Dhelpra jetonte në majë të rrokaqiellit më të lartë në Europë
Dhelpra endacake është gjetur në majën e rrokaqiellit më të lartë në ndërtim, Shard London Bridge. Ndërtuesit zbuluan kafshën e frikësuar në katin e 72-të të rrokaqiellit, në lartësinë 288 metra mbi tokë.
Dhelprën, e cila mori emrin Romeo, së pari e pa një punëtor i cili po drejtonte vinçin, më pas u thirrën ekspertët për kapjen e kafshëve. “Fillimisht nuk mund të besoja se dhelpra vërtet ishte aty. Mendova se dikush po tallej”, tha njëri prej ekspertëve për kapjen e kafshëve, Les Leonard.
Ai tha se dhelprën sërish e panë ditën tjetër duke u ngjitur nëpër dërrasat e gjata tre metra. “Ishte si në ëndërr, nuk mund ta besonim se dhelpra mund të ngjitej aq lart”, tha ai.
Dhelpra në ndërtesë arriti të ngjitej nëpërmjet një direku të ndërtesës dhe nga aty u ngjit në majë. Jetoi në katin e 72-të dhe ushqehej kryesisht me mbetjet e ushqimeve të punëtorëve. Dy javë pasi është parë, dhelpra u kap me ndihmën e një kafazi në të cilin ishte vendosur mishi i pulës si karrem.