E Diel, 1 Nëntor 2026

Piktori i njohur hungarezo-francez Victor Vasarely i dhuron veprën “Vega 2” Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë



Ambasadorja e Francës, Maryse Daviet dhe ambasadori i Republikës së Hungarisë, Sandor Molnari, në bashkëpunim me Institutin Kulturor Hungarez të Sofias e Aleancën Franceze të Tiranës çelën në kryeqytet ekspozitën e piktorit me famë botërore Victor Vasarely. Punimet e tij u përzgjodhën nga “Koleksioni Csepei” dhe patën mbështetjen e mbrojtësit ligjor të veprave të artistit Csepei Tibor, i cili ka shoqëruar artistin në të gjallë të vet, në shumë veprimtari të tij, si dhe po vazhdon ta promovojë artin e artistit Vasarely në shumë vende të botës. Paraditen e djeshme, në selinë e ambasadës së Hungarisë është zhvilluar ceremonia e akt-dhurimit të një vepre të artistit Victor Vasarely, me titull “Vega 2”, në teknikën grafik dhe e përbërë nga tri pjesë. Vepra iu dhurua drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, Rubens Shima nga ambasadori i republikës së Hungarisë në Tiranë Sandor Molnari në prani të Laszlo Lados, sekretar i parë i ambasadës së Hungarisë në Tiranë dhe Csepei Tibor, mbrojtësi ligjor i veprave të Vasarelit. Piktura e Vasarely-t tashmë do të jetë pronë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Siç thamë dhe më parë, vepra përbëhet nga tri pjesë dhe është e para vepër e një piktori hungarezo-francez, që bëhet pjesë e koleksionit të veprave të huajve në koleksionin e GKA-së.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›