SHBA-të shpresa për emrin e Maqedonisë
Departamenti Amerikan i Shtetit ka përsëritur sërish qëndrimin se shpreson dhe pret zgjidhje në kontestin greko-maqedonas për emrin kushtetues të Maqedonisë. “Ne do të donim që çështja e emrit të zgjidhet në kornizat e një politike afatgjatë“,-deklaroi në një konferencë për media zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Kejsi, duke theksuar se Republika e Maqedonisë dhe Greqia janë aleatë të Amerikës dhe është e rëndësishme që të dyja palët të arrijnë një zgjidhje të pranueshme për emrin. Ndërkohë, kryediplomatja greke, Dora Bakojanis, përsa i përket çështjes së emrit të Maqedonisë u shpreh se nuk ka asnjë hapësirë kohore për zgjidhje deri në datën 9 korrik, ditë kur Shqipëria dhe Kroacia do të nënshkruajnë protokollin e integrimit në NATO. Deklarata e Bakojanisit erdhi pas takimit të saj me sekretaren e Përgjithshme të Shtetit amerikan, Kondoleza Rajs.
Sejdiu: “Kushtetuta do të zbatohet në të gjithë territorin e Kosovës”
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka rikujtuar dje shtrirjen e Kushtetutës duke theksuar se ligji themeltar i shtetit do të respektohet në të gjithë territorin e vendit. “Formimi i komunës veriore të Mitrovicës, por edhe reforma e tërësishme e pushtetit lokal, do të bëhet në pajtim të plotë më Planin e Ahtisarit”,-tha Sejdiu në një takim me kryetarë të komunave. Presidenti Fatmir Sejdiu iu garantoi kryetarëve të komunave se institucionet qendrore angazhohen fuqishëm për reformën e pushtetit lokal në bazë të planit të Ahtisarit. Por, siç tha ai, në disa pjesë të vendit nevojitet kohë për ta shtrirë zbatimin e Kushtetutës dhe autoritetin e institucioneve.
Gazeta “Blic”: “Kryeministri i ri serb, ndoshta Pajtiç”
Kryeministri i ri i Serbisë mund të jetë Bojan Pajtiç. Sipas gazetës serbe, “Blic”, e cila u është referuar anëtarëve të Partisë Demokratike të presidentit Tadiç, kryeministër mund të emërohet Pajtiç, i cili drejton Partinë Demokratike në Vojvodinë dhe ka fituar numrin më të madh të votave gjatë mbledhjes së partisë së tij, duke lënë pas ministrin e Jashtëm Vuk Jeremiç, i cili u rendit i dyti. Partia e presidentit Tadiç pritet që gjithashtu të vendosë për pozicionet ministrore, ku sipas të gjitha gjasave, Dushan Shutanovaç do të mbetet ministër i Mbrojtjes, ndërsa Dushan Petroviç ministër i Drejtësisë. Pavarësisht spekulimeve në media, vendimi do të merret nga presidenti Boris Tadiç, se cili politikan do të drejtojë Ekzekutivin e Serbisë.
26 Qershor 2008