinë e Spanjën. Humbi 4-1 në ndeshjen e parë kundër Spanjës. Më pas mundi Suedinë (2-0) dhe po me këtë rezultat Greqinë. Në çerekfinale eliminoi Holandën (3-1), pas kohësh shtesë, pasi koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-1.
RRUGA E SPANJËS
Spanja bëri pjesë në Grupin D se bashku edhe me Suedinë, Greqinë e Rusinë. Fitoi 4-1 në ndeshjen e parë me Rusinë. Më pas mundi Suedinë (2-1) dhe Greqinë (1-0). Në çerekfinale eliminoi Italinë pas gjuajtjeve të penalltive. Takimi dhe shtesat përfunduan 0-0, ndërsa me penallti Spanja fitoi 4-2.
GJYSMËFINALET
E EURO 2008-s
E enjte,
RUSI-SPANJË
26.06.2008,
Vjenë, ora 20:45
Gjyqtar: De Bleker(Belgjikë)
Bastet-Bëin
1 x 2
3.25 3.25 2.15
Renditjet
FIFA
Rusia 24
Spanja 4
UEFA
Rusia 16
Spanja 2
26 Qershor 2008